Ministri Beja vlerëson dy nxënës për arritje në fushën e këngës dhe matematikës
Aurora Kapo, fituesja e Festivalit Ndërkombëtar të Këngës për Fëmijë dhe Drit Sokoli, fituesi i Medaljes së Artë për gjimnazet gjatë vitit 2008, u pritën dje në një takim nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. Ministri i uroi 7- vjeçares Aurora Kapo dhe gjeniut të matematikës, Drit Sokoli, që edhe në ardhmen të jenë të parët.
Në këtë takim, ministri Beja u dorëzoi dy fituesve disa dhurata, si kompjuter, sete librash, agjendë elektronike, etj. Vogëlushja Aurora Kapo nga Durrësi, e cila këtë vit është shpallur fituese e Festivalit të XVI-të Ndërkombëtar të Këngës për Fëmijë, që u zhvillua më 27-28 shkurt në Rozhajë të Malit të Zi, i tha ministrit Beja se do të merrte pjesë sërish në aktivitete ndërkombëtare. Ajo përfaqësoi Shqipërinë në këtë festival me këngën Të gjithë fëmijët kërcenin rrok të kompozitorit Ylli Ramzoti. Me çmimin e fituar Aurorës i hapet rruga për pjesëmarrje në Festivale të tjera ndërkombëtare. Driti, një student 19- vjeçar nga qyteti i Shkodrës, mjaft i zoti në fushën e matematikës, duke falënderuar ministrin Beja për motivimin, tha se do të ndjekë rrugën e nisur. Ai është nderuar me Medalje të Artë në provimet e Maturës Shtetërore dhe ka qenë aktiv në disa olimpiada.