E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: Ky ligj diskriminon figurën e prokurorit

12/12/2008  Nuk garanton të drejtën e rikthimit në detyrë dhe imunitetin

TIRANE- Megjithëse tashmë Ministria e Drejtësisë e ka dërguar për miratim në qeveri ligjin për funksionimin dhe organizimin e Prokurorisë, drejtuesit e kësaj të fundit nuk pajtohen plotësisht me këtë ligj, pasi sipas tyre drafti ka disa nene që nuk sigurojnë punën e prokurorit, imunitetin e tyre dhe një sërë të drejtash që ia garanton Kushtetuta. Nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme mësohet se në projekt-draftin e kaluar në qeveri, shuhet neni 36 i ligjit që është akoma në fuqi. Me shfuqizimin e këtij neni njerëzit e akuzës nuk do të kenë më imunitet, çka i bën ata të pa mbrojtur nga veprimet arbitrare, të cilat sipas tyre janë të mundshme nga institucionet në varësi të ekzekutivit që janë (Policia Rrugore, e Rendit, Policia Gjyqësore në Policinë e Shtetit). Gjithashtu burimet pranë akuzës thanë se riformulimi i nenit 34, pika 2 të ligjit aktual, duke i dhënë përmbajtje tjetër në projekt-draftin që kaloi në qeveri, nuk garanton të drejtën kushtetuese të prokurorëve që ata të kthehen në detyrën që kanë pasur, në rast se shkarkimi i tyre konsiderohet i paligjshëm nga gjykata. Por burimet nuk kanë vetëm këto pakënaqësi për projektligjin, pasi një tjetër pikë problematike lidhur me këtë çështje, për prokurorët është edhe diskriminimi që i bën ky ligj figurës së prokurorit. Sipas tyre, gjyqtarët shkarkohen nga KLD-ja, pra me një votim të shumicës së anëtarëve të KLD-së, çka do të thotë se vendimet merren kolegjialisht me shumicë votash pas një debati në Këshill. Por edhe pas këtij vendimi, është Presidenti ai që dekreton shkarkimin e gjyqtarit. Ky i fundit më pas ka të drejtë të ankohet për shkarkimin në Gjykatën e Lartë, e cila mund të shfuqizojë dekretin e Presidentit për shkarkimin dhe po ashtu vendimin KLD-së. Diskriminimi i prokurorëve është jo vetëm se ata nuk kanë të garantuar kthimin në detyrë, por edhe në faktin se e drejta e ankimit u është lënë në Gjykatën e Apelit, pra një gjykatë e ulët krahasuar me Gjykatën e Lartë (ku ankohen gjyqtarët), që në rastin e prokurorëve duhet të shfuqizojë dekretin e Presidentit për shkarkimin e prokurorit në rast se shkarkimi rezulton i paligjshëm. Lidhur me këtë çështje pas gjithë këtyre procedurave, prokurorit i garantohet sipas projekt-draftit vetëm “një shpërblim i arsyeshëm” dhe jo rikthimi në detyrën që ka pasur siç u është garantuar gjyqtarëve. Sipas burimeve, kthimi në detyrë i prokurorëve të shkarkuar padrejtësisht është një e drejtë kushtetuese që përfshihet në rekomandimin e Komisionit Evropian që në vitin 2000. Zbatimi i këtij rekomandimi dhe pasqyrimi i tij në projekt-draft do të ishte një garanci që prokurorët të ushtrojnë detyrat e tyre të pandikuar dhe të pakërcënuar me shkarkim të padrejtë nga detyra. Kjo pikë është mbështetur edhe nga zyra e OPDAT në diskutimet që ekspertët e saj kanë bërë me grupin e punës në Ministrinë e Drejtësisë. Ndërkohë që projekt-drafti nuk ka marrë në konsideratë sugjerimin e Shoqatës së Prokurorëve, zyrës së OPDAT, që prokurorët ashtu si gjyqtarët, të kenë të drejtën e garancisë për kthim në detyrën e mëparshme, në rast shkarkimi të padrejtë. Mësohet se shoqata ka thirrur një mbledhje të Komitetit Drejtues, i cili do të përcaktojë qëndrimin që do të mbahet. Ndërsa në të njëjtën kohë kjo shoqatë është në pritje të Komisionit të Ligjeve për t’u njohur me projekt-draftin si dhe për t’u dëgjuar në diskutimet që do të zhvillohen aty, lidhur me vërejtjet dhe sugjerimet që prokurorët kanë për projekt-draftin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›