E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama shpall zyrtarisht kabinetin e ri të SHBA-ve

Ish-rivalja Hillari Klinton emërohet sekretare Shteti. Sekretari aktual i Mbrojtjes, Gejts, sërish në të njëjtin post

Blerina Olldashi

Presidenti i sapozgjedhur amerikan, Barak Obama, ka emëruar zyrtarisht ish-rivalen Hillari Klinton në postin e sekretares së Shtetit.
Gjatë një konference shtypi në Çikago, ai shpalli përbërjen e ekipit të tij të sigurisë kombëtare dhe e përshkroi senatoren Klinton si një amerikane me vlera të mëdha. Zonja Klinton do të japë dorëheqjen nga senati për të drejtuar politikën e Jashtme amerikane, që do të jetë kapitulli më i fundit i karrierës së saj publike. Ndërkohë, ai i kërkoi sekretarit aktual të Mbrojtjes, Robert Gejts, që të vazhdojë në këtë post. Zoti Obama tha se sfidat në fushën e sigurisë, me të cilat ballafaqohen Shtetet e Bashkuara, janë po aq të mëdha sa ato që kanë të bëjnë me krizën financiare. Presidenti i ri po ashtu ka emëruar Susan Rajs, këshilltaren e tij për Politikën e Jashtme, si ambasadoren e re të SHBA-ve në OKB. Ish-gjenerali i marinsave Xhim Xhons do të jetë kreu i ri i Këshillit për Sigurinë Kombëtare, ndërsa një grua italo-amerikane, guvernatorja e Arizonës, Xhenet Napolitano, do të jetë në krye të Ministrisë së Sigurisë së Brendshme. Ministri i ri i Drejtësisë do të jetë avokati dhe ish-funksionari i lartë i administratës Klinton, Erik Holder. Zoti Obama e fillon punën si president i SHBA-ve më 20 janar të vitit të ardhshëm.
Që prej fillimit të garës së tij presidenciale, zoti Obama përsëriti se pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003 ishte i gabuar. Kështu disave mund t’u duket çudi që senatorja e Nju- Jorkut Hillari Klinton do të ishte zgjedhja e tij për postin e sekretares së Shtetit. Zonja Klinton votoi pro luftës dhe e mbrojti vazhdimisht votën e saj për luftën në Irak gjatë garës demokrate për emërimin për kandidat presidencial. Ndërsa Robert Gejts do të vazhdojë të jetë në krye të Departamentit të Mbrojtjes pasi ka shërbyer në këtë post në administratën e presidentit Bush gjatë dy vjetëve të fundit. Zoti Gejts mbikëqyri vitin e kaluar shtimin e trupave amerikane në Irak, i cili u kundërshtua nga zoti Obama. Ashtu si edhe presidenti Bush, zoti Gejts ka paralajmëruar për rrezikun e një tërheqjeje të parakohshme të trupave amerikane nga Iraku edhe pse marrëveshja e porsafirmosur irako-amerikane ka vendosur vitin 2011 si afatin përfundimtar për praninë e trupave luftarake amerikane në Irak.

2 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›