Akuzat, Meta: Të ulen tonet, duhet sjellje evropiane
Ministri i Punëve të Jashtme apelon për dialog dhe ulje tonesh mes forcave politike
TIRANË - Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, deklaroi dje se liderët e forcave kryesore politike në vend, Kryeministri Sali Berisha dhe lideri i opozitës, Edi Rama, duhet të ulin tonet e akuzave ndërmjet tyre. Sipas Metës, aktorët politikë shqiptarë duhet të demonstrojnë një sjellje politike evropiane. Duke iu referuar krizës politike në vend dhe akuzave të ashpra midis dy liderëve të forcave kryesore politike, ministri i Jashtëm theksoi se nuk është nevoja që të ketë akuza të ndërsjella, për më tepër në një mjedis politik që, sipas Metës, është shumë i ndotur. Gjatë një konference për shtyp në Ministrinë e Jashtme, Meta vuri në dukje se politika shqiptare duhet të shfaqë sjellje evropiane, veçanërisht në këto kohë kur Shqipëria ndodhet në zhvillimin e proceseve integruese. Sipas tij, klasa politike duhet që të zhvillojë përgjegjësitë që i janë ngarkuar nga zgjedhjet e 28 Qershorit. "Nuk kemi nevojë as për akuza të ndërsjella dhe as për thasë me plehra në një ambient që për fat të keq nuk është shumë ekologjik të politikës shqiptare. Kemi nevojë që të gjithë të zhvillojmë përgjegjësitë, që kemi marrë nga zgjedhjet e 28 qershorit nga qytetarët shqiptarë, sidomos lidhur me atë që kërkojnë ata, siç është dita e liberalizimit të vizave; një jetë më të mirë dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE", - tha dje Meta. Kjo sjellje evropiane, sipas Metës, duhet të jetë për të rritur standardet e komunikimit politik. "Të gjithë duhet të hyjnë në një garë tjetër dhe gara është pikërisht për të rritur standardet e komunikimit politik, për të rritur standardet e legjislacionit në mënyrë që ai të jetë i standardeve evropiane dhe opozita në këtë drejtim ka shumë se çfarë mund të bëjë dhe duhet të bëjë, si detyrim ndaj vendit, si detyrim ndaj atyre që kanë votuar për të, pikërisht që vendi të shkojë përpara dhe jo që të shikojmë skena, të cilat absolutisht tregojnë për primitivizëm dhe jo për perspektivë", - u shpreh Meta.