E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja ende shqyrton dokumentet e "Bashkohut"

“Lëvizja Islame Bashkohu ”, me shkurtesën (LISBA), të martën ka kompletuar Kërkesën për regjistrim, të parashtruar nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim, pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vendimi përfundimtar për regjistrim të iniciativës politike, sipas KQZ-së, do të merret pas përfundimit të periudhës shtatë ditore, gjatë të cilës publiku mund t’i shqyrtojë dokumentet e regjistrimit.

“Të gjitha materialet e regjistrimit, duke përfshirë programin e partisë, statutin, dhe shenjën do të jenë në dispozicion për shikim dhe komente nga publiku, thuhet në një njoftim të KQZ-së.

Sipas këtij Komisioni, promovimi i transparencës për procesin e regjistrimit të partive politike është pjesë e procesit të KQZ-së.

Ndryshe, LISBA është themeluar më 25 janar 2013, nga Arsim Krasniqi. Sipas programit të saj, ky subjekt politik do të angazhohet për mundësi të barabarta të secilit qytetar; Do të angazhohet për njohjen, respektimin, garantimin dhe zbatimin e plotë të të drejtave të njeriut sipas standardeve ndërkombëtare.

Rëndësi parësore, ky subjekt do t’i japë pushtetit gjyqësor për arritjen e këtij qëllimi, zgjedhjes së kuadrove të pa korruptuara, apolitike, të afta, të ndershme; Bazën e zhvillimit ekonomik, të pasurimit ekonomik të qytetarëve të vendit në tërësi, të drejtës së pronësisë private të trashëguar dhe asaj të fituar me drejtësi.

Qëllimi i këtij subjekti, është edhe krijimi i kushteve për lehtësime të sigurimit shëndetësor nga ana e shtetit për të gjitha nivelet. LISBA, do të angazhohet për rritjen e rolit, dhe të pjesëmarrjes e Kosovës në organizatat dhe mekanizmat ndërkombëtare të OKB-së, integrimin në NATO, pjesëmarrjen në Konferencën e Vendeve Islamike./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›