E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza: “Si u abuzua me pronat e Jakup Shalsit pas vitit 1994”

Flet Dallëndyshe Shalsi (Klosi) për pronat e sekuestruara në komunizëm.

“Shteti komunist më sekuestroi pronën, por i regjistroi në arkiva, ndërsa pas vitit 1994 pasuria e familjes sime është falsifikuar dhe marrë në mënyrë abuzive nga të tjerët”, - kjo është akuza e Dallëndyshe Shalsit (Klosit) që ka bërë në adresë të institucioneve të shtetit në lidhje me pasurinë që trashëgoi nga Jakup Shalsi, i cili është dënuar me vdekje nga regjimi komunist në vitin 1945. Përmes një interviste të dhënë për gazetën, e bija e Jakup Shalsit, një nga tregtarët më të mëdhenj të periudhës së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, tregon skemën e abuzimeve që janë bërë pas vitit 1994 me pasuritë e patundshme nëpër zyrat e Hipotekave dhe Gjykatat në rrethet e Durrësit dhe Beratit. Ajo pohon se ka bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit për grabitjen që i është bërë pasurisë së familjes së saj.

Cila është origjina e babait tuaj dhe kur ka lindur?
Babai im, Jakup Shalsi, është nga Berati. Ai ka lindur më 31 dhjetor 1905. Im atë ka mbaruar shkollën amerikane bujqësore në Lushnje. Pas përfundimit të shkollës, një nga më të mirat e kohës, ai dinte shumë gjuhë të huaja si: anglisht, italisht. Origjina e familjes sime vinte nga një rreth pronarësh që në kohën e Perandorisë osmane.

Kur ka filluar të merret me biznes Jakup Shalsi?
Nga viti 1937 deri në vitin 1944. Ai merrej me tregti dhe aktivitet në fushën e bujqësisë, industrisë, transportit. Kishte disa shoqëri të përbashkëta me italianët.

Kur është martuar dhe sa fëmijë ka pasur Shalsi?
Është martuar në vitin 1930. Ka pasur dy kurora. Në kurorën e parë ka pesë fëmijë: Zare Shalsi është gruaja e kurorës së parë, me fëmijët: Hasan, Flutura Shalsi (Nazaraj), Lumturi Shalsi (Meta), unë Dallëndyshja dhe Trubullirën (Dajçi) që jetoi në Burrel. Ndërsa bashkëshortja, në martesën e dytë, është Hasbie Shalsi, e cila ka vdekur në vitin 1987 në Berat. Sipas Aktit të Trashëgimisë, me Nr. 29/ 31, datë 4 11 1991, emrat e fëmijëve me martesën e dytë janë: Zenel Shalsi, Fatime Shalsi (Salillari), Afesa Shalsi (Aliçka). Babai im mbajti dy gra njëherësh, pasi nëna ime, Zare, nuk lindi fëmijë për 15 vjet martesë. Më pas lindën pesë fëmijë. Po ashtu, lindën edhe tre të tjerë me gruan e dytë, Hasbien.

Cili ka qenë aktiviteti i babait tuaj deri gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Gjatë kohës së Zogut, im atë ka qenë deputet. Njëkohësisht, ai është marrë me aktivitet tregtar. Jakup Shalsi ka qenë njohur si nacionalist. Enveri e akuzonte atë se ishte me Ballin Kombëtar.

Po në fushën e biznesit, cilat janë kompanitë e babait tuaj që ka pasur deri në vitin 1944?
“Stambla” ka qenë njëra ndër kompanitë më të mëdha. Drejtues i kompanisë ka qenë Spiro Kallço nga Durrësi. Ka pasur edhe firmën “Viseko Roko”, shoqëri anonime tregtare, me qendër në Durrës dhe me degë në të gjithë Shqipërinë. Shoqëria “AIPA”, e cila ishte me aksioner italian. Qendra e saj ishte në Kuçovë dhe kishte aktivitet në të gjithë Shqipërinë. “AIPA” merrej me tregtinë e vajgurit. Në vitin 1949, babai im hapi shoqërinë e transportit “SATA”. Sipas të dhënave që ekzistojnë në Arkivën e Shtetit, në pronësi të babait tim janë regjistruar edhe këto shoqëri: EIA, me qendër në Shijak, e cila kishte aktivitet në sektorin e bujqësisë; shoqëria “SIBST”, “SAFA”, “La Commisionaria”, “Metalurgjika”, “Sangjergo”, “Fratinelli”. Sipas gjurmimeve që kam bërë, edhe firmat “Simonçini”, “Birra Korça” dhe shoqëria anonime “Krraba” kanë pasur për pronar Jakup Shalsin.

