E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “Berluskoni” ndryshon rregullat për ribashkimin familjar

Ndryshojnë rregullat për ribashkimin familjar në Itali. Rregullat e reja hyjnë në fuqi më 5 nëntor të këtij viti, ndërkohë që ndryshimi erdhi pas reformave të ndërmarra nga qeveria e Berluskonit. Pra, në bazë të ndryshimeve të reja, nga data 5 nëntor e këtij viti, emigrantët që kërkojnë të tërheqin familjet e tyre në Itali, do të përballen me vështirësi më të mëdha. Mund të përfitojnë bashkim familjar personat emigrantë që kanë arritur një stabilitet në vendin fqinj, që ligji e parashikon ta kesh arritur kur ke një leje qëndrimi të përhershme ose të paktën 1-vjeçare, të rinovueshme, për motive pune, studimi, motive fetare, azil politik, familjeje, apo në pritje të nënshtetësisë (Kasacioni I, seksioni civil, 3.4.2008 nr. 8582). Mirëpo, me hyrjen në fuqi të modifikimeve të bëra në këtë ligj më 3.10.2008, nr. 160, më 5 nëntor do të instalohen parametra për të ardhurat e nevojshme kur mendon të thërrasësh një familjar në Itali. Tashmë, qytetari i huaj duhet të demonstrojë se fiton mjaftueshëm për të pritur një familjar të tij, madje çeku social rritet dyfish për çdo familjar tjetër me të cilin do ribashkohet në Itali. Ndryshime ka pasur edhe për disa situata të konsideruara të domosdoshme për një mbikëqyrje të veçantë. Kështu, për ribashkim me 2 apo më shumë fëmijë të moshës më të vogël se 14 vjeç ose për ribashkimin e 2 ose më shumë familjarëve që mbajnë statusin e mbrojtjes së nevojshme, të ardhurat e kërkuara do të jenë në çdo rast jo dyfishi i çekut social që merret çdo vit. Përfundimisht, rriten të ardhurat e kërkuara për ribashkim vetëm të njërit bashkëshort; nga 5.142 euro në 7.714 euro për tre familjarë (bashkëshortja me dy fëmijët), 10.285 deri 12.856 për pesë, nga 15.428 në 17.999 për gjashtë familjarë, nga 15.428 në 20.570 euro për më shumë familjarë. Qëndrojnë të pandryshuara të ardhurat e kërkuara për ribashkim të dy ose katër familjarëve (10.285 e 15.428).

Ndryshimet

Ndryshime shihen edhe në të mirat e përfituara nga ribashkimi familjar me referencë njërin nga bashkëshortët me fëmijët e mëdhenj apo prindërit e kryefamiljarit. Për bashkëshort tashmë kërkohet mosha minimale 18 vjeç dhe statusi i bashkëshortit jo legalisht i ndarë (për raste të rralla ku rregullat të tjera veprojnë, të njëjta me ato italiane, instituti legal i ndarjes). Limiti i moshës është futur në ligj me idenë për të kundërshtuar martesat e sforcuara ose me dhunë. Vështirësi ka edhe për ribashkimin e prindërve me fëmijë mbi 18 vjeç. Ndryshe nga më parë, kur fëmijët e rritur mund të bashkoheshin me familjen e tyre në Itali për motive shëndetësore, tanimë ky ribashkim mund të bëhet vetëm nëse vërtetohet se ata janë në invaliditet të plotë. Sipas qeverisë, dekreti garanton zbatimin e Direktivës Evropiane, “Mbi të drejtën e ribashkimit familjar”. Por, një limit i tillë shihet me dyshim kushtetues, pasi bëhet fjalë për një kusht të paparashikuar në direktivat komunitare, edhe pse koncepti i invaliditetit të plotë është i vështirë për t’u qartësuar pasi ndryshon nga shteti në shtet.

