E Diel, 1 Nëntor 2026

Futbollisti më popullor në botë, Cana e Shaqiri në garë

Lorik Cana dhe Xherdan Shaqiri janë zgjedhur në mesin e kandidatëve për t’u zgjedhur futbollisti më popullor në botë për vitin 2012. Mesfushori i Lazios do të jetë përfaqësues i Shqipërisë, kurse ai i Bayern Munichut, i Zvicrës. Ky çmim do të jepet më 3 janar të vitit 2013, si rezultat i votimit që do të bëhet në ueb faqen e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave të Futbollit.

Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) do ta përzgjedhë futbollistin më popullor në botë për vitin 2012 me anë të votave të përdoruesve të internetit në faqen e saj zyrtare.

Pjesëtarët e këtij instituti kanë propozuar 178 kandidatë nga çdo vend i botës dhe nga Shqipëria lojtari i përzgjedhur është kapiteni i përfaqësueses kuqezi, respektivisht mesfushori i Lazios, Lorik Cana. Ndërkaq, tek Zvicra mund ta vërejmë një tjetër futbollist shqiptar, kandidat për këtë trofe. Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin, i cili luan në Bayern Munich dhe në përfaqësuesen zvicerane.

Votimi do të kryhet deri në datën 30 nëntor. Pesë futbollistët që kanë marrë më shumë vota nga Afrika, Azia dhe CONCACAF-i do t’u bashkohen tetë lojtarëve nga Europa e Amerika Latine dhe një lojtari nga Oqeania për t’i plotësuar finalistët. Këta 32 finalistë mund të votohen më pas nga 1 dhjetori 2012 deri më 3 janar 2013 për ta përzgjedhur futbollistin më popullor të vitit 2012.

Pa dyshim, Cana është lojtari më i njohur shqiptar dhe më me ndikim viteve të fundit. E njëjta gjë vlen edhe për Shaqirin në Zvicër, i cili është bërë njëri prej lojtarëve kryesorë të Helvetikëve, ndërsa famën e tij e rriti transferimi në Bayern Munich nga Baseli këtë verë.

Mirëpo, dyshja shqiptare do të kenë konkurrencë të fortë, pasi që përballë tyre do të jenë lojtarët me famë botërore si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, Andres Iniesta, Zlatan Ibrahimovic, Wayne Rooney, Samuel Eto'o etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›