Aktivitetet kulturore, nga Teatri i Metropolit dhe në natyrë
Ky sezon artistik me një sërë ambiciesh dhe energji pozitive për Qendrën Kulturore Tirana. Në pak vite ky institucion ka treguar se po ristrukturohet dhe po kërkon gjithmonë e më shumë të jetë më pranë publikut artdashës me projekte, salla të reja dhe veprimtari gjithëpërfshirëse. E ndërkohë, që sallat e saj vazhdojnë që të jenë të pushtuara nga shfaqjet
e ndryshme teatrore si për të rritur ashtu dhe për fëmijë. Për drejtorin e saj Kiço Londo, ky institucion tashmë po përgatitet që ta shtrijë aktivitetin e saj dhe jashtë sallave teatrore, ku pas nuk mbetet as Cirku i Tiranës i cili dhe dje ka dhënë shfaqje në shkollën Vasil Shanto për nxënësit e kësaj shkolle, duke iu ofruar një atmosferë të bukur, të larmishme me numra akrobatikë. Por drejtori i Teatrit të Metropolit Londo, tregon se këtë vit sezoni veror në kryeqytete nuk do të jetë pa aktivitete të larmishme kulture, pasi sipas tij që tani kanë filluar përgatitjet për të sjellë aktivitete gjatë sezonit veror në kryeqytet. Gjatë sezonit të verës do të ketë aktivitete të larmishme, që nuk do të zhvillohen vetëm në sallat e Teatrit të Metropolit, por ato do të jenë dhe në mjedise të tjera. Kështu në Kodrat e Liqenit çdo të premte dhe të shtunë gjatë verës do të ketë grupe me muzikë rock, të cilët do të peformojnë për publikun. Për këtë është zgjedhur si koordinatore Linda në botën e çudirave, e cila do të merret me të gjithë këto aktivitete muzikore. Por ndërkaq nuk do të mungojnë aktivitet dhe në vende të tjera, pohon drejtori Kiço Londo. E ndërkohë që duke treguar mbi aktivitetet që do të zhvillohen ai pohon se gjatë sezonit veror në kryeqytet vijnë turistë të huaj, janë studentë që kthen nga studimet, pushues nga Kosova etj, të cilët do të gjejnë një atmosferë të mbushur me aktivitete kulturore. Ne po punojmë dhe po përpiqemi që të gjithë ata që vijnë gjatë sezonit veror në kryeqytet të gjejnë një larmi aktivitetesh kulturore, të cilat nuk do të mungojnë gjatë gjithë këtij sezoni, thekson ndër të tjera Londo. E ndërkohë që për publikun këtë fundjavë do të shfaqen dy vepra teatrore, e para Drejt lirisë nga Erand Sojli, si dhe Play boy i trojeve tona, të cilat pas suksesit që patën para publikut, rikthehen sërish në Teatrin e Metropolit. Premiera e dytë e Teatrit të Metropolit pritet të jetë komedia Testamenti i Ri nga Sacha Guitry, e cila do të vihet në sallën e re Glob me kapacitet prej 300 vendesh. Salla Bodrum dhe salla Glob e çojnë në tre numrin e sallave të Teatrit të Metropolit. Në projektet ambicioze të këtij teatri priten premiera të tjera , ku drejtuesit shprehen se do të kenë bashkëpunime me regjisorë të huaj të teatrit Rumun, Francez etj, të cilët kanë shprehur dëshirën e tyre për të qenë pjesë e këtij teatri. Cirku i Tiranës do të vazhdojë çdo të shtunë dhe të diel ora 11.00 me shfaqjet e tij.
Nga skena teatrore, në teatrin e lëndinave
Shfaqjet që jepen për fëmijë në skenën teatrore, sipas drejtorit Kiço Londo do të jepen dhe jashtë në natyrë. Gjatë verës ne do të japim shfaqje për fëmijë, jo vetëm në skenën e Metropolit, por dhe në mjedise të tjera. Kështu nga Parku Rinia, tek kodrat e Liqenit apo dhe në mjedise të tjera ne do të japim shfaqje për fëmijët. Janë shfaqje të bukura dhe të realizuar me mjeshtëri nga aktorët, pohon Londo. Në ballon e luleve përshtatur nga përralla Lulet e Idës së vogël e autorit H.K. Andersen dhe Druvari i mirë përshtatur nga përrallat e vëllezërve Grim. Shfaqja Druvari i mirë vjen me regji nga Genti Deçka, skenografi dhe kostumografi Shpëtim Baca. Në shfaqje janë katër personazhe: Endri Çela-druvari, Ledian Papagjoni-vëllai, Arbër Islami-naratori. Ngjarjet fillojnë në një familje të varfër, duke bërë dru në pyll. Jeta e tyre ndryshon në momentin kur sopata druvarit i bie në lum dhe aty njihet me peshkun magjik. Shfaqja Në Ballon e Luleve vjen me regji nga Adelina Muça, përshtatur nga Milena Selimi, kordinatore Ada Ruçi, koreografia Llaqi Nako, kostumografia e skenografia Morena Vata e Olsida Murati. Personazhet në shfaqje janë: Drilona Zalli-Ida e vogël, Genti Decka-studenti, Lorenc Kraja-Adolfi, Ina Limani-Jona,Lindita Alliu-Mamaja e Ides, grupi i baletit për fëmijë-lulet. Ngjarjet fillojnë në një qytet të largët ku jeton Ida një vogëlushe dhjetë vjeçare sëbashku me lulet e sajë të kopshtit. Çdo mëngjes, ku dhe çdo mbrëmje ajo kujdeset për lulet dhe i tregon gjithçka i ka ndodhur gjatë ditës. Fantazia e vogëlushes shkon deri aty sa krijon Ballon e Luleve, ku mbreti dhe mbretëresha janë trëndafili dhe karafili dhe në këtë subjekt interesant përfshihen edhe miqtë e saj më të mirë, Jona dhe Adolfi.
Nga Julia Vrapi
Last Updated on E Premte, 02 Prill 2010 19:18