Dita Botërore Kundër SIDA-s, 35 raste të reja vetëm për 2008-n
Vendi ynë numëron 35 raste të reja të personave të prekur nga virusi HIHAIDS gjatë vitit 2008. Ndërkohë që autoritetet shëndetësore shënojnë rreth 291 raste të të prekurve. Numri i personave të prekur ka ardhur çdo vit në rritje. Në Ditën Botërore Kundër SIDA-s, Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP-ja kanë bërë publike numrin e të prekurve nga ky virus në vendin tonë, duke bërë të ditur se 17 nga të prekurit janë fëmijë.
Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar sensibilizimin e qytetarëve për të njohur sëmundjen, duke parandaluar përhapjen e saj.
Drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, shprehet se ritmi i testimeve vullnetare ka ardhur në rritje, megjithëse është ende në shifra të ulëta. “Vitet e kaluara kemi pasur disa qindra, tani kemi kaluar në disa mijëra testime vullnetare dhe mund të themi që kemi kontroll më të madh mbi situatën”, - u shpreh drejtori i ISHP-së.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik i lidh këto rezultate pozitive dhe me punën e mirë të bërë nga shoqëria civile dhe shteti shqiptar përgjatë këtyre viteve. Sipas tij, strategjia e re, që pritet të miratohet kundër SIDA-s, prek pikërisht këto drejtime, çka synon parandalimin e përhapjes së sëmundjes së shekullit. Sipas tij, nëse rastet e fillimit kanë qenë kryesisht të importuara, tashmë gjithmonë e më tepër po vërehen raste të infektuara në Shqipëri. Ministrja e Shëndetësisë, Godo, bëri publike masat shumëplanëshe dhe politikat e caktuara kundër kësaj sëmundjeje. MSH-ja do të merret me hartimin e ligjit të ri të SIDA-s këtë vit nga Kuvendi i Shqipërisë si dhe me rishikimin e Strategjisë Kombëtare 2008-2014. Sipas ministres, janë ngritur dhe po fuqizohen qendrat e këshillimit dhe testimit vullnetar konfidencial, duke bërë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për SIDA-n dhe infeksioneve të tjera që transmetohen me rrugë seksuale. Aktualisht janë 98 të rritur dhe 12 fëmijë që trajtohen me ARV, trajtim i cili jepet falas që prej vitit 2004 nga shteti.
ISKSH, gati rezultatet e punës së mjekëve dhe përfitimet
ISKSH-ja pritet të publikojë rezultatet përfundimtare të shërbimit të mjekëve në bazë të punës së kryer në poliklinika. Kështu, pritet që brenda muajit dhjetor të ketë një relacion të plotë ku përcaktohet buxheti që u është shpërndarë mjekëve sipas vlerësimit për punën e kryer dhe shpërblimi që ata kanë marrë. Puna e mjekëve vlerësohet në bazë të disa kritereve, të cilat cilësojnë punën e kryer nga mjekët gjatë gjithë vitit. Ndër kriteret kryesore janë numri i vizitave, faturat e mbledhura etj. Shpërblimi që marrin çdo muaj mjekët jepen nga të ardhurat dytësore të që mbledhin poliklinikat. Ndërsa shpërndarja e të ardhurave dytësore shpërndahet nga drejtoria poliklinikave, e cila vlerëson punën e mjekëve në bazë të kritereve të përcaktuara.
2 Dhjetor 2008