Imami: Dhjetori ishte lëvizje e elitës
Robert Rakipllari
Një nga protagonistët kryesorë të Lëvizjes së Dhjetorit '90, Arben Imami shpjegon domethënien e asaj ngjarjeje 18 vjet më pas. Duke i analizuar ngjarjet, ai thotë se "ishte një lëvizje e mbështetur tek autoriteti moral i pjesës më të iluminuar të vendit, studentëve dhe profesorëve". Zoti Imami, 18 vjet pas Lëvizjes së Dhjetorit, që solli pluralizmin politik në Shqipëri, çfarë ndjesie keni për këtë datë. Tani mund të gjykoni edhe më ftohtë dhe keni më pak emocione?
Pas 18 vjetësh mund të themi, që vendi ka bërë hapa të mëdha përpara. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që në këto 18 vjet ka pasur shumë vuajtje, dilema, shumë humbje kohe dhe energjie, por pakkush do të mendonte para 18 vjetësh që Shqipëria në 2010 të jetë kandidate për në BE, të jetë anëtare në NATO dhe një vend që po fillon të normalizohet dhe t'i ngjajë sado pak vendeve të familjes ku ajo bën pjesë. Nga kjo pikëpamje unë them që Lëvizja e Dhjetorit është lëvizja kyç, është baza nga u nisëm për këtë ndryshim të madh. Sot kemi shumë më tepër liri, sot gëzojmë pronë private. Do të ishte shumë më mirë nëse do ta kishim zgjidhur siç duhet çështjen e pronës, por liria e pronës sot ekziston. Sot kemi liri të shprehjes. Mund të kishim një media më të mirë më serioze më të përgjegjshme, por nuk mund të themi që na mungon liria e shprehjes. Sot kemi liri të lëvizjes. Do të ishte mirë që të hynim e dilnim në Evropë lirshëm, por edhe kjo shumë shpejt do të realizohet. Ky nuk është një kuadër rozë, por një kuadër optimist dhe një vlerësim, i cili më duket pozitiv. Në themel të kësaj gjendje ku ndodhet sot Shqipëria, hapi i parë është ndryshimi i madh politik, që solli Lëvizja e Dhjetorit 1990.
Po të ktheheshit edhe njëherë në atë kohë, ju si protagonist kryesor i atyre ngjarjeve, mendoni se mund të bëhej diçka më mirë?
Njeriu e gjen rolin e tij nganjëherë në jetë, rastësisht por e gjen. Ato kanë qenë ditë brilante, besoj se është realizuar në mënyrë maksimale qëllimi i tyre. Qëllimi i parë ishte të shpëtohej lëvizja studentore nga çdolloj banaliteti nga njëra anë, si kërkesat thjesht ekonomike, apo çdolloj ekstremiteti nga ana tjetër, që nuk do të lejonte një zgjidhje paqësore. Ishte një lëvizje, e cila u zgjerua, sensibilizoi qytetin e Tiranës, vendin dhe krijoi një aleancë të gjerë të qytetarëve kundër pushtetit komunist. Çka detyroi që pushteti komunist të toleronte, të bënte lëshimet e duhura kundrejt Lëvizjes. Kruciale ishte që lëvizja kishte një kërkesë politike të patjetërsueshme, që ishte pluralizmi politik. Hapi i dytë, i cili për mendimin tim u krye në perfeksion ishte se përkundrejt të gjitha sulmeve, intrigave, sigurimsave, interesave të vogla, të cilët do të donin të kishte një lëvizje antikomuniste të fragmentarizuar në shumë parti, ne arritëm që nga Lëvizja e Dhjetorit, një lëvizje e iluminuar e kombit shqiptar, të arrijmë në një parti antikomuniste të vetme, që do të përfaqësonte të gjitha interesat antikomuniste brenda për brenda saj, gjë që edhe u vërtetua. Në fakt, duke pasur një parti të vetme të madhe demokratike, ka qenë shumë më mirë për proceset brendapërbrenda vendit se sa fjala vjen rasti rumun ku nga fragmentarizmi i të djathtës, pozita dhe opozita kane qenë komunistët dhe socialdemokratët. Parë nga kjo pikëpamje efecienca ka qenë maksimale. Elementi i tretë i rëndësishëm është që lëvizja arriti jo vetëm t'i shpëtojë, por edhe të mos bëjë provokime të panevojshme, të cilat nuk do të lejonin arritjen e këtij qëllimi të madh, të pluralizmit politik dhe krijimit të një partie antikomuniste që brenda pak muajsh do të bëhej shprehje e interesave të gjera të shqiptarëve.
