Kule: “Jo part-time për këtë vit në fakultetet e Universitetit të Tiranës”
Rektori u kërkon dekanëve të vendosin se cilët pedagogë do të jenë të dypunësuar
Jonida Tashi
Sistemi part-time nuk duhet të zhvillohet këtë vit akademik në fakultetet e Universitetit të Tiranës, pasi ka kaluar shumë kohë nga fillimi i tij. Kështu është shprehur dje për mediat, në një takim me rektorët e universiteteve publike, kreu i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ai ka pohuar se duke qenë se ka kaluar gjysma e vitit akademik, tashmë është shumë vonë për të filluar këto studime. Përplasja e fakulteteve me Ministrinë e Arsimit për studimet me kohë të pjesshme ka nisur që në fillim të këtij viti akademik. Ndërkohë që MASH bën fajtore fakultetet për vonesën në fillimin e studimeve part-time, pasi ata kanë dorëzuar kuotat dhe programet e vjetra të studimit, fakultetet ia hedhin përgjegjësinë MASH-it duke u justifikuar me faktin se nuk na ka ardhur një udhëzim për afatin se kur duhet të dorëzoheshin kuotat. Këto përplasje kanë bërë që të shtyhet edhe më shumë nisja e studimeve part-time deri aty sa tashmë rrezikohet edhe fillimi i tyre.
Fakultetet
Një ditë më parë burime zyrtare nga MASH-i bënë të ditur për gazetën “Albania” se janë kthyer pas programet dhe kuotat për part-time, pasi nuk ishin përshtatur me sistemin e Bolonjës. Kjo ka qenë dhe arsyeja kryesore pse MASH-i është detyruar t’i kthejë ato sërish pas. Burime zyrtare nga zyra e shtypit pranë MASH-it pohuan se pjesa më e madhe e fakulteteve e kanë sjellë këtë vit programin e vjetër për sistemin e studimeve me kohë të pjesshme. Ndërkohë që ashtu siç edhe ishte paralajmëruar nga MASH-i, këto programe këtë vit nuk do të ishin më të vlefshme për arsye se për këtë vit akademik studimet part-time do të përshtateshin me Bolonjën. Shefja e zyrës së shtypit në MASH, Ermelinda Muho, ka sqaruar se fakultetet janë njoftuar paraprakisht për këtë përshtatje dhe afati i fundit për të dorëzuar kuotat për part-time ka qenë fundi i janarit. Ndërsa përsa u përket kuotave, ajo ka pohuar se ato përcaktohen nga vetë fakultetet në varësi të kapaciteteve që ata kanë.
Dypunësimi i pedagogëve
Ndërsa përsa i përket dypunësimit të pedagogëve në shtet dhe privat, rektori i Universitetit të Tiranës ka vendosur që dekanët e çdo fakulteti duhet të përcaktojnë se cilët do të jenë pedagogët që do të punojnë në universitetet private dhe sa orë do të punojnë. Sipas Dhori Kules, ky vendim është marrë për të mos cenuar cilësinë e mësimdhënies në universitetet publike. Gjithashtu, Kule ka bërë të ditur se kërkimi shkencor do të fillojë në universitete sapo të konstituohet Këshilli Administrativ. Ndërkohë që dje rektorët e universiteteve publike të vendit nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve akademike dhe nismave të përbashkëta në interes të institucioneve që përfaqësojnë.
8 Shkurt 2008