Ku vërtetohet e gjithë kjo pasuri?
Këto shoqëri vërtetohen në Fondin 505, të vitit 1945, me Dosjen Nr. 511, që ndodhet në Arkivën e Shtetit në Tiranë. Në të njëjtin Fond, këto të dhëna janë edhe në Dosjen Nr. 142, fletët 4, 7, 53, 56, 83, ku tregohet se firmat personale tregtare në Durrës e Roskovec janë të Jakup Shalsit dhe jo të Anastas Hebës. Në Fondin 505, në fletët me numër 52, 53, vërtetohet se Sami Qeribashi ka qenë përfaqësues i firmave të shoqërive anonime të Jakup Shalsit, siç vërtetohet nga Komisioni i Konfiskimit të Pasurive Private të Tatimeve të Jashtëzakonshme në Prefekturën e Durrësit dhe në Fondin e Shpronësimeve të vitit 1945, të Komitetit Ekzekutiv të Prefekturës së Tiranës. Këto vërtetohen edhe në Gazetën Zyrtare Nr. 29, datë 29.03.1946. Në këto dokumente tregohet se Hoteli Dei Dojxhi, që ka dalë në shpallje ankandi; kinema “Tomorri”, Hotel Kontinental, kinemaja që ndodhet pranë Bashkisë së Durrësit, të gjitha këto janë pasuri që i janë shpronësuar Jakup Shalsit, me administratorë të asaj kohe: Sami Qeribashi, Axham Zini, Gani dhe Ilmi Qipi, që janë nipërit e Enver Hoxhës. Këto vërtetohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivit të Shtetit në Tiranë. Në Fondin Nr. 1005, të vitit 1946, pikërisht në Dosjen Nr. 223, në fletën 48, drejtori i Administratës Autonome, Hotel Dajti, Koço Theodhosi, vërteton se pasuria e Jakup Shalsit vjen pas shtetit. Këto i vërteton edhe Koçi Xoxe në vitin 1944, ku lajmëron Komitetet Ekzekutive në rrethe që t’i bëhet një shkresë Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar për pronat e Jakup Shalsit që disponon në Durrës, Tiranë, Berat, Kuçovë, etj.. Pasuria e tij vërtetohet edhe nga kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vasil Ziu, në vitin 1944. Edhe Prokuroria e Beratit vërteton pasurinë e familjes Shalsi me Vendimin e Komisionit të Pushtetit Lokal të Prefekturës së Beratit Nr. 33/1, datë 3.6.1947 se Jakup Shalsi ka ndërtuar në Durrës hotelin “Dej Dojxhi” dhe ndërtesën dykatëshe, si dhe katër shtëpi në lagjen “Varosh”.

Në cilat burime e keni të faktuar pasurinë e babait tuaj?

Të gjitha këto tregohen në Fondin e Bankës së Napolit, me Nr 182, të vitit 1937, dosja 37/3, fleta 113, 114, 115; Fondi i Bankës së Napolit me Nr 1982, të vitit 1937, dosja 44, në fletët 203, 206, 214; Fondi 282, i vitit 1937, me dosje Nr. 43, në fletën 171, Fondi i Ministrisë së Financave, me NR. 505, i vitit 1945, me dosje Nr. 51, fletët 45, 46; Fondi Nr. 278, i vitit 1934, me dosje Nr. 6, me numër fletësh; 102, 104, 107; Fondi Nr. 282, i vitit 1937 - 1943, në dosjen me Nr. 44, në fletët 203, 204, 205, 206. Po ashtu, këto të dhëna jepen edhe në Fondin e Industri-Minierave, të vitit 1936, në fletët 101– 105. Pasuria e babait tim faktohet edhe nga të dhënat e Seksionit Financiar të Kuçovës, në dokumentet e vitit 1947.

Kur është bërë sekuestrimi i pasurisë dhe përse e bëri shteti komunist një gjë të tillë?
Sekuestrimi i pasurisë së babait tim nga regjimi komunist ka nisur që më 29 dhjetor 1944 dhe ka përfunduar në vitin 1983. Me Vendimin Nr. 8 të Gjykatës Ushtarake është sekuestruar pasuria e luajtshme dhe e paluajtshme e babait tim. Po ashtu, me Vendimin Nr. 125 të datës 5/3.1945, i lëshuar nga Komiteti Ekzekutiv i Beratit, janë sekuestruar edhe disa prona që ndodheshin në këtë qark, megjithëse lista që i lidhet këtij vendimi mungon. Unë kam dyshime se është zhdukur. Me Vendimin Nr. 1, datë 19/03/1945, të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, i cili, duke u bazuar në Vendimin e Gjykatës Ushtarake, nxjerr nga regjistrat e rregullta hipotekore kadastrale dhe i shkon për shpallje Fletores Zyrtare Nr. 3, datë 23.11.1945 e gjithë pasuria e babait tim.

Cila është prejardhja e pasurisë së babait tuaj?
Prejardhja e pasurisë vjen nga Rakip Shalsi, gjyshi i Jakupit. Kjo provohet edhe në dokumentet e nxjerra nga Drejtoria e Arkivit të Shtetit. Po ashtu, edhe nga pasuria e Selimit, babai i tij. Në kohën e Zogut, babai e ka vënë pasurinë vetë, me aktivitetin e tij. Për këtë flasin tapitë dhe dokumentet e lëshuara nga shteti i asaj kohe.

