Mali i Zi kërkon bashkëpunim për mbrojtjen e mjedisit

Presidenti
pret Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof.
Momir D. Gjuroviç
Tiranë, 2 Shkurt NOA - Presidenti i
Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë Kryetarin e Akademisë
së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi, Prof. Momir D. Gjuroviç, i cili po
zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe Kryetari
i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Gudar Beqiraj dhe
Ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Zheljko Peroviç.
Topi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes këtyre institucioneve të dijes dhe
shkencës në fusha të ndryshme si kërkimi shkencor, projekte të përbashkëta
integrale për ekosistemin e njëjtë që ndajmë në veri me Liqenin e Shkodrës,
lumin Buna dhe gjithë pellgun ujëmbledhës, etj.
Kreu i shtetit shqiptar vlerësoi si shumë të
mira marrëdhëniet dypalëshe të dy vendeve miq dhe fqinj si dhe nivelin e lartë
të dialogut politik, duke vënë në pah faktin se popujt tanë janë orientuar
tërësisht drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane. Presidenti shprehu
mbështetjen e plotë institucionale dhe personale për organizmin e konferencave
të përbashkëta dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi të frytshëm
akademik e shkencor.Nga ana e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Malit të Zi,
Prof. Momir D. Gjuroviç, pasi shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin dhe
shkëmbimin e përvojës mes dy akademive me anë të marrëveshjeve dypalëshe.
Ai u ndal në studimet integrale ujore,
shfrytëzimin e ekosistemit, ruajtjen e ambientit në të mirën reciproke të dy
vendeve tona si dheu shpreh për organizimin e konferencave të përbashkëta me
akademikë nga të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë.
e.r/NOA