E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Mirëqenia ekonomike, në rënie

TIRANË- Pas më shumë se tre vjet qeverisjeje të djathtë, ekonomia në vend është tepër larg entuziazmit dhe premtimeve të Kryeministrit Sali Berisha. Në këtë përfundim ka arritur Partia Socialiste, pasi ka analizuar të gjithë treguesit që ofrojnë institucione serioze financiare vendase dhe kombëtare. Kështu, duke iu referuar të dhënave që jep Banka qendrore në vend, nënsekretari për Programin Politik në Partinë Socialiste, Ervin Bushati, ka deklaruar se mirëqenia e shqiptarëve ka pësuar rënie dhe kjo, sipas tij, për shkak të politikave të gabuara të ndjekura nga kjo qeveri. “Banka e Shqipërisë raporton një tkurrje të ndjeshme të ekonomisë dhe të mirëqenies së popullatës në vend, në deklaratën e fundit për zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë. Dërgesat e emigrantëve nga jashtë, në ndihmë të familjeve të tyre, kanë një rënie të fortë prej 13%, ndërkohë që investimet e huaja janë pothuajse të ndaluara”, - tha Bushati. Por ajo që është më me interes në këtë drejtim, është rreziku që i vjen ekonomisë së shqiptarëve si pasojë e përkeqësimit të këtyre treguesve. “Kontributi që japin këto faktorë jetikë të ekonomisë, në mirëqenien e qytetarëve, vështirëson parashikimet optimiste për një jetë më të mirë në vend. Vetëm këta dy sektorë në këtë gjendje që paraqiten dhe në bazë të peshës që mbajnë, mund të ndikojnë në një rënie prej 2% të ekonomisë shqiptare”, - tha Bushati, duke i bërë thirrje qeverisë që të parashtrojë dhe të ushtrojë një plan të detajuar masash, për të parandaluar krizën ekonomike në zhvillim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›