Akuza: Të pushohen paditë e Bashës
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Për-gjithshme do të kërkojë pushimin e dy proceseve që po zhvillohen në Gjy-katën e Faktit dhe të Apelit në Tiranë, për Ministrin e Jashtëm Lulzim Basha. Organi i akuzës mësohet se do të kërkojë që dosja të unifikohet në Gjykatën e Lartë, në mënyrë që ky institucion të marrë në shqyrtim të gjitha pretendimet e ngritura për këtë çështje. Dosja penale "Durrës-Kukës", në të cilën ministri Basha akuzohet për "shpërdorim detyre" dhe "shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera", u dorëzua në Gjykatën e Lartë në kohën që dy padi të lidhura me të, janë ende në shqyrtim në Gjykatën e Faktit dhe Apelin e Tiranës. Në gjykatën e rrethit, avokati dhe vetë ministri Basha kanë paditur prokurorinë, duke kërkuar shpalljen si të pavlefshme të veprimeve që organi i akuzës ka kryer me dosjen pas datës 6 nëntor 2008. Bëhet fjalë për ngritjen e akuzave ndaj ish-ministrit të Transporteve dhe thirrjen e tij në cilësinë e të pandehurit në Prokurorinë e Përgjithshme, çka është kundërshtuar nga Basha dhe avokati i tij.
Paditë për
"Durrës-Kukës"
Por ndërsa Gjykata e Tiranës ende nuk është shprehur për këtë kërkesë, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë ankim në Gjykatën e Apelit për vendimin e Gjykatës së Tiranës, që më 18 nëntor 2008 ndërpreu hetimet e dosjes "Durrës-Kukës" duke theksuar se afati i fundit ishte 6 nëntori 2008, kohë kur Prokuroria nuk kishte konkluduar ende përfundimisht me këtë çështje. Për shkak se këto dy padi ndodhen ende në shqyrtim dhe bëjnë fjalë për dosjen penale, që ka si të pandehur ish-kreun e Ministrisë së Transporteve Lulzim Basha dhe ish-drejtorin Juridik në këtë dikaster Andi Toma, Prokuroria e Përgjithshme do të depozitojë të martën në Gjykatën e Lartë kërkesën që këto padi të shqyrtohen nga shkalla më e lartë e gjyqësorit, duke anashkaluar kështu Gjykatën e Tiranës dhe atë të Apelit. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, mësohet se organi i akuzës, ditën e martë do të paraqesë në Gjykatën e Lartë kërkesën për unifikimin e dosjes së Lulzim Bashës, në mënyrë që të gjitha kërkesat e palëve të bëra në gjykatat e tjera të pushohen për t'u gjykuar aty. Një kërkesë e tillë, sipas prokurorisë, bazohet në Kushtetutën e vendit si dhe në Kodin e Procedurës Penale. Gjykata e Lartë konsiderohet si shkalla më e lartë e gjyqësorit që ka të drejtë të shfuqizojë vendimet e dhëna nga Apeli apo Shkalla e Parë. Po kështu, Kodi i Procedurës Penale e ka përcaktuar Gjykatën e Lartë si të vetmin institucion që merr në shqyrtim dhe vendos lidhur me çështjet penale që kanë të bëjnë me persona me imunitet, siç është rasti i ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha.
Gjykata e Lartë
Të martën e kësaj jave pritet që Gjykata e Lartë të hedhë në short dosjen penale në të cilën akuzohet Ministri i Jashtëm Lulzim Basha dhe zyrtari tjetër Andi Toma. Pas kësaj procedure pritet që gjykata të caktojë trupin gjykues dhe datën e fillimit të procesit. Por para se të zhvillohet seanca e parë, prokuroria mësohet se do të kërkojë që në Gjykatën e Lartë të shqyrtohen edhe pretendimet e palëve për këtë çështje. Tre fashikuj të dosjes "Durrës-Kukës" si dhe raporti i ekspertëve kontabël për shkeljet financiare dhe dëmin ekonomik që i është shkaktuar shtetit me ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e rrugës Durrës-Kukës, u dorëzuan të premten në Gjykatën e Lartë. Vendimi për mbylljen e hetimeve dhe nisjen e dosjes për gjykim u ndërmor nga prokuroria në një kohë që dy padi të lidhura me këtë çështje ende nuk kanë marrë zgjidhje nga gjykatat, ndërsa afatet hetimore të procedimit penal ishin drejt limiteve të tyre.
Zyrtarët mohojnë akuzat për rrugën
TIRANE - Procesi në ngarkim të ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha dhe ish-drejtorit Juridik Andi Toma, pritet të jetë një betejë e ashpër ligjore mes vetë atyre dhe avokatëve me Prokurorinë. Gjatë gjithë fazës së hetimeve, akuzat e ngritura nga Prokuroria janë konsideruar nga të pandehurit fillimisht të pa bazuara apo tendencioze dhe së fundi edhe politike. Ndërkaq veprimet e prokurorisë për të shtyrë afatin hetimor të dosjes dhe ngritja e akuzave ndaj Ministrit të Jashtëm u bënë shkak për ndërhyrjen e avokatëve që iu drejtuan gjykatave, duke tentuar të nxjerrin jashtë loje vendimet e organit të akuzës. Prokuroria pohon nga ana tjetër se provat e mbledhura hedhin dritë në mënyrë të qartë mbi abuzimet e kryera nga të pandehurit, procedurat antiligjore që janë ndjekur dhe pasojën e tyre, një dëm ekonomik në vlerën e 232 milionë eurove në buxhetin e shtetit shqiptar. t.s
PD: Akuzat e Ramës trillime
Partia Demokratike reagoi dje ndaj akuzave të PS-së, për korrupsion në rrugën Durrës- Ku-kës. Në një deklaratë për mediat zëdhënësi i selisë blu, Gerti Bogdani tha se "Rama nxorri në tregun politik, nëpërmjet ish-trafikantit të vizave dhe qenieve njerëzore, zëdhënësit të tij Balla, shpifjen e radhës për korridorin e shqiptarëve. Ai akuzoi Kryeministrin e vendit dhe ish-Ministrin e Transporteve për shumën prej 320 milionë Eurove, për shkakun dhe tmerrin e tij të vetëm, se rruga po ecën me shpejtësi drejt përfundimit". Sipas tij "PD duke dënuar farsën e ulët të shpifjeve dhe trillimeve të Ramës dhe shpurës së tij, shpreh mbështetjen e plotë dhe totale për realizimin në kohë të këtij projekti të papërsëritshëm në historinë e vendit".
Balla: Bashës po i japin imunitet politik
Kryetari i Komisionit të Integrimit dhe Politikës së Jashtme në PSSH, Taulant Balla, në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se "Sali Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht Lulzim Bashën, sepse bashkë me të kanë vjedhur 230 milionë euro. Sali Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht sekserin serb, sepse bashkë me të dhe përmes tij ka vjedhur 50 milionë euro". Sipas tij, "Lulzim Basha sot nuk ka imunitet kushtetues, por atij i ofrohet imunitet politik nga Sali Berisha". "Kryeministri dhe Lulzim Basha duhet të mbrojnë 380 milionë euro vjedhje dhe për të larë këto para, po mundohen të përdorin patriotizmin si detergjent dhe sekserë serbë si lavatriçe. Më shumë se interesi për rrugën, për këta individë ka qenë etja për para. Me këtë shumë, Sali Berisha ia kalon edhe ish-Kryeministrit tailandez Taksin Shinawatra. Fundin do ta kenë të njëjtë", theksoi Balla.