Ka ekzistuar një lloj opinioni, kryesisht nga e majta që regjimi kishte rënë dhe Lëvizja e Dhjetorit ishte thjesht një artificë për ta mbyllur atë histori dhe për të nisur një të re nisur edhe nga fakti që ne ishim të fundit në Evropën Lindore që rrëzuam komunizmin. Cili është opinioni juaj?
Ky nuk është vetëm mendim i së majtës. Ky është edhe i një ekstremi që thotë se Lëvizja e Dhjetorit ishte e aranzhuar, sepse i kishte ardhur fundi i komunizmit. Asnjë regjim nuk ndërrohet po nuk i erdhi fundi. Por askush nuk e di kur vjen fundi, sepse në histori nuk jemi në fizikë, që pas gradës 98 vjen grada 99 dhe uji kthehet në avull. Ne në histori nuk e dimë të pritshmen, mund ta mendojmë dhe të luftojmë për të. Kush mund të mendonte se Kuba do të rezistonte 20 vjet? Apo kush e dinte që Kina nuk ishte e dobët dhe do ta kapërcente Tienan menin dhe qindra a më shumë të vrarë? Askush nuk e dinte që në dhjetor do të përfundonte regjimi. Që regjimi në dhjetor '90 ishte më i dobët se në dhjetor '44, kjo është e qartë; por të gjithë këta trima, po ta dinin që regjimi do të binte, do të ishin atje. Ata nuk e dinin. Prandaj dolën ata që morën kurajën për ta bërë ndryshimin. Përsa i përket të majtëve që e thonë këtë gjë: ata e njohin më mirë çështjen brenda për brenda tyre, se sa e dobët ishte Partia Komuniste. Por askush nga ne nuk e dinte që kishte vetëm 6 milion dollarë rezerva, nëse pushteti komunist do të kishte pasur 6 miliardë dollarë, ata djem e vajza që i prinë ndryshimit do të kishin pasur fund tjetër. Ne nuk e dimë asnjëherë historinë që vjen. Për më tepër ishim qytetarë që kishim shumë pak informacion dhe nuk u nisëm thjesht prej tij; u nisëm nga vlerat, principet. Kur studentët shpërthyen, ata dolën se nuk mund të duronin më dhe ishin të gatshëm të bënin çdo sakrificë dhe për këtë janë një monument i madh i këtij kombi. Unë nuk po përpiqem t'i heroizoj ata, por edhe çdo përpjekje për t'i deheroizuar pa arsye dhe për ta banalizuar historinë në vend që ta shpjegojmë këtë, nuk çon gjëkund.
Dakord, por ju nuk mund të mohoni që ka pasur një kontekst rajonal. Shqipëria nuk mund të qëndronte i vetmi vend komunist në Evropë në vitin 1990 apo jo?
Sigurisht ka pasur analiza p.sh., e kam pasur të qartë shumë vite përpara se Shqipëria nuk do të shkëputej e vetme nga komunizmi. Kur në 1989 shpërtheu vala e madhe e ndryshimeve ishte e qartë që bënim pjesë në këtë pjesë të botës dhe nuk do të mund t'i shmangeshim pafund asaj. Por kush e njeh komunizmin shqiptar e di mirë se ishte një komunizëm i ashpër, nga më gjakatarët e Evropës. Ishin një grup injorantësh në krye të vendit dhe askush nuk mund të dinte reagimin e tyre. Sot kur kemi studiuar politikën shohim se çfarë mjetesh kishte pala tjetër çfarë mjetesh kishim ne, si do të mund të vepronte njëra palë e si pala tjetër. Kurse në atë kohë kishte një perde mes dy palëve dhe ne nuk e njihnim njeri tjetrin. Ata kujtonin se populli ishte i brumosur me veprat e partisë së Hoxhës, por kishte njerëz që 50 vjet nuk i kishin lexuar njëherë. Kurse ne njihnim mediokritetin e tyre, por jo pasigurinë, dobësitë e tyre. Shumëkush kuptoi se ai regjim do të ketë një fund kur pamë të vrarë Çausheskun. Shumëkush kuptoi që në mos me të mirë, me të keq ky regjim mund të largohej. Në kundërvënien ndaj tij jemi nisur me mendimin se nuk mund të përjashtohet edhe ekstremi. Por u munduam të mos shkonte deri aty, nuk do t'i vlente vendit. Kjo është një nga vlerat e mëdha të PD-së, e cila nga dhjetori deri në mars, por edhe pas 2 prillit bëri përpjekje maksimale për të mos i hedhur benzinë zjarrit. Një nga komponentët themelorë politikë të partisë sonë ishte që vendi të mos shkonte deri në përplasje. Sot mund të thuhet se edhe pala tjetër u kujdes për këtë. Nuk po shpjegoj cilat janë arsyet e Alisë, kjo nuk e pastron figurën e tij si anëtar aktiv i bandës kriminale qeverisëse. Por dobësia dhe pamundësia e një zgjidhjeje m-l, pra me likuidim siç do të thoshte gjeneral Hoxha, e detyruan ta jepte pushtetin pjesë-pjesë. Ne u përpoqëm të arrinim qëllimet maksimale, pluralizmin, zgjedhjet pluraliste dhe ndërrimin e pushtetit. Kjo ishte një politikë inteligjente dhe e moralshme.
