E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serie A Juve-Milan, sfida e yjeve të munguar

Autori i Lajmit: RedaksiaItali - “Derbi” i Italisë, që do të përcaktojë rivalin e vërtetë të Interit në luftën për titullin kampion, do të luhet me mungesat e disa prej lojtarëve kryesorë të Juventusit dhe Milanit. Një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit në Serinë A është ajo që do të luhet të dielën në orën 20:45 në “Olimpikon” e Torinos midis Juventusit të vendit të tretë dhe Milanit që ka një pikë më tepër. Megjithatë, trajnerët e të dy skuadrave duhet të bëjnë në mbrëmjen e nesërme pa disa prej yjeve të tyre. Situata e rëndë me dëmtimet ka bërë që si “Zonja” ashtu edhe kuqezinjtë të zbresin në fushën e lojës me formacion të “gjymtuar”. Në kampin bardhezi nuk do të jetë i gatshëm David Trezege, Vinçenco Iakuinta dhe Xhixhi Bufon. Telashe per trajnerin e Juventusit, Çiro Ferrara, pasi sulmuesi Dejvid Trezege do mungojë për më shumë se 1 muaj. Dy ditë pas ndeshjes me Parmën ku lojtari pësoi dëmtimin, mjekët kanë dalë në përfundimin se Trezege duhet të qëndrojë 40 ditë pushim. Analizat nxorrën në dukje një frakturë të shkallës së dytë në kaviljen e këmbës së djathtë. Ndeshjet në të cilat Trezege nuk do të luajë janë të paktën 6, përfshirë këtu edhe Kupën e Italisë. Objektivi kryesor është rikthimi për takimin e 14 shkurtit, Juventus-Xhenoa, ndërsa 4 ditë më pas do të luhet takimi i Europa League kundër Ajaksit. Ndërkohë që tek Milani të sigurta janë mungesat e Sedorfit dhe të Zambrotës. Rrezikon edhe Pato, për të cilin pritet një përgjigje përfundimtare në orët e ardhshme. Sulmuesi brazilian vuan nga një enjtje në kofshën e djathtë. Gjyqtari i kryesfidës së javës së fundit për fazën e parë në Serinë A do të jetë Antonio Damato. Mbrojtësi i Milanit, Luka Antonini, është i bindur se skuadra e tij do të dalë fituese në derbin e të dielës mbrëma kundër Juventusit. “Do të jetë një ndeshje e bukur. Jemi një pikë para Juventusit dhe duhet të shkojmë atje me të njëjtin përqendrim që treguam kundër Xhenoas. “Duhet ti sigurojmë tri pikët, sepse kemi edhe një ndeshje të pazhvilluar kundër Fiorentinas. Fitorja do të na mundësojë që të shmangemi më shumë nga Juve dhe të shkojmë në ndeshjen kundër Violas me qetësi”, - ka thënë Antonini për faqen zyrtare të Rossonerëve. Ndërsa sipas fantazistit brazilian të Juventusit, Diego, sfida e të dielës përballë Milanit është një rast i mirë për të rimarrë vendin e dytë dhe për të rihapur shanset për titull. Në faqen personale në internet, 24-vjeçari u shpreh i kënaqur nga fitorja në mesjavë përballë Parmës në transfertë, por paralajmëroi ekipin e tij për rëndësinë e takimit të së dielës ndaj Milanit. “Kjo ndeshje është si një finale për ne. Nëse fitojmë, rimarrim vendin e dytë”, theksoi mesfushori i “Zonjës”. Interi gjendet nëntë pikë larg Juventusit në renditje, por Diego ka besim se ekipi i tij mund të rivalizojë për titull. “Mund të renditemi në krye, por na duhet përqendrim dhe mentalitet fitues”, - shtoi braziliani.

Ky lajm është publikuar: 09/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›