E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Akuzat politike nga zyra e Ramës"

12/12/2008  Debate në Kuvend për Durrës-Kukës, opozita kërkon dorëheqjen e ministrit të Jashtëm

Basha: “Do të vazhdoj të qëndroj këtu derisa të kem besimin e shumicës së kolegëve të mi”

Opozita rikthen në Kuvend debatin mbi ndërtimin e rrugës Durrës–Kukës. Deputetët e Partisë Socialiste, duke iu referuar akuzave që Prokuroria ka ngritur në adresë të tij, i ka kërkuar ministrit të Jashtëm të dorëhiqet nga posti i kryediplomatit shqiptar. Në përgjigje të kundërshtarëve të tij politikë, ministri Basha siguroi se do të mbrojë betimin e tij para Kushtetutës për mbrojtje të ligjit dhe të interesave të vendit për aq kohë sa shumica parlamentare ta mbështesë atë.

Akuza

Sekretarja për çështjet ndërkombëtare në PS Arta Dade, pasi ka hequr një paralele mes rëndësisë së diplomacisë shqiptare për çështjet e integrimit, Kosovës dhe akuzave që janë ngritur ndaj ministrit të Jashtëm, e ka cilësuar rastin “Basha” si një rast flagrant. “Një anëtar qeverie, një zyrtar i lartë i shtetit vijon të përfaqësojë vendin tonë nga pozita e të akuzuarit për një abuzim financiar të jashtëzakonshëm. Po të kemi parasysh rastet e zyrtarëve në SHBA dhe vende të tjera, rasti ynë me ministrin e Jashtëm tregon se sa larg jemi nga përmbushja e standardeve të përgjegjshmërisë së zyrtarëve para ligjit dhe opinionit publik”, - tha Dade gjatë fjalës së saj mbajtur në Kuvend. Edhe deputeti tjetër i selisë rozë Taulant Balla e cilësoi të turpshëm mosparaqitjen e ministrit Basha në Prokurori dhe ardhjen e tij në Kuvend për të dhënë shpjegime për akuzat që Prokuroria ka ngritur ndaj tij. Për këtë ai i kërkoi Bashës të japë dorëheqjen nga posti i ministrit. “Është e turpshme që një njeri që nuk shkon në Prokurori, një i pandehur, vjen e jep shpjegime në sallën e Kuvendin. Në një shtet demokratik një i pandehur shkon në prokurori dhe nuk vjen në Parlament të japë shpjegime. Në rastin më të parë që prokurori mbyll hetimet dhe shpall të pandehur një individ, ai duhet liruar nga të gjitha pozicionet publike që mban”, - tha Balla. Sipas tij, një person që akuzohet për vjedhjen e 230 milionë eurove nuk duhet t’i fshihet ligjit përmes mandatit.

Kundërpërgjigjja

“Politik” e ka cilësuar ministri i Jashtëm sulmin që deputetët e opozitës dhe kryetari i PS-së Edi Rama kanë adresuar ndaj tij. Ai ka akuzuar opozitën për shpifje, duke vënë përballë akuzave mbështetjen që ka marrë nga partnerët ndërkombëtarë në realizimin e reformave dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Kjo opozitë dhe segmente të caktuara të saj nuk kursejnë asgjë në drejtim të objektivave të tyre të ngushta politike, duke goditur në mënyrë antikombëtare dhe kundër interesave shtetërore të Shqipërisë aktivitetin diplomatik dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, i ndarë ky nga personi politik. Pa dyshim që aktiviteti diplomatik i Shqipërisë ndodhet në kulmin e tij”, - theksoi Basha. Për të akuzat ndaj tij për fondet e Durrës–Kukës janë një absurditet i stisur në zyrat e kreut të PS-së. Por pavarësisht këtyre, kreu i diplomacisë shqiptare nuk ndihet i kërcënuar, madje premton se do të vijojë t’i përmbahet betimit para Kushtetutës për respektim të saj dhe mbrojtje të interesave të vendit. “Do të respektoj ligjet dhe do t’i shërbejë vendit tim, pavarësisht presioneve, luftës politike dhe sulmet që organizohen nga zyrat e Edi Ramës dhe segmentet e tij në Prokurorinë shqiptare. Do ta bëj këtë me vendosmëri dhe asgjë nuk do të më ndalë që të mbrojë betimin tim para Kushtetutës. Prandaj jam këtu dhe do të vazhdoj të qëndroj këtu derisa të kem besimin e shumicës së kolegëve të mi dhe të qytetarëve shqiptarë”, - përfundoi Basha.

Lulëzim Basha

“Konsideratat e partnerëve ndërkombëtarë për qeverinë shqiptare dhe ministrin e Jashtëm nuk i shkon për shtat strategjisë shpifëse dhe luftës politike që Edi Rama u ka shpallur qëllimeve dhe objektivave të politikës së jashtme, duke përfshirë anëtarësimin në NATO dhe pavarësimin gjeostrategjik të shqiptarëve që përfaqëson rruga Durrës–Kukës. Sigurisht, ka edhe një precedent tjetër të turpshëm: është rikthyer prokuroria politike.”

Arta Dade

“Imunizimi i qeverisjes ndaj problemit të korrupsionit dhe shkeljes së ligjit në përgjithësi është një sinjal shqetësues dhe që tregon se dekompozimi i kësaj mazhorance po avancon me ritme të shpejta. Duke mbrojtur ministrat e korruptuar, kjo shumicë do të humbë pushtetin. Nuk mund të mos na preokupojë fakti që diplomacia shqiptare duhet të përçojë te partnerët tanë respektin e ligjit dhe vullnetin e luftës kundër korrupsionit.”

Taulant Balla

“Nëse ndaj meje do të ishte ngritur një akuzë e tillë nga Prokuroria, siç është ngritur për zotin ministër të Jashtëm, unë do të kisha dhënë dorëheqjen dhe nuk do të merresha kurrë me politikë. Ky këtu vazhdon të shesë dëngla në një kuvend që nuk shquhet shumë për burrëri, por ai nuk duhet të shkel më këtu. Ka ende kohë të reflektojë. Të shkojë në Prokurori dhe të dëshmojë dhe të mos fshihet pas imunitetit të tij.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›