Dua të theksoj se, siç folëm për 1989 që ishte prelud i ngjarjeve të Dhjetorit ka edhe ngjarje të rëndësishme brenda Shqipërisë që e bënë të mundur atë. Kam parasysh të ashtuquajturën 26/18 në Tiranë, ngjarjet e Shkodrës në janar, ngjarjet e Kavajës, që të dy qytete me frymëzim të thekur antikomunistë. Ato ngjarje na përcollën se ndjenjat tona antikomuniste nuk ishin të veçuara në bulevardin qendror të Tiranës, por ishin në të njëjtën gjatësi vale me ndjenjat e qytetarit të Shkodrës, Kavajës, Kuçovës, etj. Mandej kriza e ambasadave.
Një lëvizje që ndryshon rendin është një lëvizje e pjesëve më të iluminuara të shoqërisë, të cilat nuk kanë pushtet por kanë autoritet moral, prandaj dhe nuk u kundërvihesh dot. Në një qeverisje diktatoriale, pala tjetër që kundërvihet duhet të ketë fuqi, dhe kjo fuqi ose është autoritet moral ose fuqi armësh. Kjo nuk ishte një lëvizje e armatosur që fillon nga periferia e shkon drejt qendrës. Kjo ishte një lëvizje e mbështetur te autoriteti moral i pjesës më të iluminuar të vendit, studentëve dhe profesorëve, pra pjesës - siç edhe rezultoi - më pak të indoktrinuar dhe më autonome e inteligjencës shqiptare në kushtet e atij regjimi. Prandaj Lëvizja e Dhjetorit, fitorja e pluralizmit kundër monizmit komunist, është një nga ngjarjet më të shënuara të historisë sonë moderne.
Megjithëse jeni 18 vjet më pas, ne nuk kemi bërë një ndarje të qartë nga regjimi, ende nuk kemi hapur dosjet edhe pse kërkohet nga Këshilli i Evropës. Mund të jepni një gjykim?
Vërtet, Shqipëria nuk e bëri ndarjen e duhur nga diktatura. Së pari, për arsye se Partia Komuniste nuk u shkri. Është i vetmi vend ku nuk u shkri. Nga PP-ja u kalua te Partia Socialiste; PS-ja e sotme është e themeluar më 8 nëntor 1941 nga Hoxha a dikush tjetër. Por në këtë parti, më e madhja e së majtës të paktën deri tani, janë investuar interesa të mëdha të vendit, që janë të lidhura edhe me të ardhmen e demokracisë dhe kapitalizmit. Jemi në një paradoks historik, Partia e Enver Hoxhës sot përpiqet të kontribuojë për demokracinë dhe kapitalizmin. Kjo diskrepanci nuk mund të kalojë dhe nuk kalon pa pasoja. Së dyti, çështja e dosjeve. Në shtator të '91 kam paraqitur një kërkesë për hapjen e dosjeve. Kam qenë dhe jam për hapjen e dosjeve si një pastrim moral i shoqërisë; do ta kishte pastruar edhe politikën. Pra nuk u lejua një pastrim moral të shoqërisë, katharsis aristotelian, i cili kryhet nëpërmjet shfaqjes tragjike të fajit.
