E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat, Rama: “Veriun e përmbyti korrupsioni”

Autori i Lajmit: S. TopiKryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka reaguar përsëri për situatën e përmbytjeve në Shkodër duke shprehur gatishmërinë e opozitës për ti qëndruar pranë familjeve të përmbytura. Kryesocialisti ka bërë përgjegjës për këtë katastrofë keqqeverisjen dhe korrupsionin. Kreu i selisë rozë i ka komunikuar Berishës se këtë herë nuk i shpëton dot së vërtetës. Gjithashtu i ka bërë thirrje edhe kryeprokurores Ina Rama të nisë hetimet për këtë katastrofë që mund të ishte shmangur. Edhe deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri pohoi paraditen e djeshme se kjo katastrofë e shkaktuar edhe për arsye korruptive duhet të ketë përgjegjës. Sipas Tahirit, babëzia e qeverisë për të fituar me çdo kusht nga eksporti i energjisë çoi në mbushjen e digave përtej limiteve. Sipas tij, për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi të gjithë ata që me veprimet ose mosveprimet e tyre, shkaktuan këto pasoja. Duke filluar me Dritan Priftin, tha Tahiri, i cili duhet të largohet nga detyra.
Akuzat e kreut të PS-së
“Nuk e ka fajin as zoti as opozita për ujin që po përmbyt veriun. Opozita po i shërben familjeve të përmbytura, duke thënë të vërteta që nuk mund të përmbyten dot me shpifje. Veriun nuk po e përmbyt zoti por robi, po e përmbyt korrupsioni”,- deklaroi Rama pasditen e djeshme ndërsa ka pohuar se këtë herë Berisha nuk do ti shpëtojë së vërtetës. “Berisha nuk i shpëton dot kësaj përgjegjësie edhe pse prokuroria nuk zgjohet nga gjumi. Zonja prokurore e Përgjithshme sot duam të dimë çdo të ndodhë ende në Shqipëri që prokuroria të shfaqet. Berisha nuk shpëton dot nga e vërteta katastrofike edhe sikur mediat të mbushen me reportazhe për ngrohjen globale. Për Sali Berishën ora e ballafaqimit me të vërtetën kishte ardhur me kohë, por kjo i vuri vulën përgjegjësive të tij”- theksoi Rama. ai është shprehur më tej se
opozita do të vazhdojë të mbështesë me të gjitha format banorët e zonave të përmbytura, pasi “kjo është politika jonë e fjalëve dhe veprave, e dorës së shtrirë”- duke falënderuar më pas të gjithë ata që janë solidarizuar me këtë katastrofë.
Shkeljet
Ndërsa deputeti Tahiri ka pohuar dje se ka ligje dhe rregullore teknike që nuk janë respektuar, duke sjellë këto pasoja të paimagjinueshme. “Babëzia e qeverisë për të fituar me çdo kusht nga eksporti i energjisë duke mbushur digat edhe përtej limitit të lejuar, degradoi në skenarin më të keq të mundshëm, në përmbytje të këtyre përmasave të jashtëzakonshme”, - tha ai. Duke evidentuar shifra që i referohen PS-së, Tahiri tha se dëmet e shkaktuara deri sot, kapërcejnë disa miliona euro e po kaq miliona euro ka kushtuar e po kushton përpjekja për të shmangur fatkeqësinë ekstreme, megjithëse këto kosto ishin tërësisht të shmangshme, në qoftë se qeveria do të kishte qenë e kujdesshme dhe e interesuar jo për të fituar para nga eksporti i energjisë në kurriz të qytetarëve, por për të ruajtur jetën dhe pasurinë e tyre në radhë të parë. Edhe një herë PS përmes Tahirit ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, duke vlerësuar se ai duhet të largohet nga detyra jo vetëm pse është përgjegjës për këtë që ka ndodhur, por edhe për tu dhënë siguri banorëve të përmbytur dhe gjithë shqiptarëve, se katastrofa të tilla nuk do të ndodhin më në të ardhmen.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›