E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza e Barcelonës

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka sulmuar Manchester Cityn duke e akuzuar për përpjekje për destabilizimin e klubit. Ai krahasoi kampionin e Premierligës me Arsenalin, që në të kaluarën ka transferuar futbollistë nga akademia La Masia, duke u ofruar atyre shuma të mëdha parash. Por, kreu i klubit nga Nou Camp insiston se futbollistët kryesorë nuk do të largohen nga Barcelona.

Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka akuzuar Manchester Cityn dhe Arsenalin për përpjekje për destabilizimin e klubit, duke ofruar shuma të mëdha parash për futbollistët e saj të rinj. City i përkrahur nga paratë e Sheikh Mansour triumfoi në Premierligë stinorin e shkuar dhe tani synon suksesin në Ligën e Kampionëve.

Për të përforcuar skuadrën, menaxheri Roberto Mancini besohet se është i interesuar për transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Sergio Busquets, kurse në të kaluarën si objektiv i kampionit të Premierligës është përmendur edhe Cesc Fabregas. Rosell kritikoi Cityn, ku drejtor i përgjithshëm është ish nënkryetari i Barcelonës, Ferran Soriano, dhe e krahasoi qasjen e tyre me atë të Arsenalit, që në të kaluarën mori Fabregasin, Fran Meridan, Jon Toralin dhe Hector Bellerinin nga akademia La Masia në Londër.

“Manchester City dëshiron të merr futbollistët tanë dhe dëshiron të na destabilizojë. Kjo ndodhi edhe me Arsenalin, që u vu pas futbollistëve tanë të akademisë duke u ofruar shumë para. Tani po ndodh me Cityn. Ne jemi armiku që duhet mposhtur. Janë shumë njerëz që nuk ia duan të mirën Barcelonës dhe nuk duan që ne të fitojmë”, deklaroi Rosell për të përditshmen katalane El Mundo Deportivo.

Rosell shprehu besimin e tij se reprezentuesi spanjoll Busquets nuk do të joshet nga transferimi në Eastlands.

“Ne duhet të jemi të qetë. Busquets është një tjetër shembull si Messi, Valdes, Xavi, Puyol dhe të tjerët. Ne kemi futbollistë të shkëlqyeshëm dhe kur është nevoja ata tregojnë se janë anëtarë të vërtetë të Barcelonës”, shtoi kreu i klubit nga Nou Camp. Rosell po ashtu mohoi spekulimet se Lionel Messi mund të joshet nga largimi nga Barcelona dhe theksoi se klubi kurrë nuk ka marrë ndonjë ofertë për argjentinasin.

“Nëse cilido klub kërkon Messin, atëherë barriera është e lartë. Asnjë ofertë për blerjen e Messit nuk ka mbërritur në adresën tonë. Edhe vetë ai e ka bllokuar një gjë të tillë personalisht. Kurrë nuk kemi marr ndonjë ofertë nga një sheik i cili ka shprehur interesim për transferimin e Messit, futbollist që dëshiron të mbetet në Barcelonë”, përfundoi Rosell. Kurse, Manchester City ka publikuar një komunikatë duke mohuar interesimin ndaj Busquetsit dhe Fabregasit. “Nuk ka bazë ndaj atyre njoftimeve dhe klubi nuk ka paraqitur dhe nuk planifikon të paraqesë oferta për këta lojtarë”, thuhet në komunikatën e Cityt.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›