Thyhet rregullorja për ushqimin e pacientëve në QSUT
Reportazh\ Çfarë ndodh në QSUT. Familjarët e pacientëve të shtruar shkojnë çdo ditë me qeset plot me ushqime
Thyhet rregullorja që përcaktonte se pacientët do të merrnin ushqim vetëm sipas menysë së përcaktuar nga mjeku. Një muaj pas vendosjes së rregullit të ri, familjarët jo vetëm nuk i besojnë ushqimit të spitalit por kalojnë pa asnjë pengesë deri kur mbërrijnë në dhomën ku kanë të afërmin e tyre. Gazeta “Albania”, pas një vëzhgimi disa ditësh, ka mundur të fokusojë në objektivin e aparatit disa prej këtyre familjarëve me qese nëpër duar. Për ta mesa duket pak rëndësi ka se në çdo pavijon të QSUT-së është vendosur e zezë në të bardhë që nuk lejohet hyrja e ushqimeve nga jashtë. Por më e keqja nuk qëndron këtu. Rregullorja ka përcaktuar penalizime për rojat e çdo pavijoni nëse do të lejojnë hyrjen e ushqimeve. Mirëpo deri sot nuk është bërë publike ndonjë masë e tillë. Rregullorja e re parashikoi që mjekët të përcaktonin çdo ditë ushqimin që duhet të hanë pacientët duke ruajtur dietën sipas sëmundjeve që vuajnë.
Rregullorja
Drejtoria e QSUT-së, në datën 26 dhjetor të 2007-s, nxori rregulloren që parashikonte moslejimin e ushqimeve që vinin nga jashtë. Kjo pasi ushqimi për pacientët u përmirësua, duke futur dietat e përcaktuara nga dietologët e spitalit, si dhe duke shtuar frutat që do t’iu jepeshin pacientëve në vakte të caktuara. Pranë çdo pavijoni në QSUT është ngritur një minikuzhinë ku ushqimi vjen nga kuzhina qendrore në karroca dhe shpërndahet nga punonjësit deri te shtrati i pacientit. Pas futjes së rregullores, ushqimi nuk shpërndahet nga personeli i spitalit, por nga një personel i posaçëm, i punësuar nga firma sipërmarrëse për gatimin e ushqimit në QSUT. Në rregulloren e parashikuar në dhjetor të 2007-s thuhej se nuk do të lejoheshin më pjatat, pirunët e tenxheret e marra nga shtëpia. Për më tepër, afati i fundit i aplikimit të rregullores do të ishte 31 dhjetori. Ndërkohë ka kaluar një muaj dhe gjithçka ka mbetur si më parë.
Ministri i Shëndetësisë
Kjo nismë u përshëndet edhe nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, në ditën e parë të vitit 2008, i cili përuroi një nga kuzhinat e QSUT-së. Ndoka u bëri thirrje familjareve të mos fusnin në ambientet e spitalit ushqime të sjella nga shtëpia duke garantuar vakte të kontrolluara për të gjithë të sëmurët. Për ministrin e Shëndetësisë, ky do të ishte hapi i parë i reformës së nisur në shëndetësi pas plotësimit të legjislacionit. Kjo hallkë do të pasohet nga shërbimi i hotelerisë në spitale, privatizimi e pastrimi i ambienteve në spitale, një shërbim urgjencash të privatizuara gjithashtu dhe një shërbim më të mirë për pritjen e urgjencave. “Shpeshherë, familjarët e të sëmurëve kanë qenë të detyruar të shpenzojnë edhe për ushqimin e familjarëve të tyre të sëmurë duke shkaktuar jo pak probleme edhe me higjienën brenda ambienteve, ndërsa që nga sot një gjë e tillë do të jetë kategorikisht e ndaluar”, - deklaroi gjatë asaj vizite Ndoka. Por rregullorja e përshëndetur nga ministri ka ngelur në rangun e një rregulloreje që duket se do të duhet kohë e gjatë për të gjetur rrugën e zbatimit.
Penalizimet
Për zbatimin e rregullores së re u ngarkuan me përgjegjësi rojat e pavijoneve. Nëse këta do të lejonin hyrjen e familjarëve me ushqime brenda ambienteve të spitalit, Drejtoria e QSUT-së do të marrë masa ndaj tyre. Por deri tani ndaj rojave të spitalit nuk është marrë asnjë penalizim edhe pse ky fenomen vazhdon të ekzistojë njëlloj si më parë. Madje, në Pavijonin e Kardiologjisë është afishuar një poster i madh ku shkruhet: “Nuk lejohet hyrja e ushqimeve brenda spitalit”. Sadetja 57-vjeçare ka një javë që vjen çdo ditë në spital, pasi bashkëshorti i saj është shtruar në Pavijonin e Kardiologjisë për probleme kardiake. Ajo sqaron se i sjell çdo ditë për të ngrënë gatime që i përgatit në shtëpi. Sipas saj, ushqimet që shërbehen në spital nuk janë të këqija, por nuk janë ashtu siç i gatuan ajo dhe për më tepër që bashkëshorti është mësuar me ushqimin e shtëpisë dhe nuk dëshiron të hajë gatimet që i serviren në spital.
