E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aktualiteti në ‘sytë’ e shtypit kosovar

Prishtinë - Të tetë gazetat e përditshme të Kosovës të botuara ditën e sotme ( e hënë), në ballinat e tyre sjellin tema të ndryshme nga njëra-tjetra. Kështu e përditshmja “Express” hapet me vizitën në Mitrovicë të Ramush Haradinajt, kryetarit të AAK-së, i cili gjatë qëndrimit disa orësh atje, e ka vazhduar polemikën nga distanca me kryeministrin e vendit Hashim Thaçi.

Duke iu referuar Thaçit i cili është shprehur se ndjen keqardhje për Haradinajn, ky i fundit është shprehur se për keqardhje është gjendja e sigurisë në Mitrovicë. Lideri i AAK-së në të njëjtën kohë ka shpërndarë edhe libreza partiake në fshatin Kushtovë dhe premtoi një Qeveri të tij, e cila do ta shtrinte autoritetin deri në Zveçan.

Një artikull tjetër shumë interesant, “Express” e sjell si tekst dytësor i cili në faqen e parë është paralajmëruar nën titullin “Vogëlushet nuse”.

Sipas gazetës, që prej fillimit të këtij viti, në Komunën e Ferizajt janë lidhur 16 martesa me vajzat nën moshën 18 vjeçare. Gazeta thekson se nuset me moshë të re janë bërë problem edhe për shkollat, edhe për shoqërinë ndërkohë që nxënëset e martuara, këtë gjë e shohin vetëm si problem të tyre personal, me të cilin nuk duhet të merren të tjerët.

Gazeta “Koha Ditore” në faqen e parë të saj sjell një artikull i cili thekson se është miratuar teksti përfundimtar i projektrezolutës për Kosovën. Sipas kësaj gazete, me këtë projekt-rezolutë, Parlamenti Evropian kërkon më shumë angazhim nga institucionet e Kosovës dhe të BE-së. Artikulli më tej qartëson se para se kjo projekt-rezolutë t’u hidhet deputetëve për votim, gjatë votimit paraprak në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, janë refuzuar të gjitha amendamentet që Serbia nëpërmjet disa deputetëve nga Rumania dhe Greqia, ishte munduar të vendoste në rezolutë, thekse si për shembull që “Pakoja e Ahtisarit nuk është miratuar në Këshillin e Sigurimit” apo se “statusi i Kosovës nuk është pranuar nga organizatat ndërkombëtare”.

E përditshmja “Zëri” në numrin e sotëm hapet me një fotografi të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Edhe artikulli kryesor i kësaj gazete ka të bëjë me të njëjtën çështje ku sipas këtij mediumi, ende nuk dihet se kur do të bëhet rishikimi i seleksionimit të pjesëtarëve të FSK-së. Gazeta sjell deklarimin e zv. Komandantit të FSK-së, gjeneralmajor Rrahman Rama i cili ka deklaruar se edhe ai e di se janë disa persona që nuk e meritojnë të jenë në këtë forcë. “Ata e dinë vet se si kanë kaluar e si janë përzgjedhur. Por po iu garantoj se do të shkojnë, do të zëvendësohen me të tjerë që kanë qenë të suksesshëm”, është shprehur Rama për këtë të përditshme.

Gazeta “Lajm” në numrin e sotëm si artikull kryesor sjell një shkrim me titull “Lobim, jo vetëm reklamë”. Ky shkrim ka të bëjë me kritikë ndaj Qeverisë Thaçi e cila sipas gazetës, ende nuk e ka detajuar përmbajtjen e fushatës për një pasqyrë tjetër të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Me një intervistë të Bujar Dugollit, hapet sot gazeta “Epoka e Re”, e cila si titull kryesor në ballinën e saj ka “Dugolli: E di se ka pasur marrëveshje.”. Duke iu referuar mbajtjes së zgjedhjeve të nëntorit të vitit 2007, Dugolli ka deklaruar se për ekzistimin e kësaj marrëveshje duhet pyetur ish kryeministrin Agim Ceku, nënkryetarin Ahmet Isufi dhe zyrtarin tjetër të lartë të AAK-së Ardian Gjini.

Sipas tij, zgjedhjet në atë kohë janë mbajtur sipas Kornizës Kushtetuese dhe kanë mandat të plotë. Deri më tash, Bujar Dugolli është i vetmi politikan nga radhët e AAK-së i cili e pranon se ka pasur marrëveshje nga të gjitha palët për t’u mbajtur zgjedhjet e vitit 2007.

Gazeta “Kosova Sot”, sjell si tekst kryesor në ballinën e saj artikullin me titull “Një fond për Mitrovicën”. Gazeta saktëson se një gjë e tillë tash për tash është vetëm ide. Duke iu referuar Qeverisë e cila ka ndarë 100 mijë euro për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore të vendit, gazeta saktëson se përveç eurove, ende s’ka projekte strategjike konkrete dhe mjete financiare. Sipas gazetës, Qeveria premton investime në atë zonë, por politizimi i veriut edhe incidentet që nuk ndalen janë një sfidë e fortë.

E përditshmja “Bota Sot”, në faqen e parë i kushton vëmendje shpërthimeve që kanë ndodhur në veri të Mitrovicës të shtunën në mbrëmje ndërkohë që gazeta tjetër “Infopress”, nën titullin “Duan t’i bashkohen PDK-së”, teksa citon zëdhënësin e kësaj partie Blerand Stavilecin, sqaron se janë paraqitur pesë kërkesa nga pesë degë të AAK-së për kalim në PDK.

Për start nga Prishtina Veton Rugova

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›