Aktiviteti ekonomik i Eurozones ulet ne shkurt

Indeksi që mat ecurinë e aktivitetit ekonomik në Eurozonë shënon për muajin shkurt një rënie poshtë kufirit normal. Sipas të dhënave të Markit, aktivitetet në sektorin industrial dhe atë të shërbimeve në të 17 vendet e Eurozonës kanë ulur nivelin poshtë kuotës së 50 pikëve që ndan rritjen e ciklit prodhues nga rrudhja. Për muajin shkurt në fakt ekonomistët kishin parashikuar një rritje të aktivitetit në 50,5 pikë, ndërkohë që ka pasur një rënie në 49,7 pikë krahasuar me muajin janar kur për herë të parë pas gjatë muajsh u regjistrua një stabilitet i ekonomisë. Sipas sondazhit të Markit, rënia e aktivitetit në sektorin e shërbimeve në muajin shkurt ka shtuar më tej rreziqet se ekonomia e monedhës ë përbashkët po shkon drejt recesionit. Drejtuesit e institutit gjerman Markit, shprehen se ka mundësi që PBB i Eurozonës të mbetet i pandryshuar, megjithëse pritjet flasin për një rënie të lehtë të ekonomisë. Uljen më të lartë të indeksit e ka shënuar sektori industrial gjerman me -1,1% sikurse edhe Franca me një rënie të indeksit me 0,6 pikë. Në tremujorin e fundit të vitit 2011, ekonomia e bllokut 17 anëtarësh u ul me 0,3% dhe nëse edhe për tremujorin e parë të këtij viti do të rezultojnë të dhëna negative atëherë mund të flitet për një recesion teknik zyrtar për Eurozonën.