E Diel, 1 Nëntor 2026

Opera "Mrika", rikthim në skenë

 

Pjesët më të bukura të operës së parë shqiptare "Mrika" u shfaqën mbrëmjen e së premtes për rreth dy orë në teatrin "Migjeni" në Shkodër. Një koncert i veçantë që mblodhi në sallën e teatrit 'Migjeni' të Shkodrës njerëz të njohur të artit dhe kulturës. Koncerti mbylli javën e aktiviteteve kushtuar përvjetorit të 50-të të operës 'Mrika', me kompozitor Prenk Jakovën dhe libret të Llazar Siliqit. I prezantuar nga Zerina Kuke dhe Rikard Ljarja, koncerti jubilar u organizua nën kujdesin e kompozitorit Gjon Shllaku, president i Shoqatës Kulturore Artistike "Prenk Jakova", Ridvan Karakaçi, kritik muzike dhe Lorenc Radovani, violinist. "Fenomeni Jakova sjell tek ne ndërgjegjen kombëtare, njëherazi imazhin muzikor shkodran e shqiptar. Krijimtaria e tij përmbledh në mënyrë esenciale procesin e krijimit të operës kombëtare, duke u bërë normë klasike për brezat e kompozitorëve shqiptarë", tha në hapje të këtij koncerti, prezantuesja Zerina Kuke. Ndërsa, aktori Ljarja cilësoi, se "Prenk Jakova krijoi epokën e tij, fatmirësisht e vendosur midis dy hapësirave kohore, ku qëndrojnë klasikët e muzikës shkodrane të gjysmës së parë të shekullit të 20-të, si Palok Kurti, Frano Ndoja, Lec Kurti, At Martin Gjoka, Kordinal Koliqi. Dhe, pas tyre brezat më të rinj, si Ramadan Sokoli, Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi, Simon Gjoni, Pjetër Gaci, Gjon Kapidani, Gjon Simoni, etj". Më pas, nën shoqërimin e orkestrës simfonike, të dirigjuar nga Desar Sulejmani, sopranoja Emiljana Palushaj, në rolin e Mrikës, interpretoi pjesët "Arioza e Mrikës-Dielli ka pe-rëndue" nga akti i parë, si dhe duetin "Mrikë-Dodë" me tenorin Ramë Lahaj. Pjesë e koncertit ishin dhe aria e Marës nga akti i parë, "Zot erdhën gjindja e huej", aria e Gjinit, aria e Mrikës "O ç'janë k'to trazime", nga akti i tretë, etj, ndërsa nuk munguan dhe pjesë nga opera "Skënderbeu" apo aria e Santuces nga opera "Kavaleria rustikana" e Puçinit, aria e Kavaradosit nga opera "Toska". Epilogu i këtij koncerti jubilar, ishte 'Marshi i Fizkulturistëve', vepër e kompozitorit Prenk Jakova, ritmi i së cilës ngriti në këmbë gjithë publikun e pranishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›