E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të ndalohet sistemi i referencave

21/04/2009  Buxhuku kërkon marrjen e masave në mbështetje të investimeve

Kriza ekonomike cila ka përfshirë botën ka sjellë dhe reagimin e investitorëve shqiptarë të cilët kërkojnë marrjen e masave të para. Konfindustria, duke marrë shkas nga shqetësimet e vazhdueshme të industrive më të rëndësishme vendore, me një letër drejtuar Kryeministrit Sali Berisha kërkon -ndalimin e zbatimit të sistemit të referencave në përllogaritjet e institucioneve tatimore, -shfuqizimin e akteve ligjore përkatëse dhe - rikthimit në parimin ligjor të “vetdeklarimit” nga ana e biznesit. Në një deklaratë për mediat administratori i përgjithshëm i konfindustrisë Gjergj Buxhuku thekson se marrja e masave është e domosdoshme. Konfindustria kërkon, që masa e mësipërme të hyjë në fuqi në kohën më të shpejtë të mundshme dhe njëkohësisht të zgjasë të paktën deri në fund të vitit financiar 2009, kohë e mjaftueshme për të përmirësuar rrënjësisht bazën ligjore përkatëse duke marrë për bazë;- propozimet e grupeve të interesit, - rritjen e domosdoshme të nivelit profesional të punonjësve të institucioneve të fiskut dhe - përvojën e vendeve demokratike të zhvilluara në raste të ngjashme. Kërkesa e mësipërme bëhet domosdoshmëri për përmirësimin e klimës së biznesit kusht mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në kushtet e pasojave të krizës globale në ekonominë shqiptare ku pjesa më e prekur janë industritë dhe prodhimi vendor.

Konfindustria, në kërkesën e saj ka parasysh pikërisht problematikën shqetësuese, që ka sjellë në praktikë zbatimi i referencave për:- çmimet e shitjes/blerjes, -fitimin, -sigurimet shoqërore, -numrin e punonjësve, etj. Bazuar në të dhënat e ardhura në mënyrë të vazhdueshme pranë Konfindustrisë nga një numer i madh i industrive më të rëndësishme vendore, është vënë re se ka patur zbatim problematik të sistemit të referencave në praktikë nga institucionet e fiskut. Sa më sipër ka sjellë sistemin e referencave në një mjet arbitrar dhe të paarsyetuar profesionalisht, duke prodhuar një numër të madh penalitetesh të padrejta ndaj industrive aq më shumë në kushtet e ekzistencës së ligjit “të gjobave” dhe mungesës së papranueshme të gjykatës administrative profesionale. Konfindustria, duke kërkuar rivendosjen në praktikë të parimit të “ vetdeklarimit” nga bizneset në institucionet fiskale, gjithashtu e quan domosdoshmëri rritjen e ashpërsisë së goditjes ndaj çdo rasti të evazionit fiskal, për përmbushjen e parimit të konkurrencës së drejtë në treg si kusht thelbësor i zhvillimit ekonomik. Në këtë kuptim Konfindustria kërkon marrjen dhe zbatimin e masave penalizuese më të ashpra të vendeve të Bashkimit Europian ndaj bizneseve, që kryejnë evazion fiskal.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›