Shkatërrohet rrjeti i trafikimit të shqiptarëve nga Italia në Britani

Një grup kriminal, që trafikonte emigrantë shqiptarë nga Italia në Britaninë e Madhe, është shkatërruar nga policia italiane në qytetin e Torinos. Sipas agjencive italiane të lajmeve, grupi kriminal prodhonte dhe pajiste shqiptarët me dokumente false dhe me biletën e avionit, kundrejt një shume të caktuar parash.
Sipas burimeve, ka qenë policia torineze ajo që ka arrestuar dy persona dhe ka denoncuar 28 të tjerë, 11 prej të cilëve anëtarë aktivë të grupit dhe të tjerët mbështetës.
Grupi kriminal përkujdesej për klientë që nga mbërritja e tyre në Itali e deri tek nisja për në Mbretërinë e Bashkuar, duke i bërë që të dukeshin udhëtarë të vërtetë, transmeton TCH.
Ngjarja në fjalë është një tregues se kriza ekonomike e ka hequr këtë vend nga lista e shteteve atraktive për emigrantët, të cilët tash po zgjedhin vende të tjera perëndimore.
Për shkak të krizës, emigrantët nga vendet ballkanike, por edhe ata nga vendet afrikane kanë filluar të preferojnë pikërisht Britaninë, Gjermaninë dhe vendet e Beneluksit./Indeksonline/