E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza ndaj Kokëdhimës, mënyrë për t’u ikur përgjegjësive

Besmir Lulaj

-Kriza e vlerave, tronditja e tyre, prodhon një shoqëri te hapërdarë, të çoroditur,  që nuk është e aftë të reagojë siç duhet ndaj sfidave bazike të zhvillimit. Një shoqëri që konfondon modelet e suksesit. Asisoj, përfliten, përshpifen, përgojohen në mënyrë brutale, modelet e historive të suksesit. Njerëzit, që falë punës së tyre të ndershme, falë sfidave të tyre të fituara, kanë arritur të prodhojnë vlera, jo vetëm për vete dhe jo vetëm materiale.  Kjo ndodh, sepse ne kemi një model ekzistues suksesi problematik, të gabuar, por fatkeqësisht aq të fortë sa për ta impostuar në të tilla dilema ekzistencialiste vendin. Në thelb, besoj se dhe lufta e madhe e akuzave, shpifjeve, trillimeve, e partisë në pushtet ndaj Koço Kokëdhimës nuk është luftë ndaj një njeriu, siç duket në pamje të parë apo edhe kamuflohet. Është në thelb një luftë ndërmjet 2 modeleve. Modelit të njeriut të punës, të biznesmenit, që nga biznesi tenton të zbresë në politikë me një CV të pasur me shumë sfida, me një axhendë të përcaktuar. Këto avitje janë dhe një model i njohur, madje shumë i suksesshëm në demokracitë perëndimore. Modeli tjetër është ai i njerëzve që nga politika synojnë të kapin biznesin. Është model tipik korruptiv, i paligjshëm dhe i dënueshëm. Është modeli i shoqërive mafioze, të uzurpuara, të keqpërdorura. Duket se deviza e Gëtes  “Shteti është i krijuar për njeriun, e jo njeriu për shtetin”, në shoqërinë tonë vihet akoma në pikëpyetje. Zoti kryeministër ne  nuk duam të dimë arsyet pse ti sulmon një biznesmen,  por ne duam të dimë pse nuk thua asnjë fjalë për 30% të bizneseve që vdesin që muajin e parë të jetës? Pse nuk e keni cekur kurrë në diskursin tuaj politik  dështimin e sistemit arsimor? Pse nuk keni konkluduar një zgjidhje për inflacionin në çdo fushë dhe  zhvlerësimin kësisoj të vetë vlerës së jetës së Shqiptarëve? Nuk thuhet asgjë pse nuk ka spitale dhe shërbim shëndetësor në shumicën e komunave të Shqipërisë? Pse nuk na thoni si do ta zgjidhni problemin me barnat që mungojnë? Keni krijuar ndonjë mundësi për gjyshërit tanë që me pensionet qesharake që marrin  nuk paguajnë dot as dritat? Pse nuk flisni për ne, që jemi mes rrugëve kur mbarojmë shkollën, pa asnjë të ardhme, pa asnjë vizion, pa asnjë mundësi? A nuk e dini ju se për të punuar tani në administratë, kriter nuk është meritokracia por antonimi më i gjetur i saj? Pse nuk  na thoni si do zgjidhet problemi me bujqësinë? Kur do të prodhojë Shqipëria? Kur do të ndodhë që dhe atë pak që prodhojmë, mos të na prishet si pasojë e pashitshmërisë për shkak të pakonkurueshmërisë? Akuzat e rrogëtarëve, që bashkia i paguan me paratë tona për t’u marrë me problemet që kurë nuk gjejnë zgjidhje janë se Koço Kokëdhima ka fituar  kaq apo aq punë publike dhe prokurime. Duket sikur për njerëz të caktuar është sakrilegj të bëjnë  biznes apo të fitojnë gara me të njëjtat rregulla për të gjithë. A është mëkat sot të fitosh jetesën në mënyrë të ligjshme për veten, për biznesin tënd, për skuadrën, për  punëtorët e tu vetëm pse ke mendime të kundërta me qeverinë? Apo është mëkat të kesh mik Edi Ramën? N.q.s i ka fituar betejat e tij në mënyrë të paligjshme dhe bashkia ka fakte për këtë pse nuk e ka denoncuar më parë? Dhe pse nuk e denoncon në rrugë ligjore? Ku është morali te përbaltja që i bëhet çdo ditë nga institucione qe paguhen nga ne, për të na shërbyer dhe jo për të  nxjerrë dosje të zeza, të fryra me gënjeshtra nga fundi i  rezervuarit të smirës,  xhelozisë, shpifjes, urrejtjes në momentin  kur vendosim të jemi pjesë e një modeli tjetër mendimi dhe veprimi? Pas përfundimit qesharak që u arrit këto ditë në konferenca publike të institucioneve shtetërore, qenka në vullnetin e individit të paguajë ose jo taksat lindin dilema, trilema, polilema rreth  konceptit të funksionimit të shtetit, rolit dhe nevojës së tij. Konica besonte se Dredhia dhe forcat brutale mund t’i shtypin talentet individuale, por ato janë të pafuqishme kundër vullnetit anonim të një populli! Vullneti anonim i popullit krijohet dhe ndjehet nga historitë reale që jetojmë. Ndoshta frika nga ky vullnet është arsyeja që çdo qelizë e pushtetit sulmon nga çdo skutë ku është, ku shkon zoti Kokëdhima? Ka shumë gjëra në Shqipërinë tonë që ne nuk arrijmë të kuptojmë pse realisht ndodhin. Ndoshta pikërisht ndodhin për të mos u kuptuar dhe për të hequr realisht vëmendjen nga realitetet që kuptohen dhe që janë realitete fatkeqe të një vendi që lëngon. Nuk arrijmë ta kuptojmë këtë zhurmë, ky  pseudodebat në lidhje me zëvendësimin e aktorëve që kanë 20 vite në skenën politike duke qenë ministra, deputetë, etj..A thua se e kemi çimentuar ideologjinë e kolltukofagëve, krijesa të lindura për të qenë sa të kenë jetë mbi kolltukë pa pasur rëndësi nëse japin, rrezatojnë vlera madje dhe kur abuzojnë me besimin e deleguar. Ne nuk besojmë, as duhet dhe as nuk mundemi të besojmë se politika është një monopol ekskluziv i një kaste. Pjesa më shqetësuese dhe neveritëse për ne  si student të Drejtësisë është morali i politikës, morali i politikaneve dhe raporti i tyre me të vërtetën dhe drejtësinë. Të shkelësh ligje të, fitosh tendera në mënyrë të paligjshme, është krim, vepër penale, asisoj dënohet me burg . Nga ana tjetër dhe të shpifësh është vepër penale dhe përsëri dënohet me burg.  Këtu përzihen çdo ditë të vërteta, të pavërteta, gjysmë të vërteta.  Kjo bëhet një vorbull e madhe, një tym thashethemi haluçinant, që thith vëmendjen e popullit në një shterpësi rraskapitëse


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›