Mjekët
Mjekët shpjegojnë se kjo gjendje është e përkohshme, derisa familjarët e pacientëve të mësohen me rregulloren e re në spital. Për ta është e rëndësishme që pacientet të ushqehen me ushqimet e gatuara në spital. Kjo pasi në të është e përcaktuar çdo gjë në masën e duhur dhe me të gjitha vlerat ushqyese që duhet të marrë një i sëmurë gjatë qëndrimit në spital. Përgjithësisht lejohen ushqimet e lehta dhe frutat. Të gjitha këto janë përcaktuar në menunë e çdo pavijoni. Madje për ngrënien e ushqimit janë të përcaktuara të tre vaktet me ushqime të ndryshme. Për më tepër, ngrënia e ushqimit është e përcaktuar me orare fikse për të tre vaktet. Karrocat me ushqime sillen përgjatë korridoreve për të shpërndarë ushqimin nga një personel i përbërë nga dy punonjës për çdo kat. Punonjëset e shpërndajnë ushqimin në pjatë në çdo dhomë për aq pacientë sa janë brenda. Një pjesë e pacientëve e refuzojnë ushqimin, duke thënë se kanë ngrënë më parë apo nuk u hahet. Ndërsa të tjerë e marrin pjatën me gjellë dhe e lënë mbi komodinë pa ngrënë, derisa të mblidhen pjatat. Sipas pacientëve këtë e bëjnë pasi kanë ngrënë apo presin që t’u vijë ushqimi nga shtëpia.
Mania
Përveç ushqimit, familjarët kujdesen për të gjitha pajisjet që nevojiten në një dhomë spitali. Blerja e çarçafëve, batanijeve, jastëkëve apo ngrohësve tashmë është kthyer në një mani për t’u çuar në dhomat e shtrimit. Madje edhe oborri i QSUT-së është kthyer në një mini-treg ku mund të gjesh gjithçka që nevojitet për në spital. Tregtarët përfitojnë nga situatat për të shitur mallin e tyre me një kosto edhe më të lartë nga sa mund t’i gjesh të tregtuara në ndonjë vend tjetër. Në çdo orë të ditës, korridoreve të spitalit tregtarët sillen vërdallë me qese të mëdha në krahë duke shitur pasqyra, bizhama, çarçafë etj.
Rregulloret që nuk zbatohen
Në të gjitha pavijonet e QSUT-së janë të afishuara në mure apo dyer një numër i madh rregulloresh, të cilat nuk zbatohen. Në hyrjen kryesore të pediatrisë shkruhet qartë që prindërit duhet të mbyllin çezmat në dhomat e fëmijëve të tyre. Në një fletë tjetër shkruhet që “nuk lejohet hyrja e personave pa kartë identiteti” apo nuk lejohen vizitat në oraret e caktuara nga drejtoria. Mjafton të bësh një vëzhgim të shkurtër dhe në pak minuta vëren se të gjitha këto janë rregullore që mbeten vetëm në letër dhe në objektivat e Drejtorisë së QSUT-së. Kjo, pasi vizita te pacientët lejohen në çdo orar dhe në asnjë pavijon nuk të kërkohet asnjë lloj dokumenti për të lejuar hyrjen në pavijon. Mesa duket, kjo nuk vjen vetëm nga neglizhenca e rojave te porta kryesore, por sepse atyre nuk iu është kërkuar me ngulm një gjë e tillë.
Trafiku në QSUT
Oborri i QSUT-së është kthyer në një parking të mirëfilltë automjetesh, ku shpeshherë edhe ambulancat e kanë të vështirë të kapërcejnë trafikun që krijohet. Kjo ndodh sidomos gjatë pjesës së parë të ditës kur lëvizjet janë më të shumta dhe vizitat më të shpeshta. Një situatë e tillë kaotike bëhet tepër shqetësuese dhe për pacientët që qëndrojnë në dhomat e tyre brenda spitalit. Ata janë të detyruar të dëgjojnë boritë që bien pa pushim për kapërcimin e trafikut. Por vështirësia qëndron më tepër për ata pacientë që vijnë në gjendje të rëndë dhe presin brenda në ambulancë sa të çlirohet trafiku. Në çdo cep gjenden makina të parkuara vend e pavend.
8 Shkurt 2008