E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, dëmtohet ura mbi Drin

Autori i Lajmit: Silvana Balliu

Vërshimi i ujërave nga portat e shkarkimit të digës së Fierzës ka dëmtuar mjaft rëndë urën që lidh Tropojën me pjesën tjetër të vendit.
Një këmbë e urës mbi lumin Drin ka pësuar dëmtime për shkak të presionit të ujit të prurjeve të hidrocentralit të Fierzës. Dëmtimi ka ndodhur rreth orës 09.30 minuta të paradites së djeshme, kur shkarkimet e ujërave nga porta e tunelit 4 të hidrocentralit të Fierzës ishin tepër të fuqishme. Mësohet se njëra prej 6 këmbëve të urës mbi Drin, që lidh dhe Bajram Currin me pjesën tjetër të Shqipërisë është dëmtuar, dhe uji ka krijuar një vrimë të madhe në mes të këmbës. Me të mësuar lajmin specialistët e HEC-eve vendosën të ndërpresin për disa minuta shkarkimet nga kjo portë për të mos rritur rrezikshmërinë. Një dëmtim i tillë ishte paralajmëruar që prej ditës së djeshme. Një postbllok policie e vendosur në Qafën e Malit nuk lejon automjetet të kalojnë mbi urë pasi është e pasigurt dhe mund të jetë e rrezikshme. Nga sa mësohet, ka drejtues automjetesh të cilët këmbëngulin të lëvizin në këtë urë, por policia me urdhër të prerë nuk lejon lëvizjen në asnjë krah të urës. Policia informon se lëvizja e automjeteve mund të bëhet vetëm nga segmenti Fushë Arrëz- Kukës- Has. E vetmja barrierë e urës janë disa dërrasa të vendosura në anë të saj, të cilat duken të pafuqishme për të mbajtur vrullin e ujit.
Ministri Prifti
Në një kohë kur zonat e përmbytura në Lezhë e Shkodër kanë nisur të zgjerohen, duke bërë që uji të hyjë edhe në qytet, ministri i Energjetikës Dritan Prifti kërkon të qetësojë situatën, duke thënë se më e keqja tashmë ka kaluar. Sipas tij, bora e rënë në male ka shkrirë dhe nuk pritet të ketë prurje të larta në hidrocentrale. Shkarkimet nga të tre HEC-et vazhdojnë, por pavarësisht kësaj situate niveli i Fierzës vijon të mbetet në kuotën e 292.5 metrave, me tendencë rritëse 2 cm në orë. “Sot ndjehem më mirë me menaxhimin e kaskadës nga korporata, tashmë nuk besoj se do të kemi përkeqësim të situatës, pasi prurjet më të mëdha nga malet kanë mbërritur, ndaj unë mendoj se gjendja do të shkojë drejt përmirësimit në ditët në vijim”- tha Prifti. Rënie të nivelit të ujit kanë pësuar edhe liqeni i Komanit e Vau të Dejës. Ndërkohë që ngrohja e temperaturave ka bërë që të ulet prodhimi i energjisë elektrike.
Eksporti i energjisë
Eksporti mbetet në kufijtë maksimale, mbi 10 milion kë/orë. Nisur nga situata e krijuar të hënën do të mbërrijnë në Shqipëri ekspertë italianë të digave për të menaxhuar më mirë kaskadën e Drinit. Sipas Priftit grupi i ekspertëve do të asistojë me aparatura më të specializuara, për një mirë menaxhim, të paktën derisa të kalojë gjendja e emergjencës. Por është ende herët për të llogaritur efektin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet në Shkodër e Lezhë, megjithatë paratë që do të mblidhen nga shitja e energjisë elektrike do të kalojnë për dëmshpërblimin e banorëve të përmbytur. Sipas ministrit nga eksporti i energjisë KESH siguron në ditë një shumë, e cila arrin deri në 1 milion e gjysmë euro.

Ky lajm është publikuar: 09/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›