Temperaturat në veri arrijnë shifrën rekord prej -20 gradë Celsius

Të
dhënat e fundit mbi situatën e motit dhe gjendjen e rrugëve në vend: Gjatë
natës dhe aktualisht nuk ka reshje, por temperaturat janë relativisht të ulëta
deri në -20 C
Tiranë, 2 Shkurt NOA Ministria e brendshme
publikoi pak minuta më parë, një informacion të detajuar mbi situatën e
shkaktuar nga reshjet e shiut dhe dëborës në zona të ndryshme të vendit, e po
ashtu për gjendjen e rrugëve dhe qarkullimin e automjeteve në rrjetin rrugor të
vendit.
Qarku
Shkodër
Situata në rrethin e Shkodrës është
normalizuar. Gjatë ditës së djeshme në rrethin e Shkodrës ka patur 25 mm shi,
ndërsa gjatë natës reshjet kanë qenë të pakta.
Të gjitha rrugët për në fshatrat e përmbytura
në muajin Janar, janë të kalueshme nga të gjitha mjetet.
Ka ende 1600 ha tokë në prezencë uji, 42
shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.
Në Malësinë e Madhe vështirësia në qarkullim
paraqitet vetëm në rrugën për në Komunën e Kelmendit, ku nevojitet përdorimi i
zinxhirëve.
Ndërkohë është e bllokuar edhe rruga Bogë
Theth, dhe për këtë shkak, qarkullimi për në komunat e zonës së Dukagjinit,
Shalë, Pult, Shosh kryhet nga rruga e Shoshit që lidhet me Shkodrën.
Në rrethin e Pukës ka patur reshje të dobëta
dëbore, të shoqëruara me temperatura të ulëta. Rrugët janë të gjitha të
kalueshme dhe në disa segmente kalohen me vështirësi, kurse përdorimi i
zinxhirëve është i detyrueshëm, si në rrugën Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë
dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë.
Në rrethin e Pukës vazhdon të mbetet e
bllokuar vetëm rruga për në Komunën Iballë.
Qarku
Lezhë
Aktualisht situata paraqitet normale, dhe
reshjet për ditën e djeshme nuk kanë qenë intensive. Kanë rënë vetëm 34 mm shi,
por pa sjellë situata problematike.
Rrugët nacionale dhe rurale në shkalle qarku
janë të kalueshme plotësisht dhe nuk ka patur probleme në qarkullim. Policia e
Qarkullimit Rrugor ka qenë vazhdimisht në kontroll dhe në ndihmë të qarkullimit
normal të automjeteve. Hidrovorët punojnë me kapacitet të plotë.
Qarku
Kukës
Dje ka patur reshje intensive shiu dhe
breshëri, kurse në zonat malore mbi 600 metra ka patur reshje bore. Reshjet për
një periudhë kohe prej rreth 1 ore në mesditë kanë qenë shumë intensive aq sa
në qytetin e Kukësit bora krijoi një shtresë prej 30 cm.
Në të gjithë rrjetin rrugor qarkullimi i
automjeteve nuk ka patur probleme, me përjashtim të rrugës nacionale Qafë Mali
Morinë që në segmente të veçanta ka patur bllokime të përkohshme për shkak të
rrëshqitjeve të inerteve dhe reshjeve të dëborës.
Rruga për në Shishtavec u hap nga inertet, por
qarkullohet me vështirësi edhe për shkak të reshjeve të dëborës.
Moti sot është më i butë dhe pritet të kemi
pakësim të reshjeve. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në
komunat Arrën, Grykë Çajë dhe Zapod.
Qarku
Dibër
Edhe ditën e djeshme në qarkun e Dibrës ka
patur reshje shiu dhe në zonat malore mbi 600 m ka patur reshje dëbore.
Më me intensitet reshje ka patur në rrethin e
Dibrës dhe më pak në Bulqizë. Gjatë natës dhe aktualisht nuk ka reshje, por
temperaturat janë relativisht të ulëta deri në -20 C.
Në të gjithë segmentet rrugore nuk ka ngrica.
Ndërprerja e reshjeve gjatë natës që kaloi ka sjellë përmirësim të situatës dhe
gjithashtu të rrjetit rrugor.
Aktualisht vazhdojnë të jenë të bllokuara
komunat Lurë dhe Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komuna Trebisht, si dhe
disa fshatra të komunës Martanesh, në rrethin e Bulqizës.
Rrugët nacionale janë të kalueshme në shkallë
qarku, por në disa segmente gjithmonë problematike, si në Qafë Buall dhe në
hyrje të qytetit të Bulqizës qarkullohet me zinxhirë. Situata mbahet në
kontroll të vazhdueshëm nga Policia e Qarkullimit Rrugor.
Drejtoria Rajonale e Rrugëve dhe subjektet
nënkontraktore po punojnë me borëpastruese dhe hedhjen e kripës dhe të
skorjeve.
Qarku
Korçë
Situata paraqitet normale. Ka patur reshje
dëbore gjatë natës, por jo intensive. Sot në mëngjes kanë filluar me
intensitet. Në disa segmente të aksit Korçë- Librazhd, kryesisht në Qukës, Qafë
Thanë dhe KorçëKolonjë, në Qafë Qarri ka patur vështirësi në kalimin e mjeteve
për shkak se reshjet e dëborës kanë qenë të mëdha.
Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve e mbështetur
nga punonjësit e Policisë së Qarkullimit Rrugor, është punuar pa ndërprerje për
pastrimin e dëborës dhe nuk është lejuar bllokimi i rrugës. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.
e.r/NOA