Mesiç: “Rrota e historisë nuk kthehet pas”
Autori i Lajmit: Redaksia
Prishtinë - “Rrota e historisë nuk mund të kthehet më pas dhe as Kosova nuk mund të rikthehet më në Serbi”. Kështu është shprehur gjatë vizitës së tij në kryeqytetin kosovar presidenti kroat, Stipe Mesiç. Ai i bëri thirrje Beogradit që ta pranojë realitetin e ri në Kosovë dhe të mos e pengojë integrimin e komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës. Presidenti Mesiç tha se Kosova dhe Kroacia kanë kultivuar marrëdhënie të mira edhe në kohën e ish-Federatës Jugosllave. Ndërkaq, gjatë kohës së rënies së ish-Jugosllavisë, ai tha se populli kroat nuk e harron kurrë kontributin e kosovarëve në luftën për lirinë e këtij vendi. Tani, e ardhmja janë integrimet, tha Mesiç, dhe premtoi ndihmën e Zagrebit për realizimin e qëllimeve të Prishtinës. “Kroacia është e gatshme që ta ndihmojë Kosovën me përvojën dhe dijen e vet, përfshirë edhe ndihmën e saj në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane, që tani paraqet një të ardhme të rëndësishme”,- tha presidenti kroat ende në detyrë. Duke iu drejtuar Parlamentit të Kosovës, gjatë një seance solemne të thirrur për nder të tij, Mesiç tha se vizita e tij në Kosovë ishte interpretuar në mënyra të ndryshme. Por, ai tha se vinte në Kosovë si mik i shqiptarëve, i serbëve dhe popujve të tjerë dhe se kjo vizitë nuk ishte e drejtuar kundër askujt. Mesiç i bëri thirrje edhe Serbisë që të mos e pengojë integrimin e serbëve dhe e ftoi këtë vend që ta pranojë realitetin e ri në Kosovë. “Federata Jugosllave është shkatërruar dhe dihet botërisht se me fajin e kujt është shkatërruar. Rrota e historisë nuk kthehet më pas dhe as Kosova nuk mund të rikthehet më në Serbi”, - tha Mesiç. Duke iu referuar raporteve kroato-serbe, Mesiç tha se ishte shteti serb ai që bëri gjenocid në Kroaci dhe për këtë ka edhe padi në Gjykatën Ndërkombëtare. Sidoqoftë, ai tha se drejtësia ka punët e veta, ndërsa politika ecën përpara dhe se i gjithë rajoni, përfshirë vendet ish-jugosllave, të ardhmen e kanë të përbashkët në kuadër të integrimeve evropiane. “Arkitektura e këtij rajoni është e përfunduar dhe i tërë rajoni duhet të integrohet në Bashkimin Evropian. Tashmë është vetëm çështja se me çfarë shpejtësie disa vende të caktuara do ti bashkohen BE-së”,- tha Mesiç. Ndërkohë, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kroacia paraqet një vend të veçantë për Kosovën. Kurse, presidenti Mesiç, nënvizoi Sejdiu, është një prej personaliteteve që dha kontribut të madh për pavarësinë dhe njohjen e Kosovës, andaj e dekoroi atë me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”. “Pata nderin e veçantë që presidentin Mesiç ta dekoroj me Medaljen e Artë të Pavarësisë, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për pavarësinë e Kosovës dhe për zhvillimin e saj si shtet demokratik i gjithë qytetarëve”, - tha Sejdiu. Presidenti Stipe Mesiç është shpallur më pas “Qytetar Nderi i Prishtinës” nga Kuvendi Komunal. Ai është pritur në Prishtinë me një ceremoni shtetërore. Mesiç ka zhvilluar takime të ndara edhe me kryeministrin Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi. Po ashtu, ai ka vizituar ushtarët kroatë në kuadër të KFOR-it, si dhe komunitetin kroat që jeton në qytezën e Janjevës.
Vizita e Tadiçit
Serbia mori leje vetëm nga përfaqësuesi i BE
Shërbimi për informim i presidentit serb, Boris Tadiç, ka mohuar se ka marrë leje nga institucionet e Kosovës për qëndrimin në Manastirin e Deçanit. Presidenti serb, Boris Tadiç, pas qëndrimit dyditor në Kosovë, ka bërë të ditur se vetëm përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian është informuar dhe është marrë leja për vizitën në Kosovë, përkatësisht në Manastirin e Deçanit. Shërbimi për informim i presidencës serbe ka mohuar se për vizitën është arritur ndonjë marrëveshje apo është marrë dritë jeshile siç thuhet “nga institucionet e përkohshme të Kosovës”, për qëndrimin në Manastirin e Deçanit. Lajmi është transmetuar nga shumica e mediave serbe, por edhe nga korrespodentë të mediave rajonale. Kjo komunikatë e presidencës serbe ka përgënjeshtruar institucionet kosovare, të cilët ditë më parë kanë informuar se Tadiç ka hyrë në territorin e Kosovës me lejen dhe miratimin e Qeverisë së Kosovës.
BE, presidenca spanjolle nxit dialogun Serbi-Kosovë
Beograd - “Spanja dëshiron që mes Serbisë dhe Kosovës të arrihet një zgjidhje e kompromisit. Edhe shumë nga partnerët tanë në Bashkimin Evropian duan të ndodhë një dialog i ri mes tyre, që do të çonte drejt një zgjidhjeje të përbashkët, të aplikueshme dhe të qëndrueshme”,- ka deklaruar ambasadori i Spanjës në Beograd, Inigo Palasio de Espana. Në një intervistë për gazetën e Beogradit “Blic”, ambasadori spanjoll në Serbi ka thënë se Serbia mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE edhe pa një zgjidhje definitive të çështjes së Kosovës, veçanërisht pasi Spanja, e cila prej 1 janarit e ka marrë kryesimin e BE-së, nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Për më tepër, ambasadori spanjoll, Espana, ka shprehur përkrahjen e drejtpërdrejtë për pozicionin e Serbisë, që të rihapet çështja e statusit të Kosovës, pas përfundimit të procesit të nisur para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë rreth ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë së Kosovës. “Ministri Jeremiç ka parashtruar një ide shumë të rëndësishme në konferencën e ambasadorëve dhe ka thënë se, pasi gjykata të ketë nxjerrë opinionin e vet, përmes dialogut do të mund të gjendet një zgjidhje e kompromisit, e qëndrueshme, që do të mund të çonte drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve”, - ka thënë Espana për “Blic”. Për më tepër, ambasadori spanjoll ka paralajmëruar edhe një “axhendë për Ballkanin” të presidencës spanjolle të BE-së, me të cilën Madridi dëshiron të ndihmojë Serbinë në përpjekjen e saj për tiu afruar BE-së.
Ky lajm është publikuar: 09/01/2010