Akuza: Autori vrau për të marrë hakun e babait të vrarë 2 vjet më parë
FIER- Togat e zeza të Gjykatës së Shkallës së parë rrethi Gjyqësor Fier kanë dhënë masën “arrest me burg pa afat” ndaj të akuzuarit për vrasjen e Asqeri Merkaj, nga fshati Poçem, banues në Fratar Mallakastër. Seanca gjyqësore ndaj Lefter Malaj, 43 vjeç, është mbajtur në mesditën e së enjtes, në një nga sallat e godinës së gjykatës. Aty kanë qenë të pranishëm dhjetëra forca të rendit, për tu zhvilluar seanca në kushtet e sigurisë.
Prokuroria
I pandehuri është vënë nën akuzë prej prokurorit Hysen Ajasllari, ndërsa është mbrojtur prej palës mbrojtëse, avokat Baftjar Shehu. Prokurori i çështjes ka paraqitur përballë gjyqtarit të seancës, Ergys Selmani, provat dhe faktet si dhe kronologjinë e ngjarjes së rëndë, duke sjellë para të pranishmëve prova, sipas të cilave, vrasja e viktimës është kryer me paramendim. Përveç të tjerash, ai foli edhe për çastin kur pas vrasjes së viktimës, autori ka qëlluar në ajër, duke lajmëruar se ka marrë gjakun e babait të tij, të vrarë dy vite më parë prej vëllait të viktimës. Prokurori ka kërkuar prej gjyqësorit të vlerësojë të ligjshëm arrestin, si dhe të vendosë, për shkak të natyrës së ngjarjes, një masë vlerësimi, arrest me burg.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i të pandehurit. Nëpërmjet avokatit të tij, Shehu, ai hodhi poshtë versionin e prokurorit, duke u shprehur se viktima i kishte sjellë atij shqetësime, duke paraqitur faktet, sipas të cilave, ai mund të kishte vepruar edhe më parë për të marrë gjakun e babait të vrarë, sepse sipas avokatit, vrasja nuk mund të ishte e paramenduar, duke qenë se ndodhi përballë objektit në pronësi të të akuzuarit Malaj. Viktima jetonte në Fratar dhe vinte aty çdo ditë në punë. Ai mund të ishte qëlluar edhe më parë, si fakti tjetër, mbështetur në procesverbalet e oficerëve të policisë gjyqësore, ku dëshmitarë të ndryshëm kanë pohuar se viktima dhe autori i ngjarjes i akuzuar kanë pasur grindje para se të ndodhte krimi.
Masa
Në fund, pasi ka dëgjuar palët, gjyqtari Selmani vendosi të cilësojë të ligjshëm arrestin e tij prej policisë, si dhe të vendosë si masë arresti me burg, për të pandehurin Lefter Malaj. Ngjarja e rëndë për të cilën bëhet fjalë ka ndodhur ditën e diel pasdite në fshatin Poçem. Babai i tre fëmijëve, Asqeri Merkaj, është vrarë me armë zjarri tip shotgun gjahu dhe në vendin e ngjarjes u gjetën tre gëzhoja. Pas një ore, policia arrestoi shtetasin Lefter Malaj, 43 vjeç, i cili dyshohet se është autori i kësaj ngjarjeje të rëndë. Kjo, pasi viktima është vëllai i autorit që i ka vrarë me armë zjarri tip pistoletë, Lefterit, të quajturin Aliko Malaj. Zanafilla e kësaj serie vrasjesh, që vijon të marrë jetë njerëzish, fillon në datën 28 maj të vitit 2009, në vendin e quajtur fusha e Poçemit. Babai i autorit, Aliko Malaj, është vrarë duke ndërtuar një godinë, stallë lopësh, në një tokë që pretendohej se ishte pronë e familjes Merkaj. Pas grindjes më fjalë, Përparim Merkaj, vëllai i viktimës së ditës së dielë, qëlloi me armë zjarri tip pistoletë ndaj Aliko Malaj, 70 vjeç. Policia arrestoi autorin, i cili është duke vuajtur dënimin në kampet e riedukimit.