Kur keni lindur ju dhe si e keni kaluar jetën gjatë periudhës së komunizmit?
Kam lindur në vitin 1941. Kur është bërë sekuestrimi i pronës së familjes sonë, unë kam qenë vetëm 4 vjeçe. Gjatë kohës së komunizmit nuk është mbajtur asnjë pasuri nga familja Shalsi. Pjesëtarët e familjes sime kanë jetuar të internuar në fshatin Tuç të Rrethit të Pukës për 20 vjet, që prej vitit 1969. Deri në atë kohë, unë kam qenë banore në Tiranë. Në vitin 1992 jam rikthyer në kryeqytet. Vëllezërit kanë qenë në Rërëz të Beratit, në vendlindjen e babait. Anëtarët e tjerë të familjes u internuan në zona të ndryshme të vendit.

Kur keni filluar t’i kërkoni pronat?
Kam nisur t’i kërkoj në vitin 1994 dhe deri sot. Kam marrë dhjetëra avokatë, të cilëve u kam dhënë prokurë të posaçme për të nxjerrë pronat e familjes sime.

Kur e keni përgatitur aktin e trashëgimisë dhe çfarë përmban?
Akti i Trashëgimisë është marrë me Vendim Gjykate, me Nr. 29, në vitin 1992, në Gjykatën e Beratit dhe ka kërkues vëllain tim për baba, Zenel Shalsin. Ky akt njeh pronarë të të gjithë kësaj pasurie: Zaren, Hasanin, Fluturën, Lumturinë, mua, Trubullirën, Hazbien (e vdekur në vitin 1987) Fatimen (e vdekur në vitin 1987) dhe Afesën (e vdekur në Amerikë në vitin 2007).

Sa prona njihen me Aktin e Trashëgimisë?
Vetëm në Qarkun e Beratit njihen 76 prona. Me këtë akt trashëgimie kam kërkuar njohjen e pronësisë, por më është refuzuar.

Pse është refuzuar në Durrës njohja e pasurive të babait tuaj?
Jam përjashtuar nga njohja e pasurisë pasi janë hequr nga dosja 73 dokumente që vërtetojnë pronësinë në Durrës, Shkozet, Arapaj, Rrushbull etj.. Kjo pasuri ka kaluar në bazë të dokumenteve të Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në emrin e Sami Qeribashit, Omer Fortuzit, Zeki Beqirajt, një shtetasi arab dhe Zamir Hasës.

Pra, ju mendoni se është manipuluar dokumentacioni i pronësisë nga viti 1991 dhe në vazhdim?
Gjatë kohës së komunizmit janë ruajtur të gjitha dokumentacionet. Falsifikimi ka nisur pas vitit 1991 në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës. Janë falsifikuar dokumentet e pronësisë së Hotel Vollgës, regjistri i tapive nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës, që vërtetohet nga nëpunësi i asaj kohe të regjistrimit të pasurive private, Adem Haxhillari; në Shkozet janë falsifikuar 310 dynym troje, të cilat kanë qenë në pronësinë e Jakup Shalsit, që kanë kaluar në pronësi të Vilson dhe Vangjel Hebës. Këta i kanë marrë pronat sot. Edlira Heba ka lëshuar 15 vërtetime pronësie në vitin 1992, që ia ka kaluar njerëzve të afërm të saj. Familja Heba ka qenë tagrambledhëse në firmën e Jakup Shalsit. Ai nuk ka qenë pronar. Edhe në fshatin Roskovec ka marrë pronat familja Hebaj.

Kush i ka marrë pronat e familjes Shalsi?
Deri tani, nipërit e familjes Shalsi kanë marrë 59 prona (objekte). Mes tyre janë edhe shumë persona që kanë përfituar përmes skemave abuzive. Zenel Shalsi (vëllai im nga ana e babait) ka bërë pjesëtim pasurie me nipërit e babait. Kjo provohet në Protokollin Nr. 154/2, vendimi i komisionit të pronave, i cili sot është fshehur.

Po për pronat jashtë vendit, a keni ndërmarrë ndonjë hap për t’i marrë?
Sipas dokumenteve, babai im ka pasuri në formën e depozitave bankare në Itali, konkretisht në qytetet e Milanos, Torinos dhe Padovas; në Zvicër, SHBA, etj.. Deri tani kemi dështuar për tërheqjen e kësaj pasurie.

Përderisa njiheni si trashëgimtare e pasurisë së babait, a keni marrë ndonjë pronë?
Njihem si trashëgimtare në Kuçovë, me 6 shtëpi 1-katëshe, në lagjen “Llukan Prifti”. Në të njëjtin qytet kam edhe dy ndërtesa dykatëshe dhe 8 dyqane. Janë edhe 9 shtëpi në lagjen “11 Shkurti” (ndërtesa dhe troje), të cilat janë njohur me vendim të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Por deri tani institucionet përkatëse nuk më kanë pajisur me certifikata pronësie.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›