Aktiviteti kreditues per tremujorin e dyte 2012
Vijon rritja e kërkesës për kredi edhe në tremujorin e dytë të vitit, kryesisht nga bizneset. Sipas raportit të Bankës Qendrore të vendit gjatë periudhës prill –qershor të këtij viti, ekspertët e bankave vlerësojnë se kërkesa për kredi nga ndërmarrjet e vogla e të mesme ka rezultuar në rritje me 2.6%, nga -25.2% që ishte në tremujorin e mëparshëm.
Nevoja për financimin e kapitalit qarkullues dhe përdorimi i burimeve alternative financuese kanë qenë faktorët që kanë kontribuar pozitivisht në kërkesën për kredi, gjatë tremujorit të dytë të vitit 2012. Ndërkohë që sipas BSH faktorët negativë lidhen me situatën makroekonomike në vend dhe nevojën për financimin e investimeve fikse.
Përsa i përket kërkesës për kredi nga individët raporti i fundit i BSH tregon se ka vijuar të ngadalësohet në tremujorin e dytë të vitit 2012, por në një masë më të vogël se tremujorin e kaluar. Ndërkohë që standardet e kredisë për individë kanë mbetur të pandryshuara në tremujorin e dytë të vitit 2012. Kjo përbën një përmirësim krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2012, gjatë të cilit përqindja neto e bankave që kishin shtrënguar standardet ishte 9.6%. Standardet e kredisë mbetën të pandryshuara, si për kredinë për blerje banese ashtu edhe për kredinë konsumatore. Politikat e BSH, konkurrenca dhe gjendja e likuiditetit kanë ndikuar në lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë individëve në tremujorin e dytë të 2012-ës.
Pritjet e bankave për standardet e kredidhënies për tremujorit të tretë të vitit 2012 janë më optimiste krahasuar me vlerësimet për standardet e aplikuara gjatë tremujorit të dytë. Bankat nuk presin të vijojnë prirjen shtrënguese të standardeve të kredisë së dhënë bizneseve , ndërkohë që presin të lehtësojnë ato të individëve.
Ekspertët e bankave presin gjithashtu që kredia në lekë të ketë një rritje të lehtë në krahasim me tremujorin e kaluar.