E Shtunë, 31 Tetor 2026

Magjistratura në KLD: Duam shansin për hapjen e shkollës

13/07/2009  KLD-ja e Ministrisë së Drejtësisë premtoi se do të diskutohet me institucionet e tjera

Nga viti 2008 Magjistratura është mbyllur për shkak të mospasjes së kërkesës

TIRANË – Shkolla e Magjistraturës i drejtohet Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në mbledhjen e datës 8 korrik edhe pse gjithçka u bë me dyer të mbyllura, burime nga KLD-ja bënë të ditur se është diskutuar gjatë për mënyrën se si do të procedohet me caktimin e numrit të vendeve vakante për profilin gjyqtar. Dihet tashmë se që nga viti 2008 Shkolla e Magjistraturës, profili gjyqtar është mbyllur për shkak të mospasjes së kërkesës nga KLD-ja dhe institucioni i Ministrisë së Drejtësisë. Por ndërkohë që vazhdon të mbetet i mbyllur, Shkolla e Magjistraturës ngre problemin dhe kërkon të trajtohet gjerësisht nga instancat më të larta. Sipas drejtuesve të Shkollës së Magjistraturës, gjyqësori duhet të përcaktoi qartë numrin e gjyqtarëve që duhet të përfshihen me këtë status. Bëhet e ditur se diskutimi në mbledhjen e fundit të KLD-së për këtë pikë ka qenë shumë i hapur. Megjithëse pati kundërshti dhe nga ata që besojnë se Magjistratura sjell element të rinj në gjyqësor, përsëri çështja ka mbetur pezull. Burime të Këshillit të Lartë të Drejtësisë bënë të ditur se kjo pikë do të vihet në diskutim edhe në mbledhjen e ardhshme. Por vështirë përsëri të gjendet një pikë e përbashkët. Nga ana e KLD-së dhe e Ministrisë së Drejtësisë u premtua se do të diskutohet me institucionet e tjera të drejtësisë dhe ato shtetërore si dhe do të hartohet një plan i gjerë që ka të bëjë me statistikat në të gjitha gjykatat. Nga ana e Ministrisë së Drejtësisë u mor përsipër të nxirren të dhëna për sa i përket numrit të gjyqtarëve që janë aktualisht dhe nevojës që ka gjyqësori për element të rinj nga Shkolla e Magjistraturës. Pas këtij veprimi që do të organizohet nga Ministria e Drejtësisë dhe nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të jepet një përgjigje për magjistraturën, e cila që prej një viti ka mbyllur dyert për gjyqtarët e rinj. Të njëjtat burime pranë KLD-së thanë se pasi u diskutua në lidhje me kërkesën e dërguar nga Shkolla e Magjistraturës, për caktimin e numrit të vendeve vakante për kandidatë për magjistratë, profili “gjyqtar” për vitin akademik 2009-2010, u vendos që kjo temë të diskutohet në mbledhjen e ardhshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›