Më falni që po ju ndërhyj, por këtu ka një perceptim tjetër që shumë personazhe të jetës politike në Shqipëri thuhet që komandohen për shkak të kësaj çështjeje. Ju e besoni këtë lloj paranoje?
Zgjatimet e sigurimit të shtetit kontrollojnë akoma pjesërisht. Unë e besoj. Por shumë njerëz të pafajshëm akuzohen kot. Më në fund historia me dosje, kështu a ashtu, duhet të mbyllet përfundimisht. Parlamenti duhet të marrë ose vendimin që ta hapë përfundimisht - unë jam për këtë - ose ta mbyllë përfundimisht dhe të mbarojë shantazhi. Nëse nuk bëjmë dot pastrim moral të paktën ta mbyllim këtë çështje dhe ta lëmë mënjanë si një turp të së kaluarës. Së treti, ne nuk jemi ndarë akoma me komunizmin për shkak të çështjes së pronës. Ne vërtetë e kemi njohur pronën, kemi lirinë e iniciativës etj. Por sistemi ynë legal nuk arriti që përfundimit ta çlirojë pronën nga zgjatimet e sistemit komunist. Këto janë tre dështime, jo të vogla.
18 vjet më pas, karriera juaj ka pasur ulje-ngritje, tani jeni në postin e shefit të kabinetit të Kryeministrit. Mendoni se ju ka penalizuar fakti, që keni qenë në krye të kësaj lëvizje, apo nuk ka lidhje me të, apo jeni favorizuar?
Emri "shef' nuk më pëlqen, së bashku me kulturën e shefit, prandaj më drejt "drejtor". Nuk kam qenë ndonjëherë i favorizuar, të them të drejtën. Gjithsesi, do të doja që vlerësimi të bëhet së pari mbi bazën e aftësisë dhe jo meritës. Unë nuk e kam parë ndonjëherë karrierën time si lart e poshtë. Jam udhëhequr nga disa principe e qëllime, që jam përpjekur t'i realizoj. Nuk kam qenë per forza në ndonjë vend të caktuar, kam qenë sepse kam dashur. "Ulje-ngritjet" nuk janë të lidhura me aftësitë e mia, por me çmimin e pavarësisë dhe veprimit sipas koshiencës sime morale dhe bindjeve politike.
Dhjetor 1990, tri ditët që përmbysën 45 vjet frikë
Ferdinand Dervishi
Tetëmbëdhjetë vite më pas, të parat që nuk mbahen mend janë datat. Por duke gjykuar se për shqiptarët koha nuk mund të zbehë thelbin e perceptimit për ngjarjet e dhjetorit 1990 dhe as t’u ndryshojë qëndrimin përballë asaj që ndodhi, po guxoj të shkruaj pa futur veten në paragjykime dhe mundime të llojit “si do të komentohet”. Fillimi i dhjetorit 1990 më gjeti student të vitit të fundit në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Ishin ditë kur studentët u vendosën në qendër të vëmendjes së funksionarëve më të lartë të shtetit. Duket ndjenja e frikës se e keqja, apo ndryshimi i madh, mund të vinte pikërisht prej studentëve, kishte nisur të bënte të vetën. Kryeministri Adil Çarçani u pa të inspektonte kaldajën e re që ende nuk ishte vënë në punë në Qytetin Studenti. Të tjerë funksionarë të lartë të partisë – shtet nisën të ngjisnin kodrën dhe të futeshin nëpër dhomat duke organizuar biseda me grupe studentësh, mes të cilëve kishin së paku një të njohur. Seç sajonin ca histori, sipas të cilave, ishin serbët ata që na donin të keqen, që na fusnin fitilat vetëm me qëllim që Shqipëria të mos ishte kompakte, të mos kishte këllqe të ndihmonte Kosovën...
Pak muaj më parë, gjatë pushimeve verore, në Tiranë ishte regjistruar çarja e parë e madhe - sulmi në ambasadat e huaja. Vetëm një apo dy nga fakulteti Filologjik u futën brenda rrethimit të tyre, të tjerët ose ishin larg, në rrethe, ose nuk e ndjenin ende erën e nisur që po shpërthente vendet e lindjes komuniste.
