E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli “çliron” pronat e Fazlliçit, reagojnë prokurorët e çështjes

21/04/2009  Gjykata e cilëson veprimin e Prokurorisë të shpejtuar dhe të pambështetur në ligj

TIRANË- Gjykata e Apelit ka vendosur katër ditë më parë të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë që heq sekuestron mbi të gjitha pronat e Damir Fazlliçit. Për apelin vendimi i gjykatës së Tiranës është tepër i drejtë dhe nuk duhet të ndryshohet, duke e quajtur në këtë mënyrë veprimin e Prokurorisë të shpejtuar dhe të pambështetur në ligj, ndërsa akuza reagoi duke thënë se do të bënte rekurs në Gjykatën e Lartë. Kërkesa për sekuestrim të pronave të Damir Fazlliçit u bë në fillim nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas akuzës, ka qenë nisja e hetimeve shkaku që detyroi Prokurorinë të marrë një hap tjetër. Por avokatët Genc Gjokutaj dhe Ibrahim Lahi i kërkuan gjykatës lirimin e pronave të Fazlliçit duke hedhur kështu poshtë akuzën. Disa ditë më parë avokati i Fazlliçit bëri kërkesë për kundërshtim të zgjatjes së hetimeve. Sipas tij, "hetimet i kanë kaluar afatet e parashikuara nga ligji”. Hetimet ndaj Fazlliçit nisën në tetor 2008, pas dyshimeve për pastrim parash në Shqipëri. Damir Fazlliç nuk ishte i pranishëm në gjykatë.

Akuza e kundërshtimet

Avokatët mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe Ibrahim Lahi, kanë arritur të marrin një prokurë të posaçme të firmosur prej tij. Pasi kanë paraqitur prokurën, ata i kërkuan gjykatës lirimin e menjëhershëm të pasurive të paluajtshme të klientit të tyre. Avokatët ishin dakord që të lihej në fuqi vendimi i shkallës së parë. Sipas avokatëve, Genc Gjokutaj dhe Ibrahim Lahi, baza ligjore e sekuestrimit nga ana e Prokurorisë është e pabazuar në ligj. Ndërsa ata kanë argumentuar se nëpërmjet këtij sekuestrimi kërkohet domosdoshmërish ekzistenca e një krimi. Sipas mbrojtjes, vepra penale për të cilin e akuzon Prokuroria Damir Fazlliç krijon produkt të një vepre tjetër penale, ku pa vërtetuar lidhjen e krimit nuk mund të bëhet fjalë për pastrimin e tij. Pas regjistrimit të procedimit penal Prokuroria mori vendimin për sekuestrimin e llogarive bankare, të depozitave bankare si dhe të dokumenteve të regjistrimit të këtyre kompanive. Nga ana tjetër mbrojtja tha se kërkonte të shqyrtohej vetëm kërkesa për dy shoqëri të Damir Fazlliçit ajo “Crown Acquisitions” dhe “Alfa” sh.p.k., ndërsa kërkuan përjashtimin nga kërkesa për 6 shoqëritë e tjera. Pas debateve si shkalla e parë ashtu edhe Apeli i kanë lënë të lirë pronat e Damir Fazlliçit. Nga ana e tyre prokurorët kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës. Ata janë shprehur se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë për të kundërshtuar vendimin e Apelit.

Vetëm Bosnja ka sjellë informacion

Padia ndaj Ina Ramës dhe pritja e letërporosive

TIRANE- Organit të akuzës do t’i duhet të përballet përsëri me Damir Fazlliçin pasi javën që shkoi biznesmeni serbo-boshnjak kreu një padi civile kundër Prokurorisë së Tiranës, duke e akuzuar këtë të fundit se kishte kryer shtyrjen e afateve hetimore pa të drejtë. Mirëpo përkundër këtij pretendimi janë dy prokurorët e çështjes, të cilët janë shprehur se gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor do të sjellën para trupit gjykues një sërë argumentesh që do jenë bindëse në lidhje me shtyrjen me 1 muaj të afatit hetimor. Sipas tyre, argumenti kryesor mbrojtës është mosardhja në kohë e përgjigjeve të 5 letërporosive të dërguara në Qipro, Bosnjë, Zvicër, Angli dhe Kroaci. Aktualisht nga pesë letërporositë e dërguara në shtetet e mësipërme vetëm autoritetet boshnjake kanë dërguar përgjigje. Mësohet se në të nuk ka të dhënë që ndihmojnë procedimin penal që njësia hetimore Task-Forcë ka nisur kryesisht ndaj biznesmenit Damir Fazlliç. Përgjigjja përmban vetëm dy kompani të serbo-boshnjakut si dhe disa transaksione që ai ka kryer nga Bosnja në drejtim të Shqipërisë. Nga verifikimi i tyre nuk është konstatuar asnjë veprim kriminal. Me mbërritjen e tyre si dhe me verifikimin e mëtejshëm të të dhënave, në kohët në vazhdim akuza do të marrë një vendim përfundimtar nëse dosja do i kalojë gjykatës së Tiranës apo nëse ajo do të pushohet përfundimisht.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›