E Diel, 1 Nëntor 2026

Aktorët shqiptarë me “Rock’n Roll” në Bogota të Kolumbisë

07/05/2011  Teatri shqiptar në mars të vitit 2012, në festivalin më të madh të teatrit në botë

Teatri shqiptar do të jetë për herë të parë pjesë e evenimentit më të madh teatror botëror që do të zhvillohet në Bogota të Kolumbisë. Bëhet fjalë për shfaqjen “Rock’n’Roll” të autorit të njohur britanik Tom Stoppard, e cila erdhi në skenën teatrore me regji të boshnjakut Dino Mustafiq, një prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës ku interpretojnë aktorë të njohur shqiptarë dhe koreografi të realizuar nga shqiptari Gjergj Prevazi, njëkohësisht dhe pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë. Kjo shfaqje është përzgjedhur mes shumë të tjerave, duke u cilësuar si një nga veprat e rralla teatrore evropiane. Ishte Giorgio Ursini, një ndër anëtarët e sektorit të festivalit të Bogotasë që mbahet në Kolumbi, i cili bëri të ditur se “Rock’n Roll” e regjisorit Dino Mustafiq do të jetë në konkurrencën zyrtare të këtij festivali, i cili pritet të zhvillohet në mars të vitit 2012. Në shfaqjen, “Rock’n Roll” luajnë aktorët Kushtrim Hoxha, Mentor Zymberaj, Gresa Pallaska, Ilire Çelaj, Armend Ismajli etj. Pjesëmarrja e kësaj shfaqjeje në këtë festival është një ngjarje e shënuar për teatrin shqiptar. E përzgjedhur si një nga veprat më të mira të Evropës, është hera e parë që teatri shqiptar merr pjesë në një eveniment të tillë. Në këtë vepër teatrore për tre orë e gjysmë, koreografia i ka qëndruar besnike frymës së shfaqjes. Teksti vjen i shkrirë me muzikën dhe këngën. Në këtë vepër teatrore merr pjesë dhe grupi i njohur rock “Jericho”, për të cilët është hera e parë që përfshihen në një projekt teatral. Shfaqja po ashtu ka marrë ftesën zyrtare, për të udhëtuar edhe në festivalin e Lubjanës, që do të mbahet gjatë këtij viti nga data 16-25 shtator 2011. “Rock’n Roll” do të prezantohet në edicionin e 18-të të festivalit ndërkombëtar të arteve performuese “Ex Ponto” në Lubjanë të Sllovenisë. Organizator i këtij festivali është NETA (New European Theatre Action). Vepra është mirëpritur nga publiku në skenën e Prishtinës, ndërsa ende nuk është bërë e ditur se kur do të vijë dhe në skenën e Tiranës. Kostumet janë realizuar nga Vesa Kraja dhe muzika nga Trimor Dhomi.

Çfarë sjell “Rock’n Roll”?

Vepra është një dramë bashkëkohore që trajton idenë e protestës. Kjo dramë bashkëkohore, një analogji me ato që ka përjetuar Kosova në dekadat e jetës së detyrueshme me Serbinë, ndodh në Pragë dhe në Kembrixh, në periudhën që nga Pranvera pragase (1968) deri te Revolucioni i Kadifenjtë (1989), më saktë përfundon me koncertin e grupit “Rolling Stone” më 1990 në Pragë. Temë e kësaj drame të britanikut Stoppard, janë përpjekjet e ndryshme të rezistencës ndaj regjimit represiv dhe rëndësia e muzikës në këtë protestë. Regjisori i shfaqjes Dino Mustafiq pohon se shfaqja “Rock`n Roll” është shfaqje postmoderne dhe analogji e gjithë asaj çka ka përjetuar në të kaluarën edhe populli i Kosovës. “Kush është rokeri dhe çfarë është Rock’n Roll?”, është pyetja që shtron shfaqja. Përgjigjja vjen natyrshëm: dy dekadat e komunizmit kanë qenë krejt “Rock’n Roll”. Bob Dylan, Bob Marley e “Rolling Stones” kanë ardhur spontanisht nga kasta e aktorëve, e të ndihmuar edhe nga grupi i mirënjohur kosovar “Jericho”. Është viti 1990, kur disidenti i mirënjohur, dramaturgu Vasllav Havell, tashmë kishte marrë pushtetin në Çekinë demokratike pas Revolucionit të Kadifenjtë. Janit (Kushtrim Hoxha) 22 vjet më vonë i jepet mundësia të kthehet në Kembrixh tek ish profesori i tij Maxi (Mentor Zymberaj), vajza e të cilit Esme (Gresa Pallaska), ishte dashuria e tij. I propozon Esmes të shkojnë në Pragë, ku “Rolling Stone” do të mbante koncert. Gresa urdhëron Kushtrimin të dalë nga karakteri e “të shkojnë” në Prishtinë ku “Jericho” zhvillon koncertin. Në minutën e 25-të të shfaqjes, aktorja Ilire Vinca e kthen gjendjen në realitet. Rrëfimi i saj nis me protestat e studentëve të 1 tetorit të vitit 1997, ndërsa përfundon emocionalisht me tregimin kur bashkëshorti i saj do ta lërë me dy vajza për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së. Tortura që atyre u ka shkaktuar pushteti serb gjatë viteve ‘90, e deri te përjetimet për teatrin, e kritika për artistët që së fundi i janë futur politikës “për t’i ndihmuar Kosovës”, janë rrëfimet që aktorët e tjerë zgjedhin t’i bëjnë publike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›