Për prindërit

Për prindërit kërkohet tashmë të dokumentohet që nuk kanë fëmijë të tjerë në vendin e origjinës ose, nëse kanë mbushur moshën 65 vjeç, dhe fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi mbështetjeje për shkak të një sëmundjeje të rëndë të dokumentuar. Në këtë kontekst, personi që kërkon të tërheqë prindërit e tij duhet të vërtetojë përmes dokumenteve se asnjë nga fëmijët e tjerë për arsye të rënda shëndetësore nuk mund t’i mbajë në vendin e origjinës. Ky rregull është vendosur nga qeveria, për të shmangur abuzimet me shërbimet e përkujdesjes për këtë kategori. Në këtë dekret theksohet se personi që qëndron në Itali duhet të vërtetojë se të ardhurat minimale vjetore i ka jo më të vogla se çeku social, i cili është afro 5 mijë euro. Nga ana tjetër, nëse dokumentet që ai depoziton janë të dyshimta, përfaqësuesit diplomatikë kanë të drejtë të kërkojnë testin e ADN-së për çdo familjar.

Procedurat

Në planin procedural, dekreti i ri legjislativ parashikon dy risi të rëndësishme: a) rritet nga 90 në 180 ditë afati kur i interesuari mund të marrë një vizë hyrjeje për ribashkim familjar direkt nga përfaqësitë diplomatike e konsullatat italiane, ndonëse ende nuk është marrë një vendim mbi lëshimin e nulla-ostës nga ana e sportelit unik të emigracionit, përfshirë edhe prefekturën kompetente;

b) parashikohet që nëse nuk është e mundur të prodhohet certifikata apo dokumente të tjera zyrtare që provojnë lidhjen familjare ose nëse ekzistojnë dyshime mbi origjinalitetin e dokumentacionit, përfaqësitë diplomatike ose konsullatat italiane mund të vijojnë me lëshimin e certifikatave zëvendësuese që vërtetojnë lidhjet familjare, në bazë të analizës së ADN-së, e përfituar me shpenzimet e kërkuesit. Një veprim i tillë parashikohet të ndërmerret në vendet ku certifikatat apo dokumentet e tjera nuk ofrojnë siguri apo janë të pabesueshme, të cilat lëshohen apo dorëzohen në bazë të mekanizmave të vetëcertifikimit (deklarimi i statusit), siç veprohet në disa vende afrikane si Gana. Përdorimi i testit gjenetik sjell një cenim të dinjitetit të personit të interesuar, duke cenuar jetën private të personit në bazë të nenit 8 të CEDU. Ndaj dhe, përdorimi i një instrumenti të tillë nuk duhet banalizuar e përgjithësuar, përveç rasteve kur një aplikacion duhet të nënshtrohet garancive juridike. Një test i tillë për ribashkimin familjar në normativën e emigracionit është autorizuar në Francë vetëm në rrugë eksperimentale dhe përkohësisht. Ky test gjenetik përdoret për ribashkim familjar në Vendet e Ulëta, për të vërtetuar lidhjet familjare dhe subvencionohet nga shteti në rast kur del në favor të interesuarit.

Detaj

5 nëntor, dita kur dekreti hyn në fuqi me rregullat e reja për ribashkim familjar

65 vjeç duhet të jenë prindërit, për të cilët fëmijët mund të kërkojnë ribashkim në Itali

Somario

Testi gjenetik i ADN-së parashikohet të bëhet për ribashkimin familjar, kur ka dyshime, edhe në shtetin fqinj të Italisë

Procedurat

a) rritet nga 90 në 180 ditë afati kur i interesuari mund të marrë një vizë hyrjeje për ribashkim familjar direkt nga përfaqësitë diplomatike e konsullatat italiane, ndonëse ende nuk është marrë një vendim mbi lëshimin e nulla-ostës nga ana e sportelit unik të emigracionit, përfshirë edhe prefekturën kompetente;

b) parashikohet që nëse nuk është e mundur të prodhohet certifikata apo dokumente të tjera zyrtare që provojnë lidhjen familjare ose nëse ekzistojnë dyshime mbi origjinalitetin e dokumentacionit, përfaqësitë diplomatike ose konsullatat italiane mund të vijojnë me lëshimin e certifikatave zëvendësuese që vërtetojnë lidhjet familjare, në bazë të analizës së ADN-së, e përfituar me shpenzimet e kërkuesit.

Të ardhurat për pjesëtarë

5.142 euro deri 7.714 euro për tre familjarë (bashkëshortja me dy fëmijët)

10.285 deri në 12.856, për pesë familjarë

15.428 deri në 17.999, për gjashtë familjarë

15.428 deri në 20.570 euro, për më shumë familjarë

10.285 e 15.428 euro, për dy ose katër familjarë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›