Durrës; Gjendet i vdekur në banesë 26-vjeçari Ndoi
Një 26-vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e tij. Sipas burimeve të policisë së qytetit bregdetar, i riu Ermal Ndoi ka qenë me profesion infermier në spitalin e Durrësit dhe banonte i vetëm në shtëpi. Ngjarja ndodhi në lagjen numër 17 të qytetit të Durrësit, banor i së cilës ishte viktima. Të dhënat e para flasin për një vdekje natyrore, pasi ai njihej si person i qetë dhe pa probleme në qytet. Kontakti i fundit me familjarët ka qenë një telefonatë e bërë me të atin. “I riu mësohet se ka kontaktuar me telefon me babanë dhe më pas është shtrirë në divan, ku edhe është gjetur pa jetë”, - thanë burimet e policisë së Durrësit. Ai është gjetur nga të afërmit pa asnjë shenjë jete, i shtrirë në divanin e shtëpisë. Me urgjencë është transportuar për në spital, por gjithçka ka qenë e kotë, pasi sipas mjekëve, ai ka mbërritur pa jetë. Aktualisht trupi po i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Nga të dhënat e para, mendohet se shkak për vdekjen e infermierit është bërë një problem me zemrën. Mjekët dyshojnë për një infarkt. Por, policia sqaron se për këtë do të pritet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore.