E Diel, 1 Nëntor 2026

Balla: Abuzimi me rrugën, Berisha përfitoi 230 mln euro

Deputeti i PS-së, Taulant Balla, flet për abuzimet që i janë bërë rrugës Durrës-Kukës

TIRANË- Në një moment kur çështja “Basha” ka mbërritur në Gjykatën e Lartë, Partia Socialiste akuzon Kryeministrin Sali Berisha, se po mundohet të pengojë zbardhjen e aferave korruptive, për të cilat akuzohet ministri i tij. Kryetari i komisionit të integrimit në Asamblenë Socialiste, Taulant Balla, në emër të forcës që ai përfaqëson, ka deklaruar dje se dyshja, Berisha-Basha, si pasojë e abuzimeve me procedurat tenderuese në rrugën Rrëshen-Kalimash, kanë përfituar shumën prej 230 milionë eurosh. Është pikërisht kjo shumë, sipas Partisë Socialiste, që e detyron Kryeministrin Berisha që të mbrojë me çdo lloj mënyre ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, duke i dhënë atij edhe një mburojë politike. “Për arsye, thjeshtësisht financiare dhe personale, Sali Berisha po mundohet të bëjë presion, të kamuflojë politikisht dhe të përdorë zgjatimet e tij për të bllokuar hetimet, gjykimin dhe dënimin e bandës së tij. Sali Berisha po mundohet të mbrojë me çdo kusht Lulzim Bashën, sepse bashkë me të kanë vjedhur 230 milionë euro”, - tha deputeti socialist, Taulant Balla, në një dalje të posaçme për mediat. Duke iu referuar pikërisht vëzhgimeve të specializuara që kanë bërë institucionet e ndryshme shtetërore, si KLSH-ja apo Prokuroria për procedurat tenderuese dhe përdorimin e fondeve publike në ndërtimin e këtij aksi, Balla është shprehur se dëmi i evidentuar arrin shifra marramendëse. “Në bazë të shifrave tashmë të bëra publike nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga ekspertiza në kuadër të hetimeve të Prokurorisë, etj., rezulton se vetëm përmes dhe në bashkëpunim me të pandehurin Lulzim Basha, në një aks të vetëm rrugor, Sali Berisha ka përfituar 230 milionë euro”, - tha Balla. Por kjo, për PS-në, nuk është çështja e vetme në të cilën qeveritarët tanë kanë abuzuar me fondet publike, pasi deputeti Balla ka sjellë nëpërmjet medias në vëmendje të opinionit publik dhe një sërë rastesh të tjera, ku Kryeministri Berisha dhe të afërmit e tij janë implikuar në afera korruptive. Këtu ai ka sjellë rastin “Fazlliç”, i cili për socialistët është sekseri i interesave financiare të Kryeministrit Berisha. Është pikërisht kjo lidhje për PS-në shkaku që kreu i qeverisë e ka mbrojtur aq fort biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç edhe kur ndaj këtij të fundit Prokuroria preu fletarrest. “Nga tenderat e blerjes së energjisë elektrike, nga të cilat një pjesë e mirë janë kryer me sekserin serb, Fazllic, Sali Berisha ka përfituar 50 milionë euro, shifër kjo e konfirmuar nga vetë sekseri në fjalë”, - deklaroi Balla. Gjithashtu, sipas tij, kryeministri dhe familja e tij kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundraligjshme edhe nga disa rrugë të tjera, siç është shitja e pasurive shtetërore me një euro, nga biznesi i trafikut të armëve etj., nga të cilat PS-ja beson se janë përfituar afro 100 milionë euro të tjera. “Për të mbrojtur këta sekserë dhe hajdutë, Sali Berisha është i gatshëm dhe po i hap luftë çdo institucioni të pavarur dhe demokratik në këtë vend, qoftë Prokurorisë, Gjykatës apo Presidentit. Lulzim Basha sot nuk ka imunitet kushtetues, por atij i ofrohet imunitet politik nga Sali Berisha. Me këto shuma, Sali Berisha ia kalon edhe ish-Kryeministrit tailandez, Taksin Shinawatra. Fundin do ta kenë të njëjtë”, - u shpreh Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›