E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, gjenden të vjedhura 40 ton krom

ELBASAN-Agjentët kundër krimit ndaj pasurisë kanë mbyllur operacionin "Galeria" për vjedhjen e një sasie 40 tonë krom nga magazinat shtetërore të Katielit në Prrenjas. Pas dy arrestimeve të ditëve të fundit janë vënë në pranga tre shtetas të tjerë ndër të cilët edhe një grua. Pas arrestimit të dy personave, të cilëve iu gjend një sasi e konsiderueshme kromi në shtëpi, policia ka vazhduar operacionin duke ndaluar shtetasin Osman Bosi, 60 vjeç, të cilit iu sekuestruan gjashtë tonë krom i vjedhur sipas policisë nga mallrat stok të minierës së Katielit, Bedri Gurrën 50 vjeç të cilit iu gjet dhe sekuestrua rreth 5 tonë mineral dhe Mejreme Alisufi, 56 vjeç, të cilës iu gjetën rreth 2 ton krom. Personat janë proceduar për veprën penale të vjedhjes. Sipas policisë, vjedhja e kromit vazhdonte prej kohësh nga magazinat deri në konstatimin e mallit të vjedhur dhe fillimin e hetimeve. Ende nuk dihet se si do të përfitonin nga sasia e kromit të vjedhur të magazinuar pasi tregu i kësaj sasie nuk është i lehtë për tu gjetur.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›