Karteli i zi
Fatos Çoçoli
Çmimi i naftës regjistroi dje në tregjet ndërkombëtare 52. 5 dollarë për një fuçi. Që do të thotë një ulje prej rreth gjysmën në krahasim me tre muaj më parë, kur nafta ishte në një nivel rekord prej 100 dollarësh fuçia. Ari i zi është në pikiatë, pas shpërthimit të krizës financiare botërore. Kina dhe India, të goditura nga kjo flamë, kanë ulur ndjeshëm kërkesën e tyre për naftë. Po kështu, janë sjellë edhe SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania e me radhë të gjitha vendet e industrializuara të globit. Analistët e tregjeve gjykojnë se do pak kohë që nafta të arrijë çmimin 50 dollarë fuçia, ose gjysmën e pak kohëve më parë. Kjo ulje spektakolare është ndier kudo. Në të gjitha vendet e botës, çmimi i naftës ka nisur të pakësohet në përputhje me rënien e fortë të saj në tregjet ndërkombëtare. Në Itali nafta është ulur 38 për qind, në Francë po ashtu, në Gjermani 42 për qind. Edhe në Maqedoni dhe Mal të Zi nafta është ulur me mbi 30 për qind. Vetëm te ne tregu i ka veshët e shurdhër dhe sytë qorr. Operatorët e tij(tregtarët me shumicë e pakicë të karburanteve) të nxjerrin me qindra qarje e justifikime për ditët e sotme, po t’i pyesësh. Akcizë e lartë, kosto transporti, ndërprerje energjie elektrike, etj. Por asnjë prej tyre nuk është në gjendje të përgjigjet se përse kur depozitat e naftës janë 2-3 javore, pas tre muajsh çmimi i naftës në tregun tonë nuk ulet me ritmin e sasisë së re të importuar, por ngrenë supet, si të ishin engjëj të pafajshëm. Rezultati i kësaj “mosdijeje” është se nga një mijë e pesëqind lekë të vjetra litri në kohën e çmimit rekord, nafta në Shqipëri është ulur vetëm me dyqind lekë deri sot. Ose ndryshe, katërmbëdhjetë për qind rënie. Po të gjykojmë ritmin e uljes së shteteve fqinje (të cilat, njësoj si dhe ne, e importojnë shumicën dërrmuese të naftës), i binte që çmimi i naftës të ulej dhe tek ne nga një mijë e pesëqind, në të paktën 900 lekë të vjetra për litër. Situata në treg është ndryshe: një litër naftë shitet për 1300 lekë për litër. Kjo dëshmon se tregu i naftës në Shqipëri ka trajtën e një karteli(të zi). Çmimi i sotëm i naftës është rrjedhojë e një marrëveshjeje të fshehtë midis firmave oligopoliste që kontrollojnë tregun. Ato lehtësohen nga një kontroll sipërfaqësor i organizmave tanë fiskalë, si dhe shumë fije të qeverisjes të lidhura me interesat e bosëve të shumicës në tregtinë e karburantit(me fjalë të tjera: ”T’i lëmë këta bosë të qetë në lojën e tyre, se konsumatorët tanë do të vazhdojnë gjumin e dimrit!”). Rezultati është një abuzim e vjedhje masive ndaj mbi 400 mijë pronarëve të automjeteve në Shqipëri. Me një shifër të frikshme parash. Kështu, nëse abuzimi llogaritet katërqind lekë të vjetra për litër në ditë dhe marrim një mesatare prej pesë litrash në ditë që konsumojnë dhe blejnë(ose dy milionë litra në nivel vendi), atëherë vjedhja është tetëqind milionë lekë të vjetra në ditë. Ose rreth 640 mijë euro në ditë. Që bëjnë 19 milionë euro në muaj! Kjo përbën humbje të pastër të parave të qytetarëve të këtij vendi, ose vjedhje në dritë të diellit nga ana e kartelit të zi. Kjo vjedhje/ lojë është e vjetër, ndoshta 18-vjeçare dhe vijon me qetësi e siguri të kryhet. Gjatë 18 viteve, nafta është ulur të paktën 25 herë dhe po aq herë konsumatori shqiptar është abuzuar e vjedhur. Askush nuk e ndalon këtë lojë. Në fillim nuk dinim. Ndërsa tani zëri i atyre pak shoqatave jofitimprurëse që denoncojnë abuzime në treg duket i largët, i mpakët, fillikat. Nuk i përkrah njeri. Biznesi jo e jo. Qeveria bën indiferenten. Ky zë nuk ka fuqi të shkundë vetëdijen tonë si konsumatorë, për të mos folur për ndërgjegjen apo përgjegjësinë qeveritare. Përbën mirëfilli një zë në shkretëtirë. E megjithatë, abuzimi është lehtësisht i dukshëm e i prekshëm, kur kujton se me sa vërtik bosët e arit të zi e rrisin çmimin sapo vihet re një ngritje në tregun ndërkombëtar. Tani që kemi një ulje të fortë në po këtë treg, askush nuk e vë ujët në zjarr për të kontrolluar dhe vënë para përgjegjësisë për mosulje normale çmimi bosët e kartelit. Ndoshta ata janë bërë të paprekshëm. Ose ndoshta ende ka shpresë. Mediat e pablera nga euronafta mund të ndihmojnë me denoncimet e tyre. Ndoshta dhe qeveria jonë zgjohet dhe përqendrohet në mbrojtjen e konsumatorit një ditë. Por kur? Para, apo pas zgjedhjeve?
2 Dhjetor 2008