Prangoset 70-vjeçari, kreu marrëdhënie me një të mitur
Familja e një 13-vjeçareje denoncon shtetasin D. Vela nga fshati Maricaj në Tepelenë për kryerje të marrëdhënieve me të mitura përmes mashtrimit
TEPELENË – Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin, ku kësaj radhe një 70-vjeçar ka përdhunuar një të mitur. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se “G. Vela, 70 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Maricaj të komunës Buz, rreth 50 km larg qytetit të Tepelenës, u ndalua në bazë të një denoncimi të depozituar në Prokurorinë e Tepelenës”. Sipas zëdhënësit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës Gentian Mullai, ndalimi i të moshuarit u bë mbrëmjen e së mërkurës, pasi ndaj tij kishte një akuzë për vepra të turpshme me një të mitur”. Zëdhënësi Mullai ka bërë të ditur se “70-vjeçari Vela dyshohet se që nga muaji korrik 2007 deri më datën 22 janar të këtij viti ka kryer veprime të turpshme me një 13-vjeçare. Duke iu referuar burimeve zyrtare, përmes mashtrimit dhe kërcënimit, 70-vjeçari ka arritur që të kryejë marrëdhënie me të miturën”. Mullai bëri të ditur se, fillimisht i moshuari e ka “joshur” të miturën me ëmbëlsirat që tregonte në dyqanin e tij, në fshat. Para pak ditësh familja e vajzës ka zbuluar abuzimet që bënte i moshuari dhe menjëherë ka bërë denoncimin në polici. Kaq ka mjaftuar që ndaj shtetasit G. Vela (emrin e plotë të të cilit nuk po e japim për arsye etike) të nisin hetimet. Paraprakisht është marrë dëshmia e së miturës në prani të prindërve të saj në mjediset e Komisariatit të Policisë së Tepelenës. Ndërkohë që pritet të kryhen analizat nga ekspertët mjeko-ligjor për të faktuar nëse ndaj të miturës janë kryer veprime të turpshme. Mësohet se materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së rrethit të Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ligjore.
Gjatë muajve të fundit kanë ndodhur disa ngjarje të tilla. Në Gramsh, një person u akuzua se ka kryer marrëdhënie me dhunë me vajzën e tij të mitur, duke e lënë shtatzënë. Aktualisht ai ndodhet në proces gjykimi në rrethin e Elbasanit. Në Fier shtetasi Vasil Kale, banues në fshatin Seman i Ri, në komunën Tropojë, u prangos pasi akuzohet të ketë përdhunuar bashkëfshataren e tij të mitur C. M., 15 vjeçe”. Ndërsa në Lezhë shtetasi Hysen Kipti u arrestua pasi dyshohet se ka përdhunuar të mbesën e tij 10-vjeçare. 44-vjeçari Kipti mendohet se një akt të tillë e kishte kryer edhe në Itali dhe thuhet se është shpallur person në kërkim edhe atje.
8 Shkurt 2008