E Shtunë, 31 Tetor 2026

Siguria, Obama bën publike masat e reja

Autori i Lajmit: RedaksiaUashington - Çështjet e sigurisë kanë qenë prioritet në këtë fillim viti. Presidenti Obama thotë se planifikon të bëjë disa ndryshime në mënyrën se si shërbimet amerikane të zbulimit i mbledhin dhe i shkëmbejnë të dhënat mes tyre. Duke folur në televizionin amerikan ai tha se këto masa merren për të parandaluar sulme të ngjashme si tentativa për të hedhur në erë një avion amerikan ditën e Krishtlindjeve. "Së pari, unë kam udhëzuar që shërbimet tona të zbulimit të fillojnë menjëherë me përcaktimin e përgjegjësive specifike për hetimin e të gjitha rasteve që konsiderohen si kërcënime të një prioriteti të lartë, në mënyrë që ne tu shkojmë këtyre rasteve deri në fund. Së dyti, kam udhëzuar që raportet e përgatitura nga shërbimet e zbulimit, sidomos ato që flasin për ndonjë rrezik potencial kundër Shteteve të Bashkuara, të shpërndahen sa më shpejt dhe sa më gjerësisht mes agjencive të ndryshme. Ne nuk mund të rrimë duarkryq kur kemi në dorë informata mbi bazën e të cilave mund ta mbrojmë popullin amerikan. Së treti, unë kam udhëzuar që të forcohet sistemi analitik për të dhënat që marrin agjencitë e shërbimit të zbulimit. Dhe së fundi, kam dhënë urdhër që të bëhen përpjekje të menjëhershme për ashpërsimin e kritereve për zgjerimin e listës sonë për terroristët, sidomos listës që u ndalon këtyre individëve të udhëtojnë me avion drejt Shteteve të Bashkuara. Duhet të tregohemi më të efektshëm në moslejimin e personave të rrezikshëm në bordin e avionëve tanë, duke hedhur hapa njëkohësisht për lehtësimin e trafikut ajror", - tha presidenti Obama. Duke paraqitur versionin publik të raportit për shkaqet përse agjencitë e shërbimit të zbulimit nuk reaguan me kohë, zoti Obama deklaroi se këto agjenci kishin pasur mangësi sistematike në kombinimin dhe analizimin e të gjithë informatave. Ai nuk pranoi të bënte përgjegjës ndonjë individ dhe tha se, për sa kohë që kishte dështuar sistemi, përgjegjësia binte mbi të si president. Duke folur menjëherë pas presidentit Obama, sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Janet Napolitano, tha se këtë muaj do të takohet në Spanjë me homologë të saj nga vende të tjera për të diskutuar për forcimin e masave të kontrollit në aeroporte. "Ne duhet të përshpejtojmë hapat për vënien në përdorim të teknologjisë së avancuar në mënyrë që të kemi mundësi më të mëdha për të zbuluar eksplozivë si ato që u tentuan të përdoreshin në sulmin ditën e Krishtlindjeve", - tha zonja Napolitano. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara kanë filluar me vendosjen e pajisjeve moderne të kontrollit. "Momentalisht në Shtetet e Bashkuara janë vendosur 40 pajisje të teknologjisë së fundit. Gjatë këtij viti ne planifikojmë të vendosim edhe 300 pajisje të tilla në aeroportet tona, ndoshta edhe më shumë. Incidenti i ditës së Krishtlindjeve tregoi se procedurat e kontrollit në aeroportet e vendeve të tjera kanë rëndësi kritike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Prandaj ne do të bëjmë çmos për ti inkurajuar autoritetet e vendeve të tjera për ta vënë në përdorim këtë teknologji të avancuar për sigurinë në aeroporte. Kjo është çështje ndërkombëtare, jo thjesht e Shteteve të Bashkuara", - deklaroi sekretarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Janet Napolitano.
BBC
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›