E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka mbështet kërkesat e minatorëve të Munellës

Ministri i Punës, Kosta Barka, vizitoi dje Minierën e Munellës dhe Fabrikën e Pasurimit të Bakrit në Fushë-Arrës, ku u takua dhe bisedoi me përfaqësuesit të firmës “BerAlb” – koncesionare, si dhe me minatorët dhe punëtorët e mbitokës. Në qendër të vizitës dhe bisedave që ministri zhvilloi me punëdhënësit dhe punëmarrësit në Munellë dhe në Fushë-Arrës ishte respektimi i marrëveshjes punëdhënës-punëmarrës. Ministri Barka u shpreh se ishte në dijeni të kërkesave që sindikalistët e Minierës dhe të Fabrikës i kanë paraqitur përfaqësuesve të firmës “Beralb” dhe në takimin me përfaqësuesit e Beralb-it, theksoi se kërkesat e punonjësve ndaj punëdhënësve, në çdo rast duhet dhe do t’u nënshtrohet negociatave mes palëve, edhe me ndërmjetësimin e strukturave të Ministrisë së Punës, por ajo që s’mund të pranojmë dhe nuk negociojmë në asnjë rast është mosrealizimi i investimeve të nevojshme dhe të domosdoshme nga ana e punëdhënësve për garantimin e sigurisë dhe shëndetit në punë të punonjësve.

Personat me aftësi të kufizuara në regjistër kombëtar

Personat me Aftësi të Kufizuara (PAK) së shpejti do të jenë të regjistruar në një regjistër kombëtar. Observatori Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar, në bashkëpunim me Shoqatën MEDPAK dhe me njësitë vendore, do të realizojë regjistrin e PAK, i cili do të vlerësojë situatën dhe vështirësitë social-ekonomike, shëndetësore, kulturore të njerëzve me aftësi të kufizuara në vend. Në kuadër të kësaj nisme, në ligjin “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, neni 31, pika b është përcaktuar që administratorët shoqërorë të njësive vendore të bëjnë vlerësimin e situatës sociale ekonomike të personave/familjeve brenda skemës së ndihmës ekonomike dy herë në vit. Me krijimin e këtij database të dhënash çdo njësi vendore do të ketë të evidentuar nevojat specifike të zonës që mbulon dhe shërbimet me imediate që duhen ofruar apo përmirësuar.

8 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›