E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi hashashin e Lazaratit

Pëllumb Shkreli është pronari i 50 kg hashash ndërsa Eduart Kane inspektori i policisë që do e ndihmonte të fshinte gjurmët


Në gjyq dy fierakë, nisën në


TIRANË- Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kryeqytet, iu deshën katër muaj kohe për të zbardhur një nga shumë linjat e trafikut të drogës nga Fieri për në Greqi, duke mbyllur kështu fazën hetimore të dosjes penale në ngarkim të dy fierakëve. Burimet zyrtare të prokurorisë pohuan se tashmë kanë nisur në gjykatë dosjen e dy personave të akuzuar për trafikim lëndësh narkotike.


Mësohet se me administrimin e dosjes me nr. 109, zyra e kancelarit pranë togave të zeza e ka hedhur dosjen e dy të pandehurve në short elektronik, ku është caktuar pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari.


Sipas kërkesës për gjykim, dy të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin por në role të ndryshme, kanë organizuar trafikimin e 50 kg hashash në drejtim të Greqisë. "Nga hetimet e kryera rezulton se i pandehuri Pëllumb Shkreli është pronari i lëndës narkotike prej 50 kg, e sekuestruar në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës në tentativë për të kaluar në Greqi bashkë me shokun e tij të pandehurin, Eduart Kane.


Ky i fundit, përveç se ka marrë pjesë edhe në paketimin e hashashit ka kryer edhe punën e transportuesit të drogës për në Greqi, duke e fshehur në vende të ndryshme të kabinës së maunës së ngarkuar me gurë dekorativë",- thuhet në kërkesën për gjykim të përpiluar nga prokuroria.


Sipas dosjes së dorëzuar në gjykatë, Shkreli e Kane kanë kryer blerjen e hashashit në fshatin Lazarat dhe me ndihmën edhe të dy personave ende të pa identifikuar, kanë bërë paketimin e lëndës narkotike në vende të ndryshme të kabinës së maunës të tipit "MAN" me targa "FR 7934 C".


Ky paketim, sipas kërkesës për gjykim, është bërë në brendësi të një magazine në qytetin e Fierit, ku përdoret edhe për servis makinash. Më pas, kamioni është ngarkuar me gur dekorativë të malit të Tomorit në një nga kompanitë private që merret me nxjerrjen dhe përpunimin e gurit nga mali i Tomorit.


"Pas kryerjes së këtyre veprimeve, të fshehjes së 50 kg hashash në brendësi të kabinës së kamionit dhe e kanë ngarkuar rimorkion me gurë dekorativë, i pandehuri Eduart Kane është ulur në vendin e shoferit dhe mesditën e 29 marsit 2009 është nisur në drejtim të pikës së kalimit kufitar të Kakavijës.


Me të mbërritur në pikën e kalimit kufitar, policia me ndihmën e qenit të kufirit i cili kishte nuhatur drogën, ka kërkuar nga shoferi që të zbresë nga kamioni për të ushtruar kontroll",-thuhet në kërkesën për gjykim.


Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi 50 pako të mbështjella me natriban ngjyrë kafe me peshë një kg secila, e fshehur në vende të ndryshme të kabinës, ku pas ekspertizës së "mallit" rezultoi se droga e kapur është hashash.


Menjëherë forcat e policisë i kanë vënë prangat shoferit të maunës, të pandehurit Kane, që nuk ka pranuar se kishte dijeni, pretendime këto të rrëzuara pas akt-ekspertimit daktilografik të gjurmëve të gishtit, ku rezultonin gjurmët e tij në disa nga pakot e paketuara.


Por, ky akt-ekspertim ka zbuluar edhe bashkëpunëtorin tjetër të këtij trafiku. "Nga krahasimi i gjurmëve të gjetura në pakot e drogës me sistemin automatik të identifikimit të gjurmëve pranë Drejtorisë së Policisë, ka rezultuar se gjurmët e tjera janë të shtetasit Pëllumb Shkreli",-thuhet në dosje.


I pandehuri Shkreli, duke ditur se gjurmët e tij do t'i dalin në pakot e sekuestruar është nisur nga Fieri për në Tiranë, duke takuar një nga ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore, për të gjetur mundësinë e fshirjes së gjurmëve të tija. Por, policia në momentin që i pandehuri Shkreli kishte takuar një mikun e tij që punonte në Ministrinë e Brendshme, është organizuar arrestimi i tij, operacion ky i koduar me emrin "Rrëshqitja".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›