Akuza e çiftit: “Na vdiq foshnja se më lanë bashkë me gruan 10 orë në birucë”
Besnik Bushati akuzon policinë për vdekjen e fëmijës së tij dymuajshe. Policia refuzoi ta linte të lirë gruan që të shkonte te foshnja. Ai përgatit akuzën
KURBIN - Një familje në fshatin Fushë Mamurras të rrethit të Kurbinit akuzon policinë si shkaktare të humbjes së fëmijës së tyre 2.5 muajshe. Akuza vjen nga Besnik Bushati, i cili ka pohuar se vajza e tij ka gjetur vdekjen për shkak se është marrë së bashku me bashkëshorten e tij në polici për t’u pyetur për një ngjarje dhe pikërisht në kohën kur nuk ndodhej askush në banesë, ka ndodhur fatkeqësia. “Inspektori i zonës erdhi në shtëpi në orën 7 të mëngjesit dhe më ka marrë mua me bashkëshorten time, Daviten, për në policinë e Kurbinit, për t’i pyetur lidhur me vjedhjen e një lope në fshatin Fushë Mamurras”, - ka pohuar Besniku. Sipas tij, foshnja dymuajshe dhe tre fëmijët e tjerë nën moshën 7 vjeç ishin vetëm, pa shoqërinë e të rriturve. Besnik Bushati deklaron se “ka qëndruar me gruan e tij që nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 17:00 të asaj dite. Ata janë marrë në pyetje në lidhje me lopën e konsideruar të humbur, por që ishte gjetur më pas pranë shtëpisë së çiftit Bushati. “Kam kërkuar disa herë që të lirohej bashkëshortja ime, pasi nuk kishte kush që ta ushqente foshnjën dymuajshe, por nuk na liruan”, - tregon Besniku. Më pas ai thotë se janë kthyer në shtëpi në mbrëmje, ku e kanë gjetur foshnjën me emrin Klodiana në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas dëshmisë së çiftit, fëmija i tyre kishte gjithë ditën pa pirë dhe në mbrëmje ndihej e këputur dhe me temperaturë. “E kam lënë shëndoshë e mirë kur kam ikur në polici. Në mëngjes e kisha vizituar te mjeku Fran Picaku”, - rrëfen Davite Bushati.
Foshnja është ndarë nga jeta pak ditë më parë. Menjëherë pas tragjedisë, Besniku ka marrë një avokat për të hedhur në gjyq policinë. Në lidhje me këtë ngjarje, avokati Ali Paja shprehet se është e vërtetë që ka ardhur i ati i fëmijës, shtetasi Besnik Bushati, i cili akuzon policinë për shkelje të lirive e të të drejtave të njeriut”. Ai pohon se “pa hyrë në detaje, pasi kjo u përket edhe hetimeve, kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të lirive dhe të drejtave të njeriut, qoftë sipas ligjit, qoftë sipas konventave ndërkombëtare. Nuk mund të shoqërohet për më tepër një nënë që ka fëmijën nën 1 vjeç në polici pa pasur shkelje ligjore apo kryerje të veprave të kundërligjshme, gjë e cila nuk ka ndodhur në këtë rast”, - thotë Paja. Sipas avokatit, ky është një veprim skandaloz i bërë nga policia e Kurbinit, një shkelje e hapur ligjore, pasi kemi të bëjmë me humbjen e jetës së një personi”. Besniku tashmë është babai i tre fëmijëve të mitur; dy djemve dhe një vajze. Fëmija më i madh familjes është Vali, 6 vjeç. Pas tij vjen Kristiani 5-vjeçar dhe në fund vajza 1-vjeçare me emrin Dava. Besniku dhe bashkëshortja e tij, Davitja, janë të papunë. Ata kanë ardhur para tetë vitesh nga fshati Shëngjin i komunës së Fanit në rrethin e Mirditës në Fushë Mamurras për të ndërtuar një jetë më të mirë.
REAGIMI
Shefi i Krimeve: “Ne morën Besnikun, por me të erdhi edhe gruaja”
Në lidhje me akuzat ka reaguar shefi i Krimeve në Komisariatin e Kurbinit, Martin Dona, i cili ka qenë në shërbim ditën e shoqërimit në polici të çiftit Bushati. Ai shprehet se “të dielën në mbrëmje ka humbur një lopë, që sipas pronarit të saj, ishte vjedhur në kasollen në fshatin Fushë Mamurras”. “Ne kemi marrë informacionin dhe lopën e kemi gjetur të lidhur në një pemë në tokën që ishte në pronësi të shtetasit Jakë Leka”. Dona thotë se është bërë shoqërimi i personit që dyshohet se kishte vjedhur lopën. Sipas tij, “Besnik Bushati është marrë ne komisariat jo si i akuzuar për vjedhjen e lopës, por si dëshmitar. Ne kemi marrë në polici vetëm Besnikun, por bashkë me të ka ardhur edhe bashkëshortja e tij”, - shprehet Dona. “Ne e kemi pyetur se përse e kishte marrë gruan dhe na është përgjigjur se nuk dinte të lexonte dhe as të shkruante”, - sqaron shefi i Krimeve të Kurbinit. Ai thotë se çifti Bushati nuk është mbajtur 10 orë, por vetëm 30 minuta në mjediset e Komisariatit të Kurbinit. “Ne nuk kemi dijeni për vdekjen e fëmijës dhe për më tepër ndaj policisë të jetë ngritur një padi, pasi kemi zbatuar me përpikëri ligjin dhe nuk ka asnjë shkelje ligjore”, - deklaron Martin Dona. Duke përfunduar, ai thotë se “gjithçka është e dokumentuar”.
8 Shkurt 2008