Alarmi, lumi i Bunës 15 cm nën pikën kritike
Autori i Lajmit: RedaksiaNivelet e ujërave ruajnë të njëjtin nivel që nga dita e djeshme, ndërsa aksi i rrugës nacionale Shkodër-Tirane në harkun e Bërdicës është bërë i kalueshëm.
Niveli i lumit të Bunës është aktualisht 9.11 nga 9.25 që është pika kritike. Ministria e Brendshme informon se niveli i ujit në zonat e përmbytura ka ruajtur të njëjtin nivel me ditën e djeshme. Lumi Buna i cili nga fryrja e djeshme vërshoi në shëtitoren para tij deri në lagjet në hyrje të qytetit tashmë është brenda shtratit të tij. Ndërkohë një grup specialistësh po bëjnë matjet e lumit Buna për të përcaktuar më pas dhe ndërhyrjet në të. Mësohet se specialistët do shikojnë nëse nga fryrja e lumit Buna dhe rrjedhja e lumit Drin është krijuar një sasi e madhe zhavorri, në brendësi të lumit, e cila mesa duket mund të ketë shkaktuar dhe daljen jashtë shtratit të tij. Ministria e Brendshme informon për 10 mijë ha tokë të përmbytur në qarkun e Shkodrës. Janë 2405 shtëpi të përmbytura dhe 4177 persona të evakuuar. Ndërkohë që, Komuna Dajç është komuna ku dëmet janë më të mëdha në të gjithë zonën e Nënshkodrës. Në këtë komunë janë përmbytur 2000 ha tokë, si dhe 1187 shtëpi ndodhen nën ujë. Nga kjo komunë është bërë dhe evakuimi më i madh i personave.
Takimi
Në takimin e djeshëm të KEC nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha u ndanë detyra dhe u aktivizuan strukturat e ushtrisë për: Evakuimin e 200 personave në lagjen Livade të qytetit Shkodër. Evakuimi i 35 personave në fshatin Luarzë të komunës Velipojë. Evakuimi i komunitetit në fshatin Mali i Jushit pranë Komunës Bushat. Vazhdimi i dërgimit të ndihmave në komunën e Dajçit dhe Velipojës. U përcaktuan magazinat e akomodimit të ndihmave ushqimore që po vijnë nga rezervat e shtetit në Repartin e Gjadrit dhe në Uzinën e Telave. Nga Drejtoria Rajonale e Rrugëve do të vazhdojnë punimet për përfundimin e përforcimit të argjinaturës së Spathait.
Punimet
Gjatë ditës së djeshme është punuar intensivisht dhe brenda ditës së sotme vazhdojnë punimet për riparimin përfundimtar të kësaj argjinature. Nga DBUMK po bëhen kërkesat për plotësim të nevojave që kanë aktualisht njësitë vendore për bagëtitë. Po bëhet, gjithashtu, planifikimi për shpërndarjen e vazhdueshme të ndihmave ushqimore në komunat Velipojë, Bërdicë, Bushat, Dajç, Ana e Malit, Gur i Zi, sipas kërkesave të këtyre komunave.
Ky lajm është publikuar: 10/01/2010