Në ato ditë të errëta e të ftohta pati edhe një tjetër lajm, sipas të cilit në qendër të Tiranës do të kishte një demonstratë kundër regjimit. Disa u avitën, por në sheshin “Skënderbej”, por aty, më shumë se popull, vunë re sigurimsa e policë.
Më tej pati një “natë ulërimash” në Qytetin Studenti. Nga mungesa e dritave në godina të ndryshme, dikush, diku nga godina e Gjeologji-Minierave - “urithëve” - si u thoshin të tjerët, apo ja kishin ngjitur vetes, filloi të ulërinte si ujk. Këtij ja mbajti ison një tjetër dhe kështu me radhë u krijua një kor i tillë.
8 dhjetor
Mbase një ditë më pas ishte data 8 dhjetor. Shumica absolute e godinave të Q. Studenti ishte pa drita. Ishte djegur një transformator. Mbase për shkak të mbingarkesës, pasi shumë studentë ngroheshin me furnela artizanale që harxhonin shumë energji.
“Sherri” filloi te godina 15 (tani e populluar me banorë), po aty ku, një vit më parë, kishte filluar manifestimi sportiv pas golit kualifikues të Kushtës në Beograd (Partizani i Beogradit – Flamurtari 2-1).
Parulla këtë radhë ishte “duam drita!” Rreth 30 studentë u nisën në këmbë dhe qëndruan para godinës 14, ku strehoheshin studentë të inxhinierisë së ndërtimit. Këtyre ju bë thirrje të bashkoheshin. Thirrja u mirëprit, madje për ata që hidheshin drejt e nga kafazi i shkallëve, mes katit të parë e të dytë, kishte edhe duartrokitje. Pak metra më tej, në një shesh të vogël, grumbulli prej 40-50 studentësh, ose më pak, ndalën para godinës 6 të Filologjikut, që atë ditë kishte drita. “Filoqyli nuk ka burra!”, ishte parulla që tentonte të fuste xixat. “Filoqyli ka burra vetëm për gra!”, ishte njëra prej kundërpërgjigjeve nga lart. Ishte bërë zakon që studentët e Histori-Filologjisë të nofkoheshin kështu, pasi mendohej se ata e kishin më të lehtë se të gjithë të tjerët për të marrë provimet. Gjithsesi një pjesë zbritën dhe u bashkuan. Kështu, pas bashkimit edhe të një numri studentësh nga godinat 4 e 5, grumbulli prej rreth 50-60 vetësh u nis për drejtim të rrugës dalëse diagonale të Qytetit Studenti për në qendër të kryeqytetit. Tani aty është kafe “Roma”. Ishte ora rreth 21:00 e datës 8 dhjetor 1990, apo pak minuta më herët. Aty prisnin dy kordonë policë që kishin bllokuar të dyja drejtimet për në qytet. Studentët u afruan duke hedhur në kor parrulla për dritat që mungonin, apo edhe të tjera të ngjashme, siç ishte ngrohja. Dikur nga pas policëve u shfaq edhe Hekuran Isai, Ministri i Brendshëm. Me grumbullin u bashkuan edhe ca pak vajza studente. Të gjithë konviktorë, pra të ardhur nga rrethet. Në një moment, një vajzë e vogël, krejt e shpenguar, hapi dritën e një ballkoni në katin e dytë të pallatit pas kordonit të policëve dhe studentët që u ndriçuan, pra u bënë të identifikueshëm, i bërtitën ta fikte. Vajza duke bërë sërish një veprim çapkën, të shpenguar, e fiku.
Dalëngadalë parullat filluan të zëvendësoheshin. “Poshtë Qeveria!”. Rreth një ore apo diçka më tepër më pas, policët morën urdhër që studentët të goditeshin. Natyrisht që radhët u shpartalluan në sekondë, por fatmirësisht, mbase për shkak të një tjetër urdhri, policët nuk u futën në Qytetin Studenti. Studentët, një pjesë të rrahur, por edhe shumë të acaruar, u mblodhën sërish në atë që më pas mori emrin “Sheshi Demokracia” dhe, këtë radhë pa asnjë lloj frike, shanë sa mundën qeverinë.
