E Shtunë, 31 Tetor 2026

S’e përjashton Kosovën

Edhe pse po e kërkon kualifikimin në Kampionatin Botëror me Norvegjinë, e ardhmja e Valon Berishës në këtë përfaqësuese skandinave nuk është e qartë. Vetë sulmuesi prishtinas nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta lë Norvegjinë për Kosovën, pasi kjo e fundit të anëtarësohet në UEFA e FIFA. Berisha ka folur edhe për tre kosovarët e Zvicrës – Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka – për të cilët gëzohet kur i sheh duke korrur suksese.

Valon Berisha është i përqendruar seriozisht në kualifikimet për kampionatin botëror ‘Brazili 2014’. Mesfushori kosovar të martën e zhvilloi ndeshjen e parë zyrtare me Norvegjinë, e cila shënoi fitore të rëndësishme si mysafire e Qipros (1:3) – në kuadër të Grupit E të eliminatoreve për Botëror.

Futbollisti prishtinas luajti në 15 minutat e fundit të atij takimi, derisa kah fundi i ndeshjes norvegjezët e kishin inkuadruar edhe kosovarin tjetër Ardian Gashi. Meqenëse kjo ishte vetëm paraqitja e parë e Berishës me skandinavët, mediat norvegjeze e kanë lavdëruar atë duke e konsideruar si një të ardhme të ndritur për Kombëtaren e Norvegjisë.

Mirëpo, mediat kanë kujtuar se ardhmja e Berishës në Kombëtaren e Norvegjisë nuk është e sigurt. Kjo pasi prishtinasi do të ketë të drejt ta zgjedhë përfaqësuesen e Kosovës, pasi kjo e fundit të anëtarësohet në UEFA e FIFA.

Ndërkohë, as vetë sulmuesi i ekipit austriak Red Bulls Salzburg nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta lë Norvegjinë për Kosovën, pasi kjo e fundit të bëhet anëtare e dy organizatave të lartpërmendura. “Nuk kam menduar shumë rreth kësaj. Duhet të presim derisa sqarohen të gjitha gjërat rreth ambicieve të Kosovës për t’u ndërkombëtarizuar”, ka thënë Berisha duke buzëqeshur.

Një përgjigje të ngjashme, sikurse kjo e Berishës, e patën dhënë edhe kosovarët e përfaqësueses së Zvicrës – Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka e Valon Behrami. Me të tre këta, Berisha është takuar para një jave, kur Norvegjia e kishte nxjerrë një barazim si mysafire e Zvicrës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin ‘Brazili 2014’.

Të tre ata kosovarë, por edhe dy shqiptarët e tjerë nga Maqedonia, Admir Mehmedi e Blerim Xhemajli konsiderohen si shtylla kryesore e Zvicrës. Ky fakt e gëzon bashkëkombësin e tyre Valon Berisha.

“Zvicra i ka tre lojtarë mjaft të mirë, siç janë Xherdan Shaqiri, Valon Behrami e Granit Xhaka, të cilët vijnë nga vendi im, Kosova. Unë gjithmonë ndihem mirë kur lojtarët e vendit tim përparojnë dhe arrijnë suksese në futboll. Ishte kënaqësi t’i takoja. Gjithë shqiptarët mburren kur bashkëkombësit e tyre arrijnë suksese. Kështu që edhe unë mburrem me ta”, ka përfunduar Berisha i cili dy ndeshjet e radhës eliminatore për ‘Brazili 2014’ me Norvegjinë do t’i luajë ndaj Shqipërisë.

Norvegjia aktualisht është e dyta në Grupin E me 7 pikë, tri më pak sesa Zvicra dhe një më shumë sesa Shqipëria e Islanda. Kurse, Sllovenia e Qipro pozicionohen në dy pozitat e fundit me nga tri pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›