E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuzat e Del Pontes, prokurori serb i luftës mbërrin në Tiranë

Mbërrin në Tiranë prokurori serb që heton krimet e luftës, Vladimir Vukcevic. Qëllimi i vizitës së tij në kryeqytet ka qenë takimi me Prokuroren e Përgjithshme, znj. Ina Rama, me të cilën ka biseduar lidhur me akuzat që ka ngritur ish-prokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, në librin e saj “Gjuetia”, si dhe bashkëpunimin mes dy institucioneve të akuzës për çështje të ndërsjella në fushën e hetimit. Prokurori serb ka qenë i shoqëruar në vizitën e tij nga zv.prokurori dhe zëdhënësi i tij. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, në këtë takim është diskutuar vendosja e kontakteve të drejtpërdrejta mes dy institucioneve, njëkohësisht dhe ndihma që mund të ofrohet në çështjet e ndërsjella që zhvillojnë të dy prokuroritë. Gjithashtu, mes Kryeprokurores znj. Ina Rama dhe prokurorit serb të krimeve të luftës, Vladimir Vukcevic, është diskutuar edhe çështja e pretendimeve të ngritura në librin “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte. Prokuroria e Përgjithshme bëri prezente gjatë takimit rezultatet e një procesi inspektimi dhe verifikimi të përbashkët (të kryera që në vitin 2005), që kanë zhvilluar hetues të ardhur nga Haga dhe prokurorët e rrethit të Matit në disa ambiente në zonën e Burrelit. Sipas znj. Rama, në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta. Gjatë takimit të zhvilluar dje në Prokurorinë shqiptare, palës serbe i është sqaruar pozicioni dhe të drejtat procedurale të Prokurorisë shqiptare në lidhje me kryerjen e veprimeve të kërkuara për t’u kryer nga autoritetet serbe në lidhje me këtë çështje. Palët ranë dakord të mbeten të hapura më tej në trajtimin e të gjitha çështjeve që mund të kërkojnë ndihmën e përbashkët. Prokurorët serbë mund të kryejnë veprime në Burrel vetëm me autorizim të Gjykatës së Hagës dhe me prani të një prokurori shqiptar, të cilit t’i jetë dhënë leje nga Prokuroria e Përgjithshme. Takimi dhe vizita e Vukcevic në Tiranë është ndërmjetësuar nga zyra e ambasadës amerikane në Beograd.

Këshilli i Evropës caktoi një raporter për hetimin e akuzave të De Pontes

Këshilli i Evropës emëroi në qershor të këtij viti raporterin Dick Marty, për të hetuar në lidhje me trafikun e organeve të burgosurve serbë gjatë luftës në Kosovë. Vendimi erdhi pasi një grup prej 17 parlamentarësh firmosën një mocion, ku kërkonin nisjen e hetimeve nga Këshilli i Evropës në lidhje me akuzat e ngritura nga Kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte, në librin e saj “Gjuetia”. Drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht pjesë e politikës kosovare, do të hetohen nëse kanë qenë të përfshirë në trafikun e organeve, siç akuzon Kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte. Në librin e saj Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Karla Del Ponte, hedh dyshime për një trafik organesh për 300 të burgosur serbë të rrëmbyer nga UÇK-ja. Në libër shkruhet se të burgosurit serbë dërgoheshin në një shtëpi në Burrel, 90 kilometra në veri të Tiranës, ku kryhej dhe transplanti i organeve. Në atë periudhë, Prishtina dhe Tirana hodhën poshtë akuzat e ngritura nga Del Ponte. Ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha, i cilësoi akuzat e ngritura nga Del Ponte si “trillime dhe absurditete”.

Somario

Në përfundim të këtij procesi, hetuesit e Hagës së bashku me prokurorët e Matit arritën në konkluzionin se të dhënat që posedonin hetuesit e Hagës për atë që pretendohej se kishte ndodhur në Burrel, nuk rezultuan të vërteta

Del Ponte: 300 serbët e rrëmbyer në UÇK-ja u dërguan në Burrel

Në librin e saj, Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Karla Del Ponte, hedh dyshime për një trafik organesh për 300 të burgosur serbë të rrëmbyer nga UÇK-ja. Në libër shkruhet se të burgosurit serbë dërgoheshin në një shtëpi në Burrel, 90 kilometra në veri të Tiranës, ku kryhej dhe transplanti i organeve. Në librin e saj, ish-prokurorja e Hagës shkruan se “100-300 njerëz, shumica civilë serbë, janë dërguar me kamionë nga Kosova në Burrel të Shqipërisë në qershor të 1999-s, nga ku një pjesë janë përdorur për trafik organesh”. Sipas Del Pontes, anëtarë të lartë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin në dijeni të trafikut të organeve.

Gjykata e Hagës: Nuk ka prova për akuzat e Del Pontes

Gjykata e Hagës reagoi menjëherë ndaj botimit të librit të Del Pontes, në të cilin thuhej se në Gurrë të Matit bëhej trafik organesh. Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka deklaruar se gjatë hetimeve të kryera për këtë çështje nuk ka pasur prova për akuzat e ish-kryeprokurores së Hagës. Sipas reagimit të kësaj gjykate, edhe pse janë bërë hetime nga grupe ekspertësh, asgjë thelbësore nuk ka rezultuar për të provuar trafikun e organeve në këtë zonë. Në vitin 2004, 12 ekspertë të huaj i nxorën të gjithë anëtarët e familjes Katuçi jashtë banesës dhe për rreth 24 orë askush prej tyre nuk u lejua të afrohej në banesë derisa përfundoi ky kontroll i çuditshëm. Rezultati ishte negativ nga informacioni i marrë, në vendin e kontrolluar gjendje vetëm kulla dhe varfëria e tejskajshme e familjes. Aty nuk janë parë gjurmë trafiku apo transplanti, apo dyshime se mund të jetë përdorur si kullë për këtë qëllim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›