9 dhjetor
Të nesërmen në mëngjes, më 9 dhjetor, në Qytetin Studenti nuk ishte larguar aspak hija e asaj që kishte ndodhur. Në krahun e djathtë të sheshit para “Mensës 7” ishte një grumbull prej jo më shumë se 10 djemsh, më të mëdhenj në moshë, duket për shkak se i kishin filluar studimet pas një përvoje në punë. Ishte mes tyre dhe Azem Hajdari, identitetin e të cilit do e mësonim që të gjithë rreth një orë më pas, kur policia bllokoi studentët pranë Liceut Artistik. Vendqëndrimi, apo vendgrumbullimi i tyre ishte lehtësisht i kuptueshëm. Ajo pikë para mensës ishte rruga më e mundshme nga ku shumica e studentëve meshkuj duhet të kalonin për të shkuar në fakultete. Një miku im, P. Veliu, nga Dibra më thotë i ngrysur: “Një nga vajzat që u rrah dje nga policia, ka vdekur në spital. Sot do të protestojmë”. Kohë më pas u kuptua se ky ishte një truk i përdorur me sukses. Madje u krahasua me trukun në televizionin kombëtar rumun për të përbaltur Çausheskun ditën e përmbysjes dhe ekzekutimit të tij. Gjithsesi hija e atyre 10 djemve që rrinin të ngrysur, një pjesë duke tymosur duhan, ishte vërtet e rëndë. Sikur të ishin para kalimit të vijës së turpit, pothuaj shumica e djemve që mbaronin së ngrëni mëngjesin, qëndruan te “postblloku”.
Pasi u bënë rreth 50-60, dikush, mbase vetë Azemi, u nis në krye të tyre dhe u ngjit sipër duke dalë mes godinave 7 dhe 8 të vajzave, për të bashkuar me grumbullin pjesën femërore, por edhe djem të tjerë pasi vargani kaloi në rrugicën mes godinave 6 dhe 13 dhe 5 e 14. Më tej vargu u var teposhtë për të dalë në rrugën e “Elbasanit”. Ata të kursit i gjeta në oborrin e Filologjikut. Agim Fona, një nga pedagogët më të qartë në mendimet e atyre kohërave, i kishte përzënë nga mësimi duke i telendisur: “S’keni turp, shkoni dhe bashkohuni me shokët!” Erdhën të gjithë, vajza e djem.
Karvani i gjatë disa qindra metra u bllokua me dy kordone policie në hapësirën mes Liceut Artistik dhe ish-muzeut Lenin - Stalin. Aty filluan tratativat për shpërndarje. Që të gjitha rrugicat anësore u bllokuan. Në anën e majtë, të gjithë fiksuan një grumbull policësh, drejtuesi i të cilëve një trupmadh me mustaqe tundte shkopin e gomës me një pamje të fytyrës ku lexohej padurimi për të nisur “festën”.
Në anën tjetër, të qetësonin studentët erdhën ish-Ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi dhe Lisjen Bashkurti, Sekretari i Rinisë, pra duhet të ketë qenë kreu i strukturës së rinisë së Partisë së Punës. Thirrjeve të këtij për shpërndarje në qetësi ju përgjigj studenti, - ishte momenti kur shumëkush e mësoi - Azem Hajdari: “Lisjen iku koha kur të rinjtë shqiptarë të përfaqësohen në Kuvend me një bari të dalluar!”. Kaq tha Azemi dhe më tej nuk qullosi dot një fjali të dytë. Në fakt në ato kohëra askush nuk dinte të fliste gjatë. Një xham i vogël u thye në dritaren e katit të dytë të Liceut, pas të cilit ata të Sigurimit po filmonin me një mikrokamera. Një incident i tillë do të përdorej nga kreu i Partisë së Punës, Ramiz Alia, si argument për të justifikuar dhunën që pasoi. Mikrokamerës studentët i kthyen çadrat - atë ditë vesonte - nga frika se fytyrat e tyre do fiksoheshin dhe më pas do viheshin në shënjestër të persekutimit. Natyrisht që parullat ishin shqeto politike.
Dikur vë re një pështjellim. Azemi dhe nja tre-katër të tjerë, mes të cilëve Arben Lika dhe një vlonjat simpatik, u tërhoqën nga radha e parë dhe u futën në mes të grumbullit. Dëgjuam: “Çuna i japim një të shtyrë. Mos kini frikë. Unë jam Azem Hajdari. Po ndodhi gjë, unë e pësoj i pari”. Azemi lëvizi dhe u foli pothuaj të gjithëve në këtë mënyrë.
