Mirush Kabashi, ca këshilla nga zoti Ibrahim
Alma Mile
Zotit Ibrahim nuk i duhet të ngrejë zërin për t'i futur në kokë ca mësime të mira, të voglit Momo. I mjafton një buzëqeshje që shpërthen nga e gjithë qenia e tij. Ai është një filozof në llojin e vet, edhe pse një shitës në një rrugë periferike të Parisit, që quhet "Bleu", ndonëse në të nuk ka asgjë blu. "Lulet e Kuranit dhe zoti Ibrahim", është nga ato pjesë dramatike që të zbusin shpirtin. E shfaqur mbrëmjen e së premtes në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, ajo mori shumë duartrokitje, por edhe mirënjohje. "Lulet e Kuranit..." është një monodramë e shkruar nga dramaturgu francez Eric Emmanuel Schmitt, e ardhur në shqip nga përkthyesi Arben Meksi dhe vënë në skenë nga regjisori Alfred Bualioti. Ky i fundit ia ka besuar pjesët mjeshtrit të monodramës, Mirush Kabashit. Me një pamje prej hebreu të mirë, Mirush Kabashi e mishëron rolin e vet deri në thua. Ai është Muhamedi, dikur i quajtur Moisi, por për të mos u ngatërruar mes emrash që i përkasin feve të ndryshme, preferon ta thërrasin Momo. Ashtu si e thërriste i miri zoti Ibrahim, i vetmi "arab" i rrugës së çifutëve. "Lulet e Kuranit" është rrëfimi i jetës së Momosë, po ku "arabi" Ibrahim zë një vend shumë të rëndësishëm. Momo e nis rrëfimin e tij në moshën 13-vjeçare, kur ai ishte një djalë që po kalonte nga fëmijëria në adoleshencë. Ishte pikërisht atëherë kur theu derrkucin e kursimeve dhe shkoi në shtrat për herë të parë me një femër "profesioniste". Momo ishte një djalë i trishtuar, i ngrysur. Nuk kishte faj. Nënën nuk e kishte njohur kurrë. Ajo e braktisi sapo ai erdhi në jetë. Ndërsa babai, një avokat i ashpër, nuk i dha kurrë dashurinë që kishte nevojë. Përkundër kësaj zbrazëtie ngrohtësie, Momo gjen "strehë" tek dyqanxhiu Ibrahim, i vetmi mysliman në atë rrugë tregtarësh. Një njeri i urtë dhe pa shumë fjalë. Prej tij Momo mësoi të buzëqeshte. Kuptoi se kjo ishte një gjë e mirë, se kur fal dashuri edhe merr. Sa herë që i vogli Momo e pyeste për arsyet pse ai sillej në këtë, apo atë mënyrë, Ibrahimi i përgjigjej: "Sepse unë e di se çka në Kuranin tim". Jeta e Momosë ishte e shkruar të shkonte rrokapjekthi. I ati e braktis gjithashtu dhe do kohë më vonë edhe vetë zoti Ibrahim, që e birësoi pas shumë peripecish. Kur pas vdekjes së tij, Momoja mori në duar si trashëgim, veç gjithë pasurisë edhe Kuranin e zotit Ibrahim, ai pa se brenda në të kishte dy lule të kuqe të thara dhe një letër nga miku i tij Abdullah. E gjitha bota e zotit Ibrahim ishte në atë Kuran: besimi, dashuria, miqësia. Për aktorin Mirush Kabashi kalimi nga një situatë me gaz fëminor, në një tjetër po aq të dhimbshme, duket se është një lojë fëmijësh. Ai krijon emocion në çdo skenë dhe personazh të interpreton, që nga Momoja fëmijë e i rritur, zoti Ibrahim, babai i djalit, prostituta thuthuqe e nëna e zemërvrarë. Interpretimit i shtoheshin edhe do gjetje regjisoriale, që nga pamjet e Parisit të shfaqura me projektor, dyqani i zotit Ibrahim dhe muzikë e zgjedhur franceze. Skenografia është e thjeshtë dhe funksionale. "Zoti Ibrahim dhe lulet e Kuranit" nuk u shfaq për ndonjë publik të madh në numër, por ata që e ndoqën dolën të kënaqur, pati edhe nga ata që u përlotën. Çka donte të thoshte dramaturgu, regjisori e aktori, erdhën shtruar, madje me përulje tek publiku. "Mesazhin" e dashurisë shikuesit e morën pa imponim, pa të bërtitura e rrahje në skenë.