E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza pezullon kallëzimet penale për tokat e Ndroqit

13/07/2009  Nuk gjenden prova për abuzimet, 40 persona kishin denoncuar krerët e komunave

TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka vendosur pak ditë më parë që të pezullojë gjysmën e kallëzimeve penale që janë kryer nga banorët e fshatit Ndroq, në të cilat ata pretendonin se drejtuesit e komunës kishin kryer veprime abuzive për tjetërsimin e pronave të tyre. Mësohet se vendimi është marrë për rreth 15 kallëzime penale, që janë kryer në Prokurori gati një vit më parë nga banorët zonës. Burime pranë organit qendror të akuzës kryeqytetase thanë se shkak kryesor për pezullimin e këtyre kallëzimeve është bërë moskonstatimi i provave, ku me anën e të cilave do të faktoheshin në gjykatë veprimet arbitrare të zyrtarëve të komunës Ndroq. Për një periudhë të gjatë kohore specialistët e Prokurorisë së Tiranës, kanë mundur të kryejnë një sërë veprimesh hetimore, në mënyrë që të faktonin pretendimet e fshatarëve të komunës së Ndroqit. Por gjatë këtij procesi ata jo vetëm që nuk kanë faktuar pretendimet e tyre, por në të njëjtën kohë s’kanë mundur të gjejnë prova, lidhur me akuzat që banorët i bënin drejtueses së komunës Fatime Goga. Në kallëzimet, banorët pretendonin se sipërfaqet tokësore i kanë marrë nga ligji 7501. Mirëpo problemi për ta ishte zyra e Regjistrimit të Pronave, e cila nuk pranonte të certifikonte pasurinë e tyre. Të ndodhur në këto kushte gati 40 qytetarë të komunës Ndroq, depozituar vitin e kaluar në Prokurorinë e Tiranës, kallëzime në ngarkim të Fatime Gogës dhe Sulejman Enesit. Me gjithë marrjen e deklarimeve të këtyre të fundit si dhe verifikimeve të shumta që kryen përfaqësuesit e organit të akuzës, ata nuk mundën të gjenin shkelje arbitrare ndaj dy personave të sipërcituar. Nisur nga kjo situatë prokurorët kanë vendosur të pezullojnë rreth 15 kallëzime. Ndërkohë që aktualisht vazhdon puna për hetimin e rreth 25 kallëzimeve të tjera, që sipas ekspertëve të Prokurorisë së Tiranës, ato kanë të njëjtën natyrë me kallëzimet e pezulluara. Lidhur me këto pritet që në ditët në vazhdim të kryhen disa veprime hetimore, dhe në rast se nuk do konstatohen shkelje atëherë vendimi që do të merret, do të jetë i njëjtë me atë që është marrë për 15 kallëzimet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›