Grumbulli i studentëve u ngjesh edhe më, pas presionit të krijuar nga shtyrja drejt policëve specialë me skafandra dhe shkopinj gome. 3-4 sekonda të shkuara dhe rreshti i parë i tyre u shpërthye. Një çast më pas, policët u urdhëruan të vepronin. Kërcitën shkopinjtë e gomës.
Në mes të studentëve ishin edhe disa sigurimsa që kohët e fundit ishin “atashuar” pranë godinave të studentëve. Ai i godinës 6 ishte një burrë simpatik dhe i qeshur. Ishte edhe ai në mes të turmës. E dëgjuam të thoshte: “Po fundja i japim një të shtyrë njëherë e mirë policëve!” Më tej u pa duke rendur bashkë me studentët për t’i shpëtuar shkopinjve prej gome. Ky lloj fabrikimi ishte vendosur nga një për çdo godinë djemsh si biçim “instruktori për kohën e lirë të studentëve”. Atë ditë dhe më pas të gjithë e patën me shumë pikëpyetje rolin e tyre.
Policët, edhe pse i kishin rrethuar nga para e nga pas, kishin lënë gjithsesi një mundësi largimi për studentët. Më pas u pohua se ata kishin një urdhër që studentët t’i shpërndanin para se të fillonte një ndeshje futbolli në “Qemal Stafa”, pra ishte frika e bashkimit të tifozëve me studentët. Ndërkohë që përballë, atje ku ka qenë posta numër 1 dhe ku tashmë është një filial i një banke, ishte bllokuar nga policia një numër që nuk mund të llogaritej banorësh të Tiranës.
Pas shkopinjve të parë të gomës, studentët shfrytëzuan për t’u larguar një sipërfaqe boshe mes ish-ambasadës italiane (tani amerikane) dhe ish-muzeut Lenin-Stalin (tani rezidencë italiane).
Aty kaluam të gjithë. Kishte nga ata që thoshin të ktheheshim e të përballeshim, por kuptohet që këtë e artikulonin duke vrapuar.
Vetëm në Qytetin Studenti u ndal fryma. Përsëri policët nuk u futën në qytezë. Gjithsesi në afërsi të tij në adresë të tyre fluturuan me shumicë, si të ishin zogj, ca tulla të kuqe.
“Nuk ishit më shumë se 700 vetë”, këmbëngulte dikush më pas. “Pashë vendin ku qëndronit pas largimit tuaj. Ishte i thatë, pasi nuk ishte lagur nga vesa e shiut që ra. Nuk duhet të keni qenë më shumë se 700…”, këmbëngulte.
Atë ditë studentët ishit të ngrehur për të bërë sherr me të gjithë. Madje kuzhinieret në mensa, atyre që kishim pantallonat të lagura - fusha pranë ish-Ambasadës Italiane ishte e mbushur me pellgje - u shërbyen ose me shumë frikë, ose me shumë mirënjohje.
Ah, Zeneli. Neza, ai që u shpëtua nga Zoti kur u vra Azemi dhe shoqëruesi tjetër. U qa se kishte ngrënë ca shkopinj të fortë në shpinë duke tentuar të nxirrte nga thonjtë e një polici një studente.
Fitorja
Përsëri “mbledhje” te sheshi para mensave 7. Bëhet një listë firmash, një lloj peticioni, mbase i pari i këtij lloji prej shumë dekadash. Zeneli e hedh tijën pa u menduar fare: “Më tregoni ku duhet të firmos…”. Ne të tjerët u bëmë keq nga sedra dhe firmosëm të skuqur menjëherë pas tij.
Ngjarjet rrokulliseshin shpejt. Një përfaqësi studentësh (konviktorë) që tentuan të takonin Ramiz Alinë në darkë thanë se u rrahën nga policia.
Të nesërmen erdhën edhe tironsit. Në fakt konviktorët shkonin keq me tironsit. I konsideronin qullacë e djem mamash, kurse ata përkundër i quanin (jo me zë të lartë) të pagdhendur e fshatarë. Ishte koha kur mund të kërceje si kokoshi në majë të gardhit për të përfituar. Më radhë u panë djali i një përkthyesi të njohur dhe nja dy të tjerë, që më pas e shijuan jetën si këshilltarë e zëdhënësa ministrash. Në këto momente doli në dritë edhe Blendi Gonxhja. Një fenomen. Një njeri, sikur të kishte ardhur nga një tjetër botë, ku mësohej të lexohej e ardhmja. Ai dinte çdo gjë, lëvizte i lirshëm mes studentëve dhe gjithçka që nxirrte nga goja ishte çuditërisht e saktë dhe parashikuese në kohë.
