E Shtunë, 31 Tetor 2026

U vra në kufi, i jepet titulli Dëshmor i Atdheut

SHKODËR- Në 21 vjetorin e vrasjes në kufi të Pëllumb Pëllumbit, atij i është dhënë titulli “Dëshmor i Atdheut”. Në ceremoninë e përvitshme ka qenë kryetari i këshillit të qarkut Gjovalin Kolombi, ai që i ka dorëzuar Nikollë Pëllumbit, babait të së vrarit, titullin e Dëshmorit dhe familjes statusin e Familjes së Dëshmorit. Në memorialin që përkujton demonstratën antikomuniste të 16 qershorit 1990, ku ceremonia e varrimit të 17-vjeçarit, Pëllumb Pëllumbi, i vrarë teksa përpiqej të kalonte kufirin, u kthye në një revoltë të qytetarëve, janë vendosur kurora e bërë homazhe. Babai i Pëllumb Pëllumbit, Nikollë Pëllumbi, njëkohësisht kryetar i shoqatës së familjeve të të vrarëve në kufi, ka falënderuar për nderin që i bëhet, ndërsa ka apeluar për drejtësi. Ai rikujton ngjarjen e 16 qershorit 1990, kur në tentativë për të kaluar kufirin humbën jetën dhjetëra të reja dhe të rinj shkodranë. “Si të mos mjaftonte vrasja makabre që kishin kryer forcat e kufirit, trupi i masakruar i djalit është marrë zvarrë nëpër Hot e Bajzë, i lidhur pas një kamioni, për t’u bërë shembull për ata që do të guxonin të merrnin rrugën e arratisjes nga Shqipëria. Megjithëse vetëm pak kohë më parë, ish-presidenti Ramiz Alia kishte hequr nenin famëkeq 25, të tradhtisë së lartë ndaj atdheut, duke e zëvendësuar me ligjin 7380, “kalim i paligjshëm i kufirit”, kjo mbeti vetëm në letër pasi në telat me gjemba të klonit që rrethonte Shqipërinë, vetëm në vitin 1990 mbetën të vrarë 400 të rinj, të cilët u gënjyen nga ndryshimi vetëm në letër i këtij neni. Trupi i Pëllumbit ishte dërguar në morgun e spitalit të Shkodrës dhe, pasi të bëheshin ekzaminimet e nevojshme, do të varrosej nën kujdesin e policisë në një varr pa emër, ashtu siç ishte bërë vite e vite me radhë. Kanë qenë shokët e djalit, ata që kanë kërkuar ta tërheqin kufomën, por kanë hasur në rezistencën e dy policëve të cilët e ruanin atë. Këmbëngulja e tyre dhe më pas një urdhër i dhënë me radio, ka bërë që trupi i pajetë i Pëllumbit të sillej në shtëpi mëngjesin e 15 Qershorit. Në vitin 1994 kemi zhvarrosur eshtrat, për t’i dërguar në varrezat katolike të Shkodrës dhe të tmerruar pamë se kafka e djalit ishte e ndarë mespërmes”, tregon Nikollë Pëllumbi. Vrasja e 17-vjeçarit, ndodhi në një kohë që shteti i asaj kohe dhe Ramiz Alia, në mënyrë paradoksale, kishte nxjerrë e publikuar ligjin që kishte hequr nenin famëkeq 25, të tradhtisë së lartë ndaj atdheut, duke e zëvendësuar me ligjin 7380, “kalim i paligjshëm i kufirit”, për ato që kapeshin duke tentuar ta kalonin atë. Kjo i gënjeu mjaft të rinj, që tentuan të largoheshin, por mbetën të vrarë dhe pati raste, si ai i Pëllumb Pëllumbit, kufoma e të cilit i zvarrit dhe u dhunua barbarisht nga vrasësit duke terrorizuar dhe njerëzit e thjeshtë. Vrasja e Pëllumb Pëllumbit në kufi, në Hot të Malësisë së Madhe, afër tunelit, jo vetëm tronditi gjithë shkodranët, por ceremonia mortore e tij ishte një sfidë që të rinjtë shkodranë i bënë diktaturës komuniste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›