Akuza Berlusconit, "po blen vota"

Silvio Berlusconi akuzohet së fundmi nga kundërshtarët e tij se po kërkon të blejë votat në zgjedhjet e 24 dhe 25 shkurtit. Kreu i të majtëve, Pier Luigi Bersani e cilësoi veprimin e tij si mashtrim, ndërsa të majtët radikalë kërkojnë vënien e tij para drejtësisë për krim. Akuzat lindën pas shpërndarjes me postë të disa letrave në rajonet përcaktuese të fituesit të zgjedhjeve, ku qytetarëve u premtohej heqja e taksës së banesës nga ana e partisë së Berlusconit, PDL.
Vetë ish-kryeministri italian ka nisur të kundërshtojë së fundmi taksën e banesës, të vendosur nga qeveria Monti. Kjo taksë mbledh 0.4 për qind të kostos së banesës dhe nga Berlusconi konsiderohet e pandershme dhe që rrit barrën ndaj ndërtuesve dhe shkel “shenjtërinë e shtëpisë”.
Ndërkohë, ish-prokurori i anti-mafies, që aktualisht drejton radikalët e majtë, Antonio Ingroia deklaroi se me letrën dërguar italianëve, ku premton para në këmbim të votës, Berlusconi ka kryer krim, andaj duhet të vihet para drejtësisë.
Si transmeton TC, sipas kopjeve të siguruara nga mediet italiane, letra u paraqitet italianëve në formë zyrtare. “Njoftim i rëndësishëm; rimbursim i IMU2012 (taksa e banesës). Rimbursimi do të kryhet ose nëpërmjet llogarisë suaj bankare, ose do t’ju dorëzohet juve personalisht nëpërmjet shërbimit postar”, thuhet në letrën e shpërndarë nga PDL.
Letra është shpërndarë në rajonin e Sicilisë, Venetos, Campanias dhe Lombardisë, rajonet kyçe që përcaktojnë fituesin e zgjedhjeve të përgjithshme në Itali./Indeksonline.