Po atë ditë nisi edhe epoka e fjalimeve. Në atë që tashmë quhet sheshi “Demokracia”.
Pra ishte koha kur mjaftonte të merrje mikrofonin, të shaje komunizmin dhe pasi t’ia lije Azemit, të viheshe në krah të tij për të mos u larguar më. Pedagogu i parë që u bashkua me studentët ishte Arben Imami. Azemi i cyti: “S’po shohim asnjë pedagog të na mbështesë”. Arbeni u shkëput nga grumbulli dhe foli duke i qetësuar të gjithë se “pedagogët ishin me studentët”. Më tej, i dyti ishte një pedagog nja dhjetë vite më i madh se Arbeni, me një fytyrë simpatike e flokë kaçurrela, figura e të cilit nuk u pa më gjatë ditëve në vazhdim.
Një moment Azemi merr mikrofonin dhe thotë duke bërë një hyrje të gjatë, se aty pranë, mes studentëve ishte dhe mjeku e intelektuali i njohur, Sali Berisha, të cilin pa dëshirën e tij, e ftoi të merrte fjalën. Berisha u shkund nga vendi - ishte diku në grumbullin e vogël pas Azemit - me pamjen e një njeriu, që nuk e priste. Mori mikrofonin dhe filloi të fliste për rininë, vrullin e saj, por nuk u nxitua të shante regjimin komunist. Pas tij edhe një psikolog i moshuar, i vetmi i njohur deri në këtë periudhë përmes këtij profesioni, u bë fare bajat duke thurur lavde pa vlerë për rininë.
Atë pasdite u bë një listë me studentët që duhet të takoheshin me Ramiz Alinë. Erdhi një autobus “Saviem” që i mori në Qytetin Studenti në të ngrysur. Kur u kthyen, vendosën në qendrën e zërit të dëgjohej nga të gjithë biseda me Alinë me shpjegimin: “Të mësoni se si kemi mbrojtur kërkesat tuaja dhe të na gjykoni”. Para se shiriti i magnetofonit të nxirrte foninë e parë, foli edhe Gramoz Pashko. Sapo kishte mësuar për pranimin e pluripartizmit në Shqipëri - një vendim i Byrosë Politikë të Partisë së Punës - dhe ishte pothuaj i mallëngjyer. Shumë nga studentët për herë të parë dëgjuan një shprehje të tillë: “Pluralizmi është transparencë…” Pasi shqiptoi këtë frazë, Pashkos papritur iu ndërpre fjala nga fonia e incizimit të bisedës së Alisë me studentët. Ujku i vjetër i kishte çorganizuar paksa studentët, pasi e kishte marrë vetë fjalën i pari, duke ju komunikuar se pluripartizmi ishte pranuar.
Epilog
Pa u zgjatur më tepër, kjo është ajka e mbetur në mendjen time për gjithë ngjarjet e atyre tre ditëve të dhjetorit 1990, që përmbysën komunizmin në Shqipëri. Ngjarje që kalonin furishëm si një film bardhë e zi. Por edhe kohëra shumë të rrezikshme. Një mendje e nxehtë mund të kishte provokuar edhe ndonjë masakër të ngjashme më atë të studentëve kinezë. Dhe mendje të nxehta kishte me bollëk.
Të gjithë vinin nga një jetë e frikshme, ku askush nuk guxonte të ecte kundër rrymës. Kur duhet të kishte frikë edhe nga një barcoletë “anti” e rezervuar dhe mbrojtur për t’u përdorur me shumë kujdes në memorien tënde.
Pak vite më pas, më 1995, njoha një njeri që punonte për një OJQ shqiptaro – angleze, tip moderni, të cilit nuk i mungonte asgjë dhe bënte një jetë plot qejfe.
“Isha ushtar në Zallherr në kohën që ju studentët filluat protestat. Me mendjen time, natën mora pushkën me fishekë dhe zbrita në Tiranë e u drejtova për në Qytetin Studenti”, filloi të më rrëfente një moment. “-Përse?”, e pyeta. “-Që t’ju vrisja ju studentëve, të gjithëve